>

NJË SHTATORE PËR ADEM DEMAÇIN

16 shkurt 21:23

-Vështrim mbi librin e posadalur nga shtypi, “DEMAÇI- NJERI I LAVDISË”, të autorit Selatin Novosella

Lulëzim ETEMAJ

Një shtatore për Bacën, ky ishte mendimi i parë që më është sillur në kokë posa autori Sabri Novosella më ka treguar rreth librit “DEMAÇI- NJERI I LAVDISË” të cilin tashmë ishte duke e përfunduar, në takimin e parë fizik të fillimjanarit që kam pasur me të e që si shkak kishte, sërish, pikërisht Bacën Adem.

Dhe, pas leximit që i kam bërë dorëshkrimit të librit, jam ndjerë shumë i kënaqur që më është konfirmuar tërësisht mendimi fillestar. Jam ndjerë i kënaqur sepse e ndajë mendimin që Baca Adem, lexuesit në përgjithësi, veçanërisht ithtarët e tij, të të gjitha kategorive, e meritojnë një libër të tillë të veçantë. Nga ky libër do të përfitojnë shumë edhe studiuesit shkencorë, të vjetër e të rinj, të jetës dhe veprës, me përmasa shumëdimensionale të jashtëzakonshme, të Demaçit.

Ky libër është një shtatore, krejt unikate, për Bacën Adem. Një nga të veçantat e saj, mbase edhe me ndikim vendimtar në jetëgjatësinë e saj, duke qenë se ne shqiptarët vazhdojmë të mos shquhemi gjithaq për kujdesin ndaj të gjallëve, përfshirë edhe heroin Adem Demaçi, e lëre më për shtatoret e ngritura rrugëve dhe shesheve, të cilat fare lehtë në një ditë të afërme edhe mund të përmbysen përtokë si pasojë e vetmisë, qëndron në faktin se kjo shtatore do të bartet nga lexuesit gjithandej ku ata do të frymojnë.

Një shtatore që për autor ka 299 persona, me e pa funksione shtetërore, të lëmive dhe profesioneve të shumta, madje edhe pa profesione fare, por që janë angazhuar në cilësinë e bashkëveprimtarëve apo dhe ish bashkëvuajtësve politikë të Bacës Adem. Dhe, në mesin e këtyre 299 bashkautorëve të Selatin Novosellës ka shqiptarë, amerikanë, gjermanë, francezë, kroatë, sllovenë…, madje edhe serbë, të cilët, me fjalët e tyre, me një ndjesi të hollë kanë ndërtuar, gdhendur dhe nxjerrë në sipërfaqe për lexuesin anët më të shndëritshme të Adem Demaçit, duke i bërë shumë konkrete përmasat e tij si njeri, veprimtar shembull i të drejtave universale njerëzore dhe kombëtare, simbol frymëzimi për breza të tëra shqiptarësh liri dhe bashkimkombëtardashës, hero me përmasa krejt tokësore që mendon me kokën e tij, e thotë atë çfarë mendon pa përllogaritur çmimin, shkruan dhe lëron kujdesshëm fjalën, duke e bërë të bukur, artistike, fjalë që shquhet për nga porosia direkte.

Kjo shtatore e Demaçit, njeriut antidogmë, vërtet do të ishte në masë bukur të madhe abstrakte për lexuesit e librit, njohësit e Demaçit, sikur autori të mos ia jepte edhe atij fjalën, sado që krejt shkurt, për të na folur, përmes mediumeve të ndryshme, si askush tjetër, siç flet vetëm Ai, për procese të caktuara politike në Kosovë.
Një shtatore për Demaçin, kur nuk flet Demaçi, s’mund të jetë tjetër veçse një antishtatore! Këtë do ta ketë pasur parasysh, dhe gjithsesi edhe ia ka arritur qëllimit për t’i ikur grackës, autori i librit, Selatin Nososella, i cili pas vetës ka mbi gjysmë shekulli të kaluar me e pranë Bacës Adem.

Përderisa për Demaçin aksioma “E para ishte fjala”, ishte shndërruar në parim dhe në yll polar të rrugëtimit jetësor, për lirinë e së cilës, si kryefjalë e të të drejtave universale të njeriut, ishte në gjendje ta sakrifikonte veten në çdo çast, për t’u ringritur në këmbë edhe më fuqishëm, si një feniks i vërtetë, për rininë patriotike shqiptare të Shqipërisë agolliane të përtejdrinit, i pari ishte Demaçi.

Kënaqësi e veçantë kur e ndesh në librin “DEMAÇI- NJERI I LAVDISË” edhe faktin, se Demaçi nuk ishte i pari vetëm për rininë shqiptare, por i tillë cilësohet edhe nga gjeneratat tjera, brenda e jashtëshqiptare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra së bashku…