Pajaziti: Qeveria nuk lëkundet

08 prill 2018 | 13:39

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, ka thënë se dalja e Listës Serbe në opozitë nuk do ta lëkundë Qeverinë aktuale.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Pajaziti ka vlerësuar se të gjitha subjektet politike shqiptare duhet të heqin dorë prej interesit të ngushtë dhe ta shikojnë interesin shtetëror. “Agjenda e shtetit të Kosovës duhet të vazhdojë të ecë përpara me këtë Qeveri, me këtë opozitë dhe me këto parti politike. Bile ky rast duhet të shërbejë për vetëdijesimin e Listës Serbe se e ardhmja e vendit tonë nuk do të ngecë dhe nuk do të varet nga tendenca e Beogradit për ta manipuluar agjendën e institucioneve të Kosovës përmes deputetëve që i ka në parlament”, ka thënë Pajaziti.

Ai ka deklaruar se Lista Serbe me veprimet e fundit po e defaktorizon veten. “Pavarësisht se çfarë ka në mendje Lista Serbe, mënyra se si ka vepruar kohët e fundit, jo që e ka fuqizuar veten deri aty sa të jetë faktor për ndryshimin e qeverive, por e ka dobësuar si kurrë më parë pozicionin e vet. Bile e ka komprometuar edhe rolin e vet, i cili do të duhej të ishte kyç në hapat e mëtejmë që kanë të bëjnë me asociacionin dhe disa vendime të tjera të institucioneve tona në proceset integruese. Pra, Lista Serbe po e degradon, po e dëmton dhe po e shfuqizon vetveten dhe rolin e vet në Kosovë”, është shprehur Pajaziti.

Deputeti i PDK-së ka mohuar mundësinë që vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja. Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve të reja nuk ofron zgjidhje. “Askush në Kosovë nuk e ndien veten komod që të hyjë tani në proces zgjedhor, aq më tepër qytetarët e Kosovës që vitin e kaluar kanë dalë në dy palë zgjedhje. Pra, askush nuk e pret një gjë të tillë”, ka thënë Pajaziti, duke shtuar se zgjedhjet e reja nuk i mbështesin as ndërkombëtarët. Megjithatë, Pajaziti ka pranuar se askush nuk mund t’u ikë procedurave demokratike. “Ne nuk mund t’u ikim procedurave demokratike që janë të parapara me ligj dhe Kushtetutë. Kushdo qofshin ata, nëse i përmbushin procedurat ligjore, ne nuk mund t’u ikim atyre. Në këtë rast edhe zgjedhjet nuk janë tabu. Të gjithë duhet të jemi të gatshëm të përballemi me diçka që është ligjore dhe kushtetuese. Mendoj se tani ne duhet t’i shikojmë interesat e vendit dhe të qytetarëve, të cilat na thonë se ne nuk duhet t’u ikim përgjegjësive tona”, ka thënë Pajaziti.

“Epoka e re”: Z. Pajaziti, pas daljes së Listës Serbe, Qeveria e Kosovës nuk e ka shumicën e nevojshme në Kuvend. Cili është qëndrimi i PDK-së ndaj kësaj situate?
Pajaziti: Nuk jemi në kohë edhe aq komode të vajtimit të numrave. Tani do të duhej të mos i vendosim në rend të parë qëllimet partiake, por interesat parësore të vendit. Mendoj se koalicionit qeverisës do t’i duhet një kohë tjetër e vlerësimit të punës, përpos vlerësimeve të përhershme që duhet t’i bëhen nga Kuvendi dhe qytetarët. Tani është koha t’i parandalojmë të gjitha përpjekjet e mbrapshta të tjerëve, duke përfshirë këtu edhe Listën Serbe, në proceset e rëndësishëm nëpër të cilin po kalon Kosova që ka të bëjë me integrimin e vendit tonë dhe zbatimin e disa kritereve për ecje përpara. Më shumë se sa numrat në Kuvend, tani është e rëndësishme që i gjithë spektri politik, pozitë dhe opozitë, të fokusohen seriozisht në sfidat e ardhshme, në një moment tjetër pastaj të trajtohet edhe performanca e Qeverisë dhe ecja përpara.

 “Epoka e re”: Po mendoni se Lista Serbe me këto veprime po tenton të bëjë obstruksione në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane?
Pajaziti: Pavarësisht se çfarë ka në mendje Lista Serbe, mënyra se si ka vepruar kohët e fundit jo që e ka fuqizuar veten deri aty sa të jetë faktor për ndryshimin e qeverive, por e ka dobësuar si kurrë më parë pozicionin e vet. Bile e ka komprometuar edhe rolin e vet i cili do të duhej të ishte kyç në hapat e mëtejmë që kanë të bëjnë me asociacionin dhe disa vendime të tjera të institucioneve tona në proceset integruese. Pra, Lista Serbe po e degradon, po e dëmton dhe po e shfuqizon vetveten dhe rolin e vet në Kosovë.

