OEK-u: Nevojë urgjente, markimi për produktet e ndërtimit

18 qershor 2018 | 14:49

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka ftuar kompanitë e produkteve të ndërtimit që të punojnë më tepër për posedim të markës CE për produktet e tyre. Sipas OEK-ut, markimi CE përmban disa informacione thelbësore rreth produktit dhe siguron një lidhje me dokumentet e tjera shtesë të cilat përmbajnë informacione të rëndësishme.

“Vlera e shtuar e markimit CE është që të gjitha vendet e BE-së duhet ta lejojnë shitjen e produkteve të ndërtimit që mbajnë markën CE. Kjo do të thotë se autoritetet publike nuk mund të kërkojnë ndonjë markë ose certifikatë shtesë e, po ashtu, jo më shumë testime shtesë. Prandaj kompanitë prodhuese ose distributorët e produkteve janë në gjendje ta tregtojnë produktin në çdo vend evropian me të njëjtin dokumentacion. Së bashku me deklaratën e preformancës, kjo do t’i ndihmojë klientët dhe përdoruesit përfundimtarë të kontrollojnë performancën e produktit dhe ta krahasojnë me produkte të tjera në të njëjtën qasje teknike. Kur prodhuesi vendos markën CE në një produkt, kjo do të thotë se kompania është duke siguruar që preformanca e produktit që po shitet është e njëjtë me atë që deklarohet. Pra, duke përdorur specifikimet teknike të duhura evropiane”, është theksuar në komunikatën e OEK-ut.

Po në komunikatë është theksuar se transpozimi i CPR-së 305/2011 është në fazën finale (aktualisht në lexim të dytë) dhe si e tillë gati ka kaluar të gjitha procedurat për miratim final nga Kuvendi i Kosovës.

“Megjithëse Kosova nuk ka trupa notifikuake meqenëse nuk është anëtare e BE-së, si lehtësim për produktet e ndërtimit kosovar, parashikohet të kemi trupa të emëruar për vlerësim të konformimtetit, të cilët do të emërohen nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Aktualisht ekzistojnë 11 laboratorë testues për materialet e ndërtimit të akredituar nga Drejtoria e Akreditimit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.

Markimi CE përmban disa informacione thelbësore rreth produktit dhe siguron një lidhje me dokumentet e tjera shtesë të cilat përmbajnë informacione të rëndësishme.

Pajisja me CE markë jo vetëm që konsiston në vendosjen e etiketës tek produkti, nga ana tjetër prodhuesit duhet të kryejnë shumë detyra për ta përfunduar procesin e shënjimit të markës CE.

“Prodhuesi ose përfaqësuesi i kompanisë është përgjegjës për vendosjen e markës CE. Vendosja e simbolit tё markës CE duhet të jetë në përputhje me direktivën 93/68/EC dhe të tregohet mbi produktet, paketimin ose dokumentin komercial shoqërues”, është theksuar në komunikatën e OEK-ut.

OEK-u ka njoftuar se përfitimet e kompanive janë të mëdha pas shënjimit të markës CE, duke ndikuar kështu në depërtim më të lehtë në tregjet e BE-së dhe përafrim me vlerat evropiane në fushën e sigurisë së produktit.

Oda Ekonomike e Kosovës ka apeluar tek bizneset vendore që ta kuptojnë rëndësinë e ndërkombëtarizimit të ndërmarrësisë vendore, në veçanti përmbushjen e normave dhe kritereve të kërkuara për prodhimet “Made in Kosova” me qëllim të shfrytëzimit të mundësive që ofron MSA-ja si dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare. “Përmirësimi i bilancit të pagesave është i një rëndësie strategjike për Kosovën, prandaj markimi dhe brendimi janë në funksion të arritjes së këtyre objektivave”, është thënë në komunikatën e OEK-ut.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Skenderajt ka shënuar të hënën 19-vjetorin e çlirimit.…