NJË UDHËPËRSHKRIM I VITIT 1916 PËR DISA VISE SHQIPTARE

19 dhjetor 2017 | 10:45

SALAJDIN SALIHU

Studiuesi bullgar Perikli Çilev ishte një nga anëtarët e një ekspedite studiuesish bullgarë, e cila ishte bërë për qëllime etnografike. Në këtë ekspeditë, që zgjati nga 12 korriku deri më 11 gusht të 1916-s, ai vizitoi Prishtinën, Prizrenin, Dibrën, Strugën, Ohrin dhe Pogradecin. Në studimin e vet jep të dhëna për shqiptarët që jetonin në këto vise: “Vendbanimet që i kemi vizituar janë të banuara me shumicë shqiptare. Pjesa shumicë janë gegë, kurse një pjesë më e vogël janë toskë (në rrethinën e Ohrit). Kjo popullatë është myslimane, katolike (në Ferizaj dhe Prizren) dhe ortodokse (në Rekën e Epërme, Dibër, Pogradec dhe rrethinë). Të dy fiset e quajnë veten ‘shqiptar’, kurse nga popujt tjerë quhen alvani, albanezi, arnauti, arbanashi. Duket se emri ‘shqiptar’ rrjedh nga fjala ‘shqipe’.

Emri alban është me origjinë nga fjala latine ‘albus, a, um’ (e bardhë). Sipas të gjitha gjasave, romakët kështu i kanë quajtur ilirët, për shkak të veshjeve të tyre. Prej ‘Albanus’ rrjedh emërtimi grek Alvanoi, Alvaniti, arvaniti, arnauti etj. Gegët e quajnë vendin e tyre (në Prizren, Prishtinë, Dibër) ‘Shqipni’, kurse toskët ‘Shqipëri’ (në rrethinën e Ohrit). Edhe gegët edhe toskët bullgarët i quajnë ‘shkja’. Shqiptarë ka edhe në rrethin e Shkupit. Ata banojnë në viset malore prej motesh të lashta. Kështu, p.sh., në Kaçanik ka gojëdhëna se turqit, kur e morën Fushën e Kosovës, i detyruan shqiptarët të paguanin taksa. Për çdo banor paguhej një grosh”. Shqiptarët, shkruan më pas autori, e ndiejnë veten autoktonë në këto vise.

Prishtina
Çilev shkruan për viset e sipërpërmendura. Ai thotë se në Prishtinë muhamedanët identifikohen me turqit: “Edhe nëse flasin shqip, ata fëmijët i dërgojnë në shkolla turke. Elementi turk, i vendosur këtu nga Azia e Vogël, është shumë i paktë dhe i pa hetuar, por privilegjet turke i kanë shtyrë shqiptarët drejt osmanizmit”. Ai shkruan se në fshatin Janjevë, 15 kilometra larg Prishtinës, ka një pakicë shqiptare të besimit katolik, e ardhur nga Prizreni, aty ku popullata po turqizohet. Në këtë vendbanim ka edhe 40 shtëpi me shqiptarë muhamedanë, kurse pjesa tjetër, rreth 400 shtëpi, janë katolikë serbë, që e flasin shumë mirë gjuhën shqipe. Autori kroatët i quan si “serbë katolikë”: “Në kishë flitet kroatishtja, ashtu sikurse në shkollat ku mësohet në gjuhën kroate.

Veshjet e tyre janë shqiptare. Kjo hetohet edhe në viset e tjera shqiptare, ku bullgarët kanë veshje shqiptare… Në Janjevë, sipas asaj që flitet, një grua nga Mirdita e quan veten ‘fandeshë’ (kurse burrat quhen ‘fondi’, ndërsa nga të tjerët ‘fanda’). Ajo më ka thënë se ishte e martuar me një kroat nga Janjeva, sikurse edhe shumë shqiptare katolike, por tha se në shtëpi e flasin serbishten”. Sipas rrëfimeve të priftit Luka Filiqi, në Janevë kishte shumë kriptokatolikë, veçmas në Leroman të Gjilanit. Prifti i ka rrëfyer autorit se njihte familje të këtilla edhe në afërsi të katundeve Androvec, Dunav dhe Letnicë. Priftërinjtë katolikë i kryenin fshehtas ritualet fetare për kriptokatolikët. Çilevi shkruan edhe për një kishë në Prishtinë, e cila qe rrënuar nga arnautët, e udhëhequr nga i pari i familjes. Sipas tij, aty ka një mbishkrim në gjuhën greke, ku theksohet se ky rrënim ishte bërë në vitin 1843.