“Epoka e re”: Dalja e këtij subjekti politik në opozitë, do ta lëkundë Qeverinë?
Pajaziti: Besoj se tani i gjithë spektri politik në Kosovë është i vetëdijshëm se çfarëdo lloj qeverie të ishte do të duhej të përballej me sfidat që janë para nesh. Askush në Kosovë nuk e ndien veten komod që të hyjë tani në proces zgjedhor, aq më tepër qytetarët e Kosovës që vitin e kaluar kanë dalë në dy palë zgjedhje. Pra, askush nuk e pret një gjë të tillë. Lista Serbe, pavarësisht prej qëndrimit të vet, do të detyrohet të kthehet në agjendën e cila, në radhë të parë, është në interes të qytetarëve serbë. Ata nuk mund të determinojnë kahun e jetës politike në Kosovë. Orientimi ynë është ai që presin partnerët tanë dhe BE-ja. Pra, të merremi me përmbushjen e kriterit të fundit që ka të bëjë me liberalizim të vizave dhe me proceset e tjera integruese.

“Epoka e re”: Largimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, sa mund të ndikojë në kthimin e Listës Serbe në Qeveri, sepse largimi i Sefajt ka qenë edhe kërkesë e këtij subjekti politik pas ngjarjeve në veri?
Pajaziti: Tani dua të bëj një analogji me ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Pavarësisht se si rrodhën situatat dhe çfarë u mor si rrethanë lehtësuese për t’u arritur një pajtim më i gjerë, në fund u bë mirë që ishin votat e nevojshme për ratifikimin e kësaj marrëveshje. Edhe në rastin e Listës Serbe, çfarëdo që ata të marrin si arsye që të kthehen në Qeveri, nuk është fare e rëndësishme. E rëndësishme është që ata të kthehen dhe t’i marrin përgjegjësitë që ua kanë dhënë qytetarët serbë të Kosovës dhe jo të marrin përgjegjësi të cilat ua jep Beogradi për interesa të ngushta politike.

“Epoka e re”: Sa duhet të pritet Lista Serb që të kthehet në Qeveri?
Pajaziti: Agjenda e shtetit të Kosovës duhet të vazhdojë të ecë përpara me këtë Qeveri, me këtë opozitë dhe me këto parti politike. Bile ky rast duhet të shërbejë për vetëdijesimin e Listës Serbe se e ardhmja e vendit tonë nuk do të ngecë dhe nuk do të varet nga tendenca e Beogradit për të manipuluar me agjendën e institucioneve të Kosovës përmes deputetëve që i ka në Kuvend.

“Epoka e re”: Ju e mohuat mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja, mirëpo LDK-ja vazhdimisht po kërkon zgjedhje të reja duke përmendur edhe mundësinë e një mocioni ndaj Qeverisë?
Pajaziti: Ne nuk mund t’u ikim procedurave demokratike që janë të parapara me ligj dhe Kushtetutë. Kushdo qofshin ata, nëse i përmbushin procedurat ligjore, ne nuk mund t’u ikim atyre. Në këtë rast edhe zgjedhjet nuk janë tabu. Të gjithë duhet të jemi të gatshëm që të përballemi me diçka që është ligjore dhe kushtetuese. Mendoj se tani duhet t’i shikojmë interesat e vendit dhe të qytetarëve, të cilat na thonë se ne nuk duhet t’u ikim përgjegjësive tona. Në këtë rast, do të duhej të kemi pjesëmarrje më aktive edhe të opozitës në proceset e rëndësishme për vendin, siç është dialogu me Serbinë dhe proceset e tjera që na presin. Tani për tani as partnerët tanë nuk i mirëpresin zgjedhjet e reja dhe nuk mendoj se ato mund të ofrojnë zgjidhje, apo një spektër tjetër politik i cili do t’u jepte një përgjigje tjetër këtyre sfidave që i kemi përpara.

“Epoka e re”: Meqenëse zgjedhjet nuk qenkan zgjidhje dhe tani Qeveria nuk e ka shumicën, keni menduar për ndonjë zgjerim të koalicionit qeverisës?
Pajaziti: Jo. PDK-ja nuk ka diskutuar për diçka të tillë. Për neve është shumë me rëndësi që synimet programore t’i çojmë përpara dhe ta realizojmë agjendën evropiane, sepse në këtë agjendë përfshihen disa çështje që janë të rëndësishme e të cilat kanë të bëjnë me fuqizimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe me formimin e ushtrisë. Ne nuk kemi pasur ndonjë diskutim të veçantë për çështje të riformatimit të Qeverisë. Është në dorën e kryeministrit, në bashkëpunim me partnerët e koalicionit, që brenda këtij koalicioni ta bëjë më të mirën e mundshme, në mënyrë që të përballemi me këtë agjendë e cila nuk është e aspak e lehtë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA Marrëveshje historike apo përpjekje histerike:…