PËR NJË MARRËVESHJE TË ARRITUR, IMPROVIZIME TË LODHTA!

08 prill 2018 | 13:32

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Marrëveshje historike apo përpjekje histerike: Kohët e fundit po qarkullon një ofertë apo premtim, kryesisht nga presidenti Hashim Thaçi, për një “marrëveshje historike” me Serbinë, pas së cilës, kur ajo të nënshkruhet dhe ta marrë formën e detyrimit për palët, Kosova dhe Serbia do ta njohin njëra-tjetrën dhe, në këtë mënyrë, do të përmbyllej konflikti apo mosmarrëveshja e madhe historike midis serbëve dhe shqiptarëve. Ky farë premtimi nuk është asgjë tjetër përveç një mashtrim i radhës i atyre që udhëhoqën deri më tani bisedimet “teknike” midis Beogradit dhe Prishtinës, me lehtësimin jashtëzakonisht shtrëngues dhe dhunues thuaja vetëm për Kosovën, së pari të Baroneshës Ashton e tash të Federica Mogherinit.

Ne kishim vetëm dy “negociatorë”, njëra teknike, mashtruesja Edita Tahiri dhe tjetri “politik”, improvizuesi Thaçi që, përkthyer në shqip, i bie të jetë Edita Tahiri i gjinisë mashkullore!. Ekipet përcjellëse të Tahirit ishin kryesisht familjarë të Edita Tahirit, kurse ekipi i Thaçit përbëhej kryesisht nga puthadorë dhe puthakëmbë të Thaçit apo llaskuçë dhe pakurrizorë profesionistë. Alfa dhe omega i këtyre “ekspertëve” për bisedime ishte Çollaku, një konformist karrierist dhe shëtitës postesh. Një kohë ishte “kryenegociator” Isa Mustafa, si kryeministër dhe i tërë përfitimi i tij ishin honorarët për takime, dalja në fotografi me Mogerinin për album jetësor apo ndonjë kontroll mjekësore, pasi që ishte trajtuar më parë në Bruksel.

Të gjithë jemi dëshmitarë se bëhej be dhe rrëfe se me Serbinë nuk do të kishte bisedime politike, pa e njohur pavarësinë e Kosovës, kush ka qenë budalla ka besuar, kurse ne që nuk kemi besuar jemi shpallur antiamerikanë dhe antievropianë sikur edhe kundërshtarë të ecjes së Kosovës drejt proceseve integruese apo, nëse u referohemi mashtruesve dhe rrenacakëve ordinerë, integrimit në NATO, BE, liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në shoqatën e dilberëve të Jakovës dhe sofrës pejane të jaranëve. Në bisedime kanë shkuar sikur kur ne shkonim në orën e gjuhës serbe në shkollën e mesme e që ishte fakultative (jodetyruese) apo nxënësit dhe studentët e sistemit paralel arsimor të viteve 1990-1998 e që tërë kapitalin për mësimnxënie e kishin një fletore apo edhe pa asgjë, kur dolën analfabetë serialë të cilët pastaj, në Universitetin e Prishtinës, u pajisën me tituj akademikë, me punime shkencore, si: kallashnikov, ministër apo deputetë, komandant i zonës operative të Leshit, futja e beretës italiane apo Sig Sauerit në vesh të profesorëve jobashkëpunues për ta dëgjuar muzikën e kalibrit 9 mm ose, edhe më të madh, të Magnumit, të botuara në të gjitha revistat shkencore të universiteteve të Al Kapones, Pablo Eskobarit, Fidel Kastros, Homeinit dhe shkencëtarëve dhe kontribuuesve të tjerë në përhapjen e arsimit, për të mirën e njerëzimit.

Për Edita Tahirin kanë qenë me rëndësi butikët e Brukselit, kurse për Hashim Thaçin puthja me Ashtonkën, Mogerinin, përqafimi i përzemërt me Daçiqin, Nikoliqin e sidomos me Aleksandër Vuçiqin. Si inspirim për këtë mundim aq të madh për kombin dhe Kosovën i ka shërbyer interesimi i njëanshëm (politikisht unilateral) ndaj përkthyeses sharmante të Ivica Daçiqit që, të jemi të sinqertë, është bingo pas përqafimit me Ketrin Ashtonin apo Federica Mogherinin. E keni parë ekipin përcjellës të dy kryenegociatorëve legjendarë për bisedime “teknike me Serbinë”, ose kanë mbajtur çanta, çadra, pallto apo ndonjë kondom rezervë në xhepat e tyre.

Kurrë nuk ka pasur asnjë paraqitje publike për “rezultatet” në këto bisedime dhe janë mbuluar me faktin se e kanë të ndaluar deklarimin dhe se për këtë janë përgjegjës “lehtësuesit”, në ndërkohë që Serbia, në kohën kur po bisedohej për normalizimin e marrëdhënieve, e pengonte Kosovën për t’u anëtarësuar edhe në Shoqatën e Gjuetarëve sikur edhe në Korporatën për Tredhje të Mizave si institucione jashtëzakonisht të rëndësishme për perspektivën evropiane të Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare nuk merrej fare me Serbinë përveçse i vardisej për liberalizim të vizave dhe procese të tjera integruese, kurse nga Kosova kërkonte ta bëjë demarkacionin e kufirit me Maqedoninë (ku humbi territor) sikur edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi ku gjithashtu humbi territor (ndoshta jo 8200 hektarë) sikur edhe ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në Kolumbi, Guatemalë, Singapor dhe Tanzani.