Ferizaj
Në Ferizaj, sipas autorit, gjithashtu ka 135 shqiptarë katolikë, kurse shqiptarët muhamedanë përbëjnë shumicën. Në katundin Lashkobar, pesë kilometra larg Ferizajt, deri para dhjetë vitesh ka pasur 50 familje kriptokatolike, por tani deklarohen si myslimanë. Kriptokatolikë deri para 20 vjetëve ka pasur edhe në Slivovë dhe Papas, por tani deklarohen si myslimanë. Kriptokatolikët, shkruan ai, vazhdojnë t’i festojnë festat e krishtera, sikurse “Shën Dhimitrin”.

Prizreni
Në Prizren gjendja ishte sikurse në Prishtinë: “Në këtë qytet ka edhe 120 familje arumune, të cilat para 100 vjetësh kanë ardhur nga Voskopoja (Korça). Veshjet e arumunëve janë shqiptare. Para okupimit serb ka pasur dy shkolla greke dhe dy kisha greke. Edhe në katundet përreth Mamushë, Ortugrushë dhe Zeqishtë ka pasur arumunë, por me kalimin e kohës ata janë serbizuar. Me siguri këta janë mbetjet e fundit arumune të vllahëve mesjetarë në Sharr”.

Shqiptarët muhamedanë në Prizren, gjatë kohës së pushtetit turk, ishin të çliruar nga çdo lloj tatimi dhe nga shërbimi ushtarak, por shqiptarët paraqiteshin si vullnetarë që të luftonin për Sulltanin. Shqiptarë katolikë janë rreth 150 shtëpi. Sipas autorit, ata kishin qëndrim miqësor ndaj Bullgarisë dhe pohonin se kishin qenë të shtypur prej serbëve.

Dibra
Në fshatrat e Sharrit vëren fshatra që flasin gjuhën shqipe: “Katundi Duf, në rrethinën e Gostivarit, është i banuar me shqiptarë ortodoksë (gegë), ekzarkistë, të shpërndarë në katër lagje dhe të vendosur në një apo dy kilometër largësi (…) Në katundin Duf popullata e flet mirë bullgarishten, kurse gratë e flasin shumë dobët këtë gjuhë. Veshja e burrave nuk dallohet prej veshjes së katundeve të tjerë, kurse e grave dallohet. Ky është katundi i parë i shqiptarëve ortodoksë në Rekën e Epërme (Dibër), por ka edhe 20 katunde me popullatë të pastër shqiptare të besimit ortodoks ose që janë të përzier me shqiptarë muhamedanë. Interes të veçantë zgjojnë tre katunde bullgare, pranë Dufit, në një rrafshnaltë, për shkak të pozitës së tyre dhe toponimeve.

Tre fshatrat quhen Leunovë, Nikiforovë dhe Mavrovë. Emri i parë si duket rrjedh prej fjalës Leon, një emër që mbanin perandorët bizantinë, emri i dytë nga emri Nikifor (Nikifor – Foka) dhe emri i tretë nga fjala greke ‘e zezë’”, shkruan ai. Sipas tij, këtu turqit, serbët dhe bullgarët përherë kanë pasur rojet e tyre.
Punimi i mësipërm është pjesë e ekspeditës shkencore të dymbëdhjetë studiuesve bullgarë në Maqedoni dhe Moravë. Ekspedita ishte bërë më 1916, me kërkesë të autoriteteve shtetërore bullgare dhe duhej t’i studionte “tokat e reja”, veçmas në planin etnografik e politik.

Ekspedita, si thuhet në një dokument, do t’i studionte viset më pak të hulumtuara, kryesisht etnografinë dhe dialektet e bullgarëve, por edhe të shqiptarëve, grekëve, kuçovllahëve dhe turqve, përfshirë edhe kapacitetet ekonomike në Maqedoni e Moravë.Studimet e përfshira në librin “Ekspedita shkencore në Maqedoni dhe në Moravë 1916 “, u redaktuan nga dr. Peter Petrovi.Ekspedita përbëhej nga gjuhëtarë, historianë, ekonomistë, gjeografë, gjeologë, ekspertë të statistikës, kryesisht nga Universiteti i Sofjes, por edhe nga pjesëtarë të shërbimit inteligjent bullgar. (Fusnotat i ka hequr redaksia)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha Procesi gjyqësor ndaj grupit ilegal “Grupi…