>

Për kë ka drojë RAGIP SYLAJ?

01 nëntor 13:21

Për kë ka drojë autori i këtij libri? Për njeriun i cili po rrëshqet drejt (vet)asgjësimit; për artin i cili takohet herë me errësirën e herë me ngritjet e mjegullta; për njeriun që e dashuron, apo mos ka drojë për vetveten dhe atdheun, ku i këndon në disa letra… Ragip Sylaj me këtë libër është munduar dhe ka arritur të bëjë diçka që s’e ka bërë dikush tjetër më parë, duke na sjell një libër si një trup të vetëm, i cili s’ka asgjë mangët, as s’ka gjë të tepërt.
Libri “Kam drojë për ty” hapet me poezinë prelud “Letër Ragip Sylajt në Sllapuzhan”, një poezi e thellë filozofike-reale, e cila është “rritur” në vendlindjen e autorit, në të cilën poezi shfaqet beteja herë dinamike dhe herë statike e jetës së dy personave (realë) si një thikë e vetme me dy presa të ndryshme. Historia e kësaj poezie është sa e çuditshme dhe reale, po aq interesante dhe artistikisht e papërsëritshme. Në njërën anë përballet me jetën-botën e artit, në anën tjetër të “tehut” është bota e njeriut të thjeshtë, po që brengat dhe sfidat e jetës janë brenga dhe sfida pa marrë parasysh ngritjen intelektuale dhe vendin ku jeton:

“Njëri mund t’jemi yll n’orbitën e vet
Tjetri vetëm ishull që pranverën pret” (f. 9).

Te cikli “Iluminim” e kemi poezinë antologjike “Si shkruhet libri i pamundësisë”, ku pas kësaj poezie të gjatë vijnë edhe gjashtë poezi të tjera, të po të njëjtit rang. Te poezia e parë autori shkruan:

“Përditë orvatem ta shkruaj librin e pamundësisë
Herë duke u përmbysur përbrenda vetes
Herë duke dalë tejpërtej
Herë duke folur me veten
Herë me të urtit e heshtur që rrinë në vitrinë” (f. 13).

Autori edhe këtu, si në tërë krijimtarinë e vet, mbi dyzetvjeçare, kërkon ta bëjë të pamundurën në art, t’i zbulojë të fshehtat e fjalëve, magjinë e tyre, që ne si lexues të kemi çfarë të lexojmë dhe interpretojmë dhe shijojmë atë që e ka “pjellë” autori.
Në pjesën më të madhe të kësaj përmbledhje me poezi duket sikur mbretëron ajo shkalla melankolike universale e njeriut dhe, nëse futemi thellë në jetën e secilës poezi dhe jetën e vet autorit, gjejmë një humor (përherë që ka kaluar nëpër shtigje gëzimesh, pikëllimi, vuajtjeje e sakrificash të pafundme) të këndshëm të një shkalle të lartë, mbështjellë përherë me alegori. Në këtë rast – lloj poezie – lexuesit me të njëjtën poezi mund t’i dalin lotët, siç edhe mund të nënqeshë, buzëqeshë e qeshet me zemër…
Të ndalemi te secila poezi na duhet një det me fjalë për t’u munduar të themi diçka dhe e them me plot sinqeritet, ndoshta, as s’mund t’i afrohemi një interpretimi të duhur dhe të denjë.
Ragip Sylaj (Sllapuzhan, 1959) në poezinë “Si shkruhet libri i pamundësisë”, të shkruar më 22 shkurt 2010, thotë:

“Kam dashur të bëhem urë e kujtesës
Prej kohës që shkon në kohën që vjen” (f. 15).

I tillë është Ragip Sylaj, një urë e rrallë të cilën nuk mund ta gjejmë mbi “lumenjtë” e shumtë që ekzistojnë, aty ku arti tenton dhe mundohet të jetë art sublim…
Te poezia “Si të shkojë në veri” autori shkruan duke u kthyer në retrospektivë.

“Me Jakup Cerajën shpesh kemi bredhur përtej Ibrit
Pa e ditur se paskëshim qenë në veri” (f. 30).

Në këtë rast e kaluara ndeshët me të tashmen ku pothuajse s’njihen, edhe pse koha ka rrjedhë rrëmbyeshëm përderisa hapësira gjeografike është e “njëjtë”?
Cikli i dytë është “Fundi i ankthit”, i treti “Pëlcitje zbrazëtie” dhe i fundit “Kryehimn”.
Pjesa më e madhe e poezive të Ragip Sylajt, si në këtë libër e si në librat e mëparshëm, janë vlerësuar si brenda, po ashtu edhe jashtë vendit dhe mund të themi “pa drojë” se është një libër me poezi vërtet antologjike. Libër i cili është shkruar me kujdes, njohuri të lartë artistike-krijuese e, para së gjithash, me dashuri e pasion prej krijuesi.
Thamë më lart se ky libër hapet me poezinë ku i shkruan një emnaku, ndërsa si përmbyllje na e jep poezinë me titull “Në kërkim të vetes”, ku si nëntitull mbanë “N’zanafillë t’autobiografisë (f. 99).
Personalisht, duke e dashur shumë poezinë në përgjithësi, në veçanti këtë libër, nuk do të hezitoja ta jap më poshtë të plotë poezinë përmbyllëse të kësaj përmbledhje.

NË KËRKIM TË VETES
(N’zanafillë t’autobiografisë)
Ky që jam
Minus 55 vjet jetë
Unë që isha
Hiq trishtimin që kam
Ai që desha të jem
Pa zhgënjimin njerëzor
Ky që kam dashur të jem
Zbrit terrorin shekullor
Qenia që qeshë
Pa numëruar pikëllimin që e vjel çdo ditë
Unë që do të kem qenë
Mangët mashtrimit që e mjelë çdo vit
Ky që jam tash për tash
Pa llogaritur mosdashurinë e bollshme
Ai që jam në të ardhmen e përparme
Pa llogaritur urrejtjen e kobshme
Më kthejnë në parajetë
Më kthejnë në parabolë –
Në një tjetër të vërtetë
Që sillet përherë si rrotë
Por pa to si mund të isha rs
Pa to si mund të gjallohet n’ks
Ndaj një mëdyshje në mendje e kam
Në jam ai që isha
N’u bëra ai që s’jam
(23 qershor 2014)

… Që lexuesit, të cilët nuk e kanë në duar librin “Kam drojë për ty”, ta lexojnë dhe vlerësojnë vetë ritmin, fjalët dhe vlerën e kësaj poezie, këtij libri, si dhe vlerën e vet autorit i cili, çuditërisht, i zotëron dhe krijon me mjeshtri jo vetëm poezinë, por edhe tregimin, dramën, kritikën, esenë, poezinë për fëmijë, romanin (kur them romanin e kam fjalën për librin “Obsesioni”, të cilin libër mund ta lexojmë edhe si libër me tregime, por edhe si roman, pasi të gjitha tregimet shkrihen në një shpirt dhe na japin shpirtin e një romani interesant…)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Është ndarë nga jeta sot pasdite, në moshën 88-vjeçare regjisori…