Opozita e ndarë për përfshirje në dialogun me Serbinë

25 shkurt 2018 | 12:13

Partitë opozitare kanë shprehur qëndrime të kundërta sa i përket mundësisë së përfshirjes së tyre në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përderisa LDK-ja ka shprehur gatishmëri për ta dhënë kontributin e vet në këtë proces, nga ana tjetër Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë se vazhdimi i dialogut është i panevojshëm, meqë Serbia ende e konsideron Kosovën pjesë të vet

Lidhja Demokratik e Kosovës (LDK) ka shprehur gatishmëri për ta dhënë kontributin e vet në dialogun me Serbinë.

Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se edhe ky proces pritet të mbyllet me një rol aktiv të kësaj partie, i cili do të qartësohet pas përfundimit të procesit të shumëpritur të liberalizimit të vizave.

“Nuk mund të ketë kurrfarë rezultati të pritur dhe përfundim të dialogut pa përfshirjen e të gjithë aktorëve kryesorë në Kosovë, që nënkupton edhe përfshirjen e opozitës. LDK-ja nuk është vetëm opozitë, por është parti historike e këtij vendi, e cila në çdo proces politik e ka pasur rolin e vet. Nuk mund të ketë proces në vend pa fjalën e LDK-së, pa pjesëmarrjen dhe qëndrimin e saj. Pa LDK-në në këtë vend nuk mund të vendoset asgjë. Kështu që, edhe ky proces pritet të mbyllet me një rol aktiv të LDK-së, i cili do të qartësohet pas përfundimit të procesit të shumëpritur të liberalizimit të vizave”, ka deklaruar Haziri.

Megjithatë, ai ka thënë se procesi i dialogut me Serbinë shumë shpejt duhet ta ketë një qartësi të plotë sa i përket agjendës dhe orarit.

Në këtë kontekst, Haziri ka shprehur optimizëm se ky proces së shpejti do të ketë një riformatim, një rishikim të agjendës dhe një orar më të saktë me tema më të qëndrueshme lidhur me përmbylljen e këtij procesi.

“Nuk ka të bëjë me gatishmëri. Nuk mund të vazhdojmë një proces të rëndë politik pa e pasur të qartë agjendën dhe orarin. Ne kemi sponsorizuar rezolutën e Kuvendit të Kosovës për negociatat me Serbinë dhe vazhdimi i këtij dialogu do ta ketë mbikëqyrjen parlamentare. Shumë shpejt dialogut me Serbinë do t’i vihet një qartësi. Do të ketë një riformatim, një rishikim të agjendës dhe një orar më të saktë me tema më të qëndrueshme lidhur me përmbylljen e këtij procesi. Nuk mund të flasim më për një vazhdimësi të këtij procesi pa orar, por për një mbyllje të procesit që pritet të ndodhë në Bruksel”, është shprehur Haziri.

Por, partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka lëvizur nga qëndrimi karshi dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë se vazhdimi i këtij dialogu është i panevojshëm përderisa Serbia e konsideron Kosovën ende pjesë të vet.

Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se kjo parti do të mund të ishte pjesë e këtij procesi dhe ta udhëhiqte atë vetëm kur Serbia e pranon Kosovën.

Ai ka thënë se sa i përket dialogut aktual Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që nuk do të marrë pjesë, por është kundër vazhdimit të tij.

Sipas Kurteshit, Kosova si shtet i pavarur nuk duhet të pranojë kurrfarë nënshtrimi nga Serbia.

“Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë, natyrisht, me një platformë të re, ku Serbia e njeh shtetin e Kosovës dhe i pranon të gjitha marrëveshjet e bazuara në reciprocitet. Kur të plotësohet ky kusht ne jemi të gatshëm ta udhëheqim dialogun me Serbinë. Në rrethana të tjera, qëndrimet tona janë të njohura. Pra, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të udhëheqë dialogun vetëm me kushtin që e përmenda më herët. Kurse në dialogun aktual jo që nuk marrim pjesë, por jemi kundër bisedimeve të Serbisë me një shtet, në këtë rast Kosovën, të cilën e konsideron krahinë të veten”, ka deklaruar Kurteshi.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reshjet e dëborës të nisura herët në mëngjes në Kukës…