Pacolli: Presim që BE-ja ta përshpejtojë liberalizimin e vizave

18 prill 2018 | 14:21

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se publikimi i pakos së zgjerimit nga Komisioni Evropian të martën në Strasburg paraqet lajm të mirë për gjithë Ballkanin Perëndimor.

Pacolli ka thënë se dhënia e rekomandimit për hapjen e negociatave për Shqipërinë e Maqedoninë rritë shpresat që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të ardhme të garantuar në familjen evropiane.

Ministri Pacolli ka thënë se Kosova mirëpret vlerësimet e Komisionit Evropian, në veçanti vëmendjen e dhënë përshpejtimit të reformave që janë pjesë e Agjendës Evropiane të Reformave në muajt e fundit.

“Gjithashtu, është lajm i mire që Komisioni Evropian ka përshëndetur përpjekjet e pareshtura të institucioneve tona për përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave. Duke pasur parasysh që qytetarët tonë mbesin të vetmit në Evropë pa lëvizje të lirë, ne presim që institucionet e Bashkimit Evropian do të përshpejtojnë përpjekjet e tyre për të garantuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Kjo tani nuk është më një privilegj, por një e drejtë e munguar për qytetarët tonë”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se Kosova do t’i zbatojë reformat që dalin nga agjenda evropiane.

“Në rolin tim të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, mund t’i sigurojë qytetarët e Kosovës dhe partnerët evropian që ne do të kemi një fokus edhe më të shtuar në implementimin e reformave që dalin nga agjenda jonë evropiane. Në këtë mënyrë ne do të sigurojmë një progres më të shpejtë në rrugën tonë evropiane”, ka thënë Pacolli.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Të gjithë e dinë se çfarë mund të bëj në…