Pacolli: Do të jetë vit i rëndësishëm në historinë e Kosovës

03 Janar 16:00

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), njëherësh zëvendëskryeministër i parë, Behgjet Pacolli, ka thënë se është i pakënaqur me zhvillimet politike që kanë ndodhur gjatë këtyre dymbëdhjetë muajve.

Megjithatë, ai ka thënë se Qeveria Haradinaj po përpiqet ta zë kohën e humbur dhe, sipas tij, tashmë po shihen shenja përmirësimi në disa sektorë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Pacolli ka treguar se në këta tre muaj ka bërë rreth 100 mijë kilometra rrugë në kërkim të njohjeve të reja dhe të konsolidimit të marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë

“Epoka e re”: Z. Pacolli, cili është vlerësimi juaj për zhvillimet politike që e kanë karakterizuar vitin 2017?
Pacolli: Më vjen keq ta them, por nuk jam i kënaqur me to. A kemi përparim ekonomik të ndjeshëm? A kemi integrim ndërkombëtar më intensiv? A kemi zgjerim të hapësirës së lirive dhe të drejtave të njeriut? Kemi përparime në këta tre muajt e fundit, por tre muaj janë pak për të pasur përparime thelbësore në secilën prej këtyre fushave. Mos harroni, se kemi pasur dy palë zgjedhje. Për disa zgjedhjet janë kënaqësi, por e vërteta është se fushatat zgjedhore janë sport i vështirë dhe i domosdoshëm që, nëse zgjat shumë, ka efekte të dëmshme për funksionimin e qeverisë, për angazhimet ndërkombëtare, për vendimmarrjen ekonomike, për reformat legjislative, veçanërisht kur fushatat vazhdojnë edhe jashtë kohës ligjore të tyre. Qeveria Haradinaj po përpiqet ta kapë kohën e humbur dhe po shihen shenja përmirësimi, në disa sektorë. Preferoj të përgjigjem për këtë kur të kemi rezultate të prekshme.

“Epoka e re”: Sa jeni të kënaqur me bashkëqeverisjen PDK-AAK-Nisma-AKR dhe të tjerët?
Pacolli: Ne jetojmë në pluralizëm dhe koalicionet janë normale, pavarësisht prej numrit të aktorëve që i përbëjnë. Sigurisht disa lloj vallesh hidhen më mirë me pak valltarë, disa duan më shumë. Koalicioni i gjerë është një ushtrim i mirë demokracie, që kërkon pjekjen e vendimeve në një kohë më të gjatë, ndonëse situata në Kosovë, ajo ekonomike veçanërisht, kërkon shpesh vendimmarrje shumë të shpejtë. Ju e kuptoni se cila është preferenca ime.

“Epoka e re”: Duke e pasur parasysh gjendjen në Kosovë, pse nuk e keni kundërshtuar vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagës së tij dhe të zyrtarëve të tjerë qeveritarë?
Pacolli: Çdo qeveri ka disiplinën e vet të komunikimit dhe mos prisni të dalë në pazar çdo lloj diskutimi mes nesh. Mendoj se në thelb të polemikave si kjo është ritmi i zhvillimit ekonomik të vendit dhe mirëqenia e përgjithshme. Nëse ne do të rritemi shumë më shpejt ekonomikisht, polemika të tilla do të ishin të pafrytshme, sepse do të kishim rritje të rrogave për të gjithë. Kur shkojmë tek krahasimet me rajonin dhe më gjerë, duhet të keni parasysh se Kosova ka përqafuar sistemin euro që në fillim dhe kjo krijon pabarazi specifike në raport me vendet e tjera, ashtu si dhe disa lloje avantazhesh. Imagjinoni se ka vende anëtare të Bashkimit Evropian që ende ruajnë monedhat e tyre kombëtare në përpjekje për ta ruajtur mirëqenien e shtetasve të vet.

“Epoka e re”: Ky koalicion qeverisës do të mund ta përfundojë me sukses çështjen e demarkacionit me Malin e Zi në 12 muajt e ardhshëm?
Pacolli: 12 muaj? Më duket pak si shumë, sepse kemi humbur shumë kohë që t’ia lejojmë vetes të humbim edhe 12 muaj të vitit 2018. Unë besoj se e drejta ndërkombëtare, niveli i lartë i marrëdhënieve që kemi me fqinjët, do ta ofrojnë zgjidhjen më të mirë për këtë problem që po kushtëzon një të drejtë themelore, siç është ajo e lëvizjes së lirë të shtetasve të Kosovës.

“Epoka e re”: Për shkak të kësaj çështje Kosova vazhdon të mbetet e izoluar. Me ardhjen në qeveri ju keni premtuar se qytetarët e vendit shumë shpejt do të mund të lëvizin pa viza kur do të ndodhë kjo?
Pacolli: E kam të vështirë të parashikoj ngjarje të cilat nuk varen 100 % nga ne, nga Qeveria e Kosovës. Ne po bëjmë gjithçka që kjo të mundësohet sa më shpejt, sepse të gjithë po vuajnë nga ky handikap. Lëvizja e lirë për ne ka rëndësi themelore, jo thjesht si kontakt mes familjarëve në një shoqëri si e jona me diasporë të shumtë, por dhe si hapje ndaj zhvillimit, kulturës, arsimimit, sistemeve ekonomiko-shoqërore të përparuara. Më vjen keq se për shkak të kësaj mungese, familje të caktuara po vuajnë shumë, të sëmurët nuk po kurohen si duhet, të rinjtë nuk po e njohin Perëndimin, nuk po mund të arsimohen si duhet. Biznesi po humbet mundësi të arta. Gjithsesi detyrë e çdo qeverie është ta krijojë zhvillimin brenda territorit të vet dhe ne po punojmë shumë për këtë.

