Partneriteti ndërkombëtar dhe gjykata

12 janar 2018 | 14:28

Nga: Ilir GASHI

Po filloj me një thënie: “E mira dhe e keqja janë prodhim i mendjes sonë. Dëshira pozitive është njerëzore t’ i realizojmë, por dëshira për të ngrënë nuk guxon të plotësohet duke vrarë njeriun që në dorë mban copën e bukës”

Mbi partneritetin ndërkombëtar dhe Gjykatën Speciale në kontekstin e ideve dhe paragjykimeve të frikshme! Politikbërja, është komplekse! Idetë e zhvilluara dhe konkluzionet determinohen nga zhvillimet e mëdha, të cilat kërkojnë proaktivitet dhe qasje direkte në zhvillimet e brendshme dhe globale.

Është vështirë që në kohë reale të jesh edhe transparent aktiv, edhe të keni vendime të duhura për të prodhuar konsensus, por kjo nuk do të thotë se nuk është e mundur. Ngjarjet që po ndodhin sot në shoqërinë tonë, kërkojnë transparencë deri në atë masë sa nuk e rrezikojnë vendimmarrjen.

Ajo se çka nënkuptohet me zhvillimet të brendshme që mund të ndikojnë edhe në ato globale, apo se kush është konsumatori dhe kush është kontribuuesi i tyre, varet nga shoqëria se si ajo i paragjykon zhvillimet.

Varet se sa jemi duke prodhuar siguri shoqërore dhe nacionale, apo si pasoj e mos gatishmërisë ose mos funksionimit të mekanizmave bëhemi detyrueshëm konsumues dhe më pak kontribuues aktiv, si të vlerave kombëtare dhe si të atyre universale. Ky konstatim, duhet të shihet në rrafshin edhe të brendshëm e, edhe të jashtëm – jo vetëm partiak por edhe shtetëror dhe jo vetëm!

Gjykata Speciale ka ndodhur, ajo është ndërtuar e aprovuar nga deputetet e Kuvendit të Kosovës! Kam pasur rastin që të jem pjesë e shumë takimeve të brendshme me faktorin ndërkombëtar.

Është dashur të jemi proaktiv dhe pragmatist drejt vendimmarrjes dhe si rezultat, të prodhojmë partneritet edhe më të fuqishëm ndërkombëtar dhe të realizohen premtimet drejt integrimeve evropiane. Në kontekstin historik të zhvillimeve, fatkeqësisht ka pasur regres, i cili ka prodhuar mosbesim qytetar ndaj lojalitetit të lidershipit, karshi faktorit ndërkombëtar.

Për pasojë, patëm rritje enorme të një organizate politike e cila, ishte apriori kundër secilës iniciativë ndërkombëtare karshi Kosovës dhe, proceseve të saj. Si goditje ndaj lojaliteti, miqtë ndërkombëtarë përkundër të gjitha kundërshtive, prapë u gjetën në gjirin e këshillave me këtë organizatë! Ata thonë: këdo që e mbështet populli, ne do të bashkëpunojmë! Atëherë shtrohet dilema se, a është ky një mesazh i keq për lojalet, sepse nëse populli po e mbështetë një organizatë që bënë gjithçka kundër ndërkombëtarëve, a do të thotë kjo se për të fituar duhet të sillemi njëjtë?

Lojë e gabuar e disa miqve ndërkombëtarë! Lidershipi kosovar, bartësit e luftës dhe të paqes, me të drejtë mund të ndihen të “tradhtuar” nga lojaliteti i tyre me miqtë dhe për pasojë, kohëve të fundit kemi një qasje të re në raportet mes tyre.

Miqtë tanë ndërkombëtarë, duhet të kenë të qartë një fakt se, lojaliteti është afatshkurtër dhe mundë të sjell pasoja afatgjata për të ardhmen jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Vetëm partneriteti, mund të jetë afatgjatë dhe stabilizues i vendit dhe rajonit. Asnjë popull, nuk e pranon lojalitetin e skajshëm. Madje edhe në luftë, popujt hynë vetëm që mos t’i nënshtrohen lojalitetit!

Ne, me asnjë çmim nuk duhet që t’i zhgënjejmë partnerët – aleatët ndërkombëtar në krye me SHBA-të që kanë bërë aq shumë për ne, por një gjë duhet të u themi: përkundër premtimeve, asnjë progres nuk është bërë që nga themelimi i Gjykatës, madje ka pasur regres.

Gjykata Speciale, është tragjedi jona kombëtare, sepse po dënohet lufta një shekullore për liri dhe pavarësi. Të thuash se po dënohen individ është hipokrizi, kur dihet se tërësia përbehet prej pjesëve. Kjo, ka mundur të ndodhë më ndryshe dhe për të gjithë. Dyshoj që jeni përpara një momenti që me rrjedhën e tij, e shlyen historinë, duke e shndërruar në eksperiment realitetin e ngritjes së një shteti pa identitet. Kjo, mendoj që po vjen në pah s’i pasojë e zhvillimeve globale dhe raportit të forcave me ndikim.

Pse? Ndikimi i Rusisë është i pashmangshëm në krejt këtë histori. Fatkeqësisht, kësaj po i gëzohen deri në ekstazë një shtresë e shoqërisë civile dhe politike: e para, për shkak të kontekstit historik dhe e dyta, për shkak të kontekstit politik. Kjo e dyta, jo nga dëshira e madhe që të dënohen çlirimtaret për akuzat e pretenduara, por nga dëshira e mundësisë së eliminimit politik të kundërshtarit për arsye politike dhe të përfitimit për pushtet.

Ajo se çfarë kemi parë në dhjetorë, shpërfaqi jo gatishmërinë e iniciuesve që ta shtyjnë deri në fund synimin e tyre, dhe ekzaltimin e frikshëm të kundërshtarëve të brendshëm që kjo do të ndodhë…!

Ne, duhet të dimë se gishtat janë përzier dhe assesi nuk duhet lejuar që segmente të caktuara serbe dhe ruse të instaluara në Kosovë për manipulim të masave dhe të opinionit, e ku si qëllim kryesorë kanë prolongimin e proceseve në emër të patriotizmit fiktiv, të vijnë në shprehje dhe të shkaktojnë mos besim në luftën çlirimtare apo të bartësve të saj. Të gjithë, bartësit e luftës dhe të paqes duhet të jenë më të kujdesshëm në veprimet e tyre, më të matur në qëndrimet e tyre dhe më konsistent në idetë e tyre. Ata, duke qenë të vendosur që të kalohet nga lojaliteti në partneritet me faktorin ndërkombëtar dhe duke qenë të gatshëm që të bëjnë vettingun si domosdoshmëri për të hedhur dritë mbi secilin, ama mbi secilin pavarësisht se cilit segment i takon apo se çfarë të kaluar ka, i bëjnë favor pozitiv – afatgjatë shteti të Kosovës.

Shoqëria, nuk guxon assesi që të lejojë që opinioni ynë publik të ndërtohet përmes jo transparencës dhe nën rrogoz, nga ata që përmes parasë së zezë dhe të qenurit brenda kupolës e shantazhojnë dhe sabotojnë hapur e fshehtë perspektivën e Republikës së Kosovës. Peshën dhe të ardhmen e këtij shteti, e mbajnë dhe do ta mbajnë ata që kanë dhënë çdo gjë për lindjen dhe rritën e tij. Gabohen, të gjithë ata që e mendojnë, besojnë dhe e bëjnë të kundërtën.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kartoni i mbrojtësit të Kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj u…