O’Connelli: Mungojnë rezultatet për luftimin e korrupsionit

21 dhjetor 2017 | 11:35

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell, ka thënë se Kosova nuk ka sfidë më të madhe se sa luftimi i korrupsionit sidomos atë të profilit të lartë.

“Korrupsioni shkatërron shtetin, parandalon zhvillimin ekonomik. Britania ka nevojë për një Kosovë të fortë dhe të zhvilluar. Kosovarët nuk janë më të korruptuar se të tjerët, mbaj mend një ushtar britanik se sa i impresionuar ishte, kur një qytetar ishte afruar t’ia kthejë pesë euro qe i kishin rënë. Korrupsioni nuk mund të shihet si një kulturë e brendshme. Kur krijohet kultura e pandëshkueshmërisë, krijohet problemi”, ka thënë ai.

O’Connelli këto komente i ka bërë në prezantimin e raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi lidhur me monitorimin e rasteve të korrupsionit. Ambasadori britanik ka theksuar se rezultatet e luftimit të korrupsionit në Kosovë janë duke munguar.

“Nëse ka raste ku ka gjykime e dënimet janë të buta, kjo tregon se nuk ka vullnet. Me keqardhje më duhet të them se rezultatet mungojnë. Nuk ka asnjë të dënuar të profilit të lartë. Kjo po ndikon në uljen e besimit në organet e drejtësisë. Kjo është sa e dëmshme aq edhe e rrezikshme”, ka thënë O’Connelli. KK

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar në Athinë takimi i komisioneve dypalëshe për varrezat…