“Epoka e re”: Po gjatë këtij viti Kosova ka arritur t’i ketë vetëm dy njohje. Pse kaq pak njohje, dhe çfarë do të bëni që në 2018-n Kosova të fitojë më shumë njohje? Cila do të jetë strategjia për ta ndryshuar qëndrimin e pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës?
Pacolli: Çfarë do të bëj unë? Në këta tre muaj kam bërë rreth 100 mijë kilometra rrugë në kërkim të njohjeve të reja, të mbajtjes hapur të dyerve në të cilat kemi trokitur njëherë, të konsolidimit të marrëdhënieve me miqtë e vjetër dhe të rinj. Arritëm njohjen e Madagaskarit që ka vlerë simbolike. Besoj e ndaluam një proces fiktiv të ecjes mbrapsht të njohjeve në të cilën donte të na fuste Serbia. Duhet kuptuar njëherë e mirë diçka tjetër. Njohjet janë një çështje e komplikuar, që nuk mund të trajtohet numerikisht si në një bastore, apo si trajtohet në disa çajtore politike dhe mediatike. Është krejt e qartë se procesi i njohjeve është i ndërlidhur me procesin e bisedimeve të Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë. Ky proces pritet të përfundojë me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe, në një skenar si ky, njohjet kanë vlerë më të kufizuar. Anëtarësimi ynë në OKB do ta sjellë automatikisht dhe njohjen e Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Megjithatë, disa hapa janë bërë dhe në këtë drejtim miqtë e këtyre vendeve e kanë kuptuar se Kosova është një realitet shtetëror i pamohueshëm, me të cilin duhet të mbajnë marrëdhënie të gjithanshme. Brenda pak javësh do të hapet misioni ynë ndërlidhës në Greqi dhe menjëherë pas tij do të hapet ai në Sllovaki.

“Epoka e re”: Ka qenë i gabuar vendimi i Kosovës për tërheqjen nga aplikimi për anëtarësim në UNESCO dhe në Interpol? Cilat do të jenë prioritetet e MPJ-së për 2018-n?
Pacolli: Në një botë të ndërlidhur, të ndërvarur, një vend si Kosova duhet të bashkëpunojë me miqtë e vet, aq më tepër për integrimin në organizata ndërkombëtare. Ne nuk jemi tërhequr nga objektivat tanë. Thjesht, i kemi ndryshuar prioritetet e kësaj periudhe afatshkurtër, duke u fokusuar tek ajo që është më e rëndësishme dhe më e mundur. Europoli ka treguar vullnet për marrëdhënie prioritare me Kosovën. Ne jemi në bisedime intensive me miqtë për të ndryshuar status quon, për të pasur një rol proaktiv në integrimin tonë ndërkombëtar. Një është e sigurt, 2018-a do të jetë një vit i rëndësishëm në historinë e Kosovës. Do ta festojmë 10-vjetorin e pavarësisë dhe ky është një rast për bilanc, se çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë duhet të korrigjojmë. Do ta reformojmë shërbimin diplomatik, me ndërhyrje ligjore, me riorganizim, me promovim të të aftëve. Do të vendosim marrëdhënie diplomatike me shumicën e vendeve që na kanë njohur. Do të jemi aktivë me diplomacinë ekonomike. Do të jemi kreativë në diplomaci dhe shumë shpejt do të keni surpriza.

“Epoka e re”: Si ishte viti 2017 për Aleancën Kosova e Re (AKR)?
Pacolli: AKR-ja u konfirmua si parti e rëndësishme për skenën politike të Kosovës. AKR-ja me ekspertizën e saj, me burimet e saj kadrovike, u pranua nga të gjithë si domosdoshmëri për të gjithë krahët politikë. Ne kemi pasur një rol të rëndësishëm paqësues të kësaj skene politike, si parti liberale, e cila vendos mbi gjithçka interesin e Kosovës. AKR-ja ka rritur praninë në ekzekutiv dhe kësisoj qeverisja e Kosovës ka në programin dhe aksionin e vet mendimin dhe projektet tona për platformat agroushqimore, për zonat e lira, për sektorin minerar, për ruajtjen e mjedisit etj. AKR-ja u rrit elektoralisht edhe në pushtetin vendor, duke dëshmuar kësisoj se, pavarësisht prej garës së ashpër partiake, ajo ka qeverisur mirë dhe i duhet skenës politike të vendit. AKR-ja është bërë edhe një adresë e sigurt e miqve tanë perëndimorë për krizat e ndryshme të brendshme. Pse? Sepse AKR-ja ka autoritet, gëzon respekt, ka marrëdhënie të mira me të gjithë krahët e politikës dhe ruan të palëkundur boshtin properëndimor të orientimit të saj.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se…