NJË ZË ARBËROR VJEN NGA SKANDINAVIA

02 korrik 2018 | 11:43

Berat LUZHA

Më 2 korrik u bënë 17 vjet qyshkur filloi emetimet e valëve në etër radioja e mërgimtarëve nga Norvegjia, radio “Zëri i Arbërit”. Një grup i vogël bashkatdhetarësh në qytetin AS, rreth 25 km larg kryeqytetit Oslo, në krye me Imri Trenën, vendosën ta hapin radion e parë në gjuhën shqipe në Norvegji, fillimisht në kuadër dhe në valët e radios në gjuhën norvegjeze “Follo”, deri në vitin 2013, e më vonë, pas mbylljes së saj, si radio e pavarur.
Në valët tokësore të radios publike norvegjeze “Follo”, radioja “Zëri i Arbërit” emetoi program pesë orë dy herë në javë, për të filluar programin tërëditor dy herë në javë që nga Dita e Pavarësisë, 17 shkurti 2008. Që nga viti 2013, pas mbylljes së radios norvegjeze, radioja shqipe e zgjeroi programin si program tërë ditor dhe të përditshëm, tashmë të emetuar vetëm në internet.

Duhet theksuar se radio “Zëri i Arbërit” ka krijuar një audiencë dhe bashkëpunëtorë, jo vetëm nga mërgimtarët në Skandinavi, por edhe më gjerë, në tërë botën. Emisionet e saj përcillen me interesim jo vetëm nga mërgimtarët tanë anembanë botës, por edhe nga dëgjuesit e shumtë në trojet shqiptare.

Emisionet e radios “Zëri i Arbërit” kryesisht u kushtohen jetës dhe veprimtarisë së mërgimtarëve shqiptarë në botë, por pa lënë anash as emisionet tjera për fëmijë, për kulturë, për art e letërsi, për trashëgiminë gojore të popullit tonë
Udhëheqësi i kësaj radioje, Imri Trena, tregon për vështirësitë për mbajtjen e një radioje të tillë, por është vullneti i tij që e bën të mos ndalet asnjëherë për të kontribuar sadopak për përmirësimin e jetës së rëndë të mërgimtarëve tanë. Qëllimi i parë dhe i fundit i tij është të kontribuojë që mërgimtarët, veçanërisht fëmijët dhe rinia, të mbahen në kontakt të vazhdueshëm me gjuhën, me këngën dhe përgjithësisht me kulturën shqipe, në mënyrë që ata t’i rezistojnë asimilimit kombëtar.

Të mbahet një radio e tillë është njëkohësisht privilegj dhe sakrificë. Sakrificë sepse për mbajtjen e radios duhet kontribuar edhe nga bugjeti familjarë, – thotë kryeredaktori Imri Trena.

“Zëri i Arbërit” ka një fond të pasur me material arkivor, veçanërisht me këngë shqipe. Në emisionet e saj nuk zë vend muzika tallava dhe kundërvlerat në art e kulturë, si ngjet me shumë medie elektronike shqipe në vend dhe në emigrim.
Kryeredaktori Trena tregon edhe për një bashkëpunim të mirë që ka radio e tij me Radio Tiranën, me Radio Prishtinën dhe me disa radio të tjera lokale në mërgatë. Bashkëpunëtorët e saj tashmë mbulojnë shumë vende të botës, duke përcjellë veprimtaritë e mërgimtarëve gjithandej.

Zëri shqip i “Zërit të Arbërit”, që vjen nga Norvegjia e largët, qoftë edhe në internet, është një zë i artikuluar drejt, një zë meritor, që meriton respekt dhe lëvdatë. Përgëzime për punën e palodhur dhe sukseset e duhura! Urime 17-vjetorin e veprimtarisë, Zë i Arbërit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Toni Kroos nuk është i gatshëm të largohet nga Real…