Opozita kundërshton propozimin e presidentit Thaçi

05 Shkurt 15:52

Subjektet politike opozitare kanë kundërshtuar propozimin e presidenti Hashim Thaçi që i ka bërë sot Qeverisë për ndërtimin e një kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore.

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë thënë se në rrethanat në të cilat po kalon vendi, ndërtimi i një kompleksi të tillë është i përsyshem.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky propozim është absurd.

“Ndërtimi i një kompleksi rezidencial është ide dhe propozim sa absurd aq edhe i gërditshëm e sidomos në këto rrethana nëpër të cilat po kalon vendi dhe qytetarët”, ka shkruan Haxhiu në llogarinë e saj në “Facebook”.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në profilin e vet në “Facebook”, ka shkruar se Kosova ka nevojë për spitale më të mira dhe jo për godina shtetërore.

“Kosova nuk ka nevojë për komplekse rezidenciale e godina shtetërore. Kosova ka nevojë për spitale më të mira, shtretër e barna më shumë. Vizitoni pak spitalet shtetërore dhe shihni mjerimin aty. Kosova ka nevojë për arsim më cilësor, për dije më shumë. Ka nevojë për gjykata më të forta. Tek pasi t’i kemi përfunduar punët në shëndetësi, arsim e gjyqësi, tek atëherë mund të flasim për zyrat e politikanëve, të kolegëve të mi. Propozimi për komplekse të reja të institucioneve në këtë kohë është veçse naiv”, ka shkruar Abdixhiku.

Për nder të shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sot, kabinetit qeveritar i është adresuar presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i ka propozuar Qeverisë ndërtimin e kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore. Përveç kësaj, shefi i shtetit ka propozuar edhe ndërtimin e Muzeut të Pavarësisë dhe ndërtimin e Obeliskut të Lirisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Në një aksion të zhvilluar nga inspektorët e Divizionit të…