PDK e Kamenicës reagon ashpër pas vendimit që Nushi të emërohet shef i kabinetit të kryetarit

17 maj 2018 | 21:59

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Kamenicë, ka reaguar ashpër ndaj emërimit të Nol Nushit, asamblist në Komunën e Prishtinës, si shef të kabinetit të kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Kjo parti e ka vlerësuar si fyerje ndaj qytetarëve, të rinjve të shkolluar e mirë edukuar të Kamenicës këtë vendim.

Nol Nushi fillimisht është zgjedhur asamblist në Komunën e Prishtinës nga radhët e Vetëvendosjes, por pas çarjes së madhe të kësaj partie është bërë pjesë e grupit të të largurve bashkë me Qëndron Kastratin, Shpend Ahmetin e të tjerët.

Reagimi i PDK-së:

Ne, nuk kemi asgjë kundër personit në fjalë të emëruar në këtë pozitë, i cili njëkohësisht është edhe asamblist në Komunën e Prishtinës, por konsiderojmë se ky vendim konfirmon mos vlerësimin e kryetarit të Komunës për qindra-mijëra qytetarë të mirë shkolluar të Komunës së Kamenicës.

Dega e PDK-së në Kamenicë, konsideron se emërimi në pozita të larta në Komunën tonë, i njerëzve që nuk e njohin fare qytetin, është tregues i qartë se qeverisja aktuale nuk e ka aspak prioritet zgjidhjen e problemeve në Komunë, por vetëm rehatimin e dostave dhe militantëve ngado që ata vijnë.

Një Komunë me shumë potenciale, siç është Kamenica jonë, nuk mund të zhvillohet nën udhëheqjen e një kryetari që po ashtu nuk i njeh rrugët, lagjet dhe fshatrat e Komunës së Kamenicës.

Komuna e Kamenicës nuk duhet të jetë strehë e projekteve të përkohshme politike të dala nga projekte të rrezikshme politike, siç e kanë thënë edhe vet kolegët e kryetarit aktual të Kamenicës.

Qytetarët e Kamenicës e kanë kuptuar tashmë mashtrimin e madh që u është bërë nga Partia Vetëvendosje. Kjo u pa sidomos nga reagimi që qytetarët shprehën për këtë vendim të fundit të kryetarit të Komunës.

PDK fton kryetarin e Komunës që të ndalë veprimet fyese ndaj qytetarëve të Kamenicës dhe të reflektoj seriozitet në punën e tij. Nëse edhe më tutje e tregon këtë qasje fyese dhe këtë mospunë, ne e ftojmë kryetarin e Komunës që ta lirojë detyrën dhe të kthehet nga ku ka ardhur, në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate,…