Pacolli shpreson që më 2020 Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës

18 janar 2018 | 19:06

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë qëndrimit në Strasburg është pritur në takim nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland.

Pacolli e ka njoftuar Jaglandin mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe ka prezantuar synimin për vazhdimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë dhe vlerësuar si të interesit të veçantë edhe atë të anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës.

“Gjatë vizitës time në Strasburg kisha një takim përmbajtjesor edhe me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, me të cilin bashkëbiseduam për çështje të interesit të përbashkët dhe paralelisht me këtë e njoftova për qëllimin tonë, që të anëtarësohemi në këtë Organizatë të rëndësishme për të Drejtat e Njeriut dhe për hapat, që ne si Kosovë dhe Ministri e Jashtme i kemi ndërmarrë për të arritur këtë qëllim”

“E kam thënë edhe në deklarimet e mia të mëhershme se duke marrë parasysh procedurat respektive, ne presim, që të bëhemi anëtari i 48-të i kësaj Organizate deri në vitin 2020”, ka thënë Pacolli.

Gjatë qëndrimit në Strasburg, Pacolli ka takuar edhe Ambasadorët e Përfaqësive të Përhershme nga shtetet mike dhe partnere të Kosovës, ku kishte siguruar mbështetjen për këtë qëllim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit të…