Të gjitha i pranuan negociatorët tanë legjendarë. Në historinë e luftërave dhe përpjekjeve për ndërtimin e paqes përmes bisedimeve, nuk mund ta gjeni asnjë rast sikur ky i Kosovës kur negociatorët analfabetë dhe lakmitarë, shtetin që ka bërë aq shumë krime në Kosovë, që i ka bërë njëqindmijë të zeza dhe që vazhdon të bëjë shumë të këqija edhe sot dhe i cili haptas deklaron se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, e ka bërë partner përcaktues për çështje të brendshme të Kosovës dhe të cilat nuk do t’i pranonte as shteti i cilësuar si Banana Republikë. Nuk mund të gjeni vend sikur Kosova që shteti që ka kryer gjenocid në Kosovë dhe i cili e mban të okupuar 30 % të territorit të trajtohet në këtë mënyrë, siç po trajtohet Serbia.

Serbia i ka organizuar zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme në Kosovë, ka ndërtuar, financon dhe i mirëmban strukturat paralele në të gjitha sferat e jetës, kurse ju paloseni para saj sikur vejushat e Gostivarit. Nuk ka logjikë që t’i krijoni aq shumë favore Serbisë apo që të pranoni aq shumë lëshime edhe kur kjo nuk kërkohet nga ju. I kemi dy skajshmëri: e para, pala kosovare në këto negociata ishte shumë inferiore, e dorëzuar fare. Kurse, e dyta opozita kosovare, e lodhtë deri në rraskapitje, duke i hedhur goglat në tavolinë sikur ta kishte përkrahjen 100 % të Kinës, materiale, ushtarake dhe logjistike i refuzon bisedimet apo shtron aso kërkesa që për qëllim e kanë refuzimin e bisedimeve përmes bisedimeve.

Dhe pastaj e kritikon pozitën për dorëzim para Serbisë. Krejtësisht kemi qenë të papërgatitur për bisedime duke mos e pasur të qartë as qëllimin final dhe duke e vendosur injorancën personale, të shoqëruar me përfitime personale politike dhe materiale, para interesit të përgjithshëm, kombëtar dhe shtetëror. Të padijshmit dhe mashtruesit nuk mund të jenë as kombëtarë e as shtetformues e lëre më ndërtues të paqes. Të tillë ishin dhe janë negociatorët tanë legjendarë!Formula, diçka jep e diçka merr te ne interpretohet si vetëm jep dhe asgjë nuk merr. Po e shohim se Serbia, përveçse po i pengon njohjet e reja, po i bind dhe po i detyron disa shtete, nga ish-Lëvizja e të painkuadruarve, që njohjet e zyrtarizuara tani t’i tërheqin.Kungji kryesor, thënë shqip apo strumbullari i bisedimeve (me gjuhë intelektuale, shihe ti, intelektuale!!!) është presidenti post-historik, Lartmadhëria e Tij , Hashim Thaçi i Parë, i cili e ka privatizuar 100 % procesin e negociatave.

Tash po flet për një marrëveshje historike, pasi ia kanë botuar biografinë në librin: “New state, new statemen – A Pornography” duke shpresuar se do të bëhet pjesë e historisë dhe, së bashku me Vuçiqin, do ta fitojnë Çmimin Nobel për Paqe, sikur Perez me Arafatin. Jam i bindur se një marrëveshje me Vuçiqin është arritur dhe tani vetëm po punohet se si të ambalazhohet në mënyrë që të menaxhohet opinioni duke deklaruar se e kemi arritur maksimumin e së mundshmes dhe se miqtë ndërkombëtarë na kanë sugjeruar ta bëjmë këtë. Edhe budallai e ka të qartë se në një proces të bisedimeve, asnjëra palë nuk e fiton maksimumin, ndryshe pse do të duhej të bisedohej?! Edhe këtu Serbia po del të jetë fituese absolute, nga humbës 100 %, çka të fitojë është fitore për të. Me Asociacionin po luhet lojë e ndyrë, derisa shqiptarët e cilësojnë si Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe, serbët e Kosovës dhe Serbia e cilëson si Asociacion i Komunave Serbe.

Madje ata e kishin bërë edhe logon, me katër ‘S’ cirilikë brenda kryqit dhe vetëm mungojnë brenda atyre katër ‘S’ cirilikë fotografitë e Millosheviqit, Drazha Mihajlloviqit, Alkesandër Rankoviqit dhe Arkanit për t’u kompletuar mozaiku çetnik dhe shovinist i Serbisë në Kosovë. Në të njëjtën kohë Kosovës i është imponuar një flamur i cili përjashton çdo identifikim me Shqipërinë, një himn pa tekst që nuk ia çon as Kazanovës në mesin e 40 bukurosheve, një stemë pa përmbajtje etj. Ky është zbatim i standardeve të dyfishta.

Paralelisht me formimin e Asociacionit i cili, nuk kam asnjë dyshim, do të formohet duke pasur për bazë marrëveshjen në Bruksel dhe jo vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese, marrëveshje për të cilën po këmbëngul Serbia dhe serbët e Kosovës, kurse ndërkombëtarët pa asnjë dyshim se do ta pranojnë këtë duke bërë disa ndryshime kozmetike që e ruan përmbajtjen ekzekutive të këtij Asociacioni, kosovarët do të detyrohen ta pranojnë mendimin e shumicës sepse kjo është vlerë demokratike. Serbia, bashkësia ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës përbëjnë shumicën, kurse kosovarët janë pakicë absolute. Ndryshe, ku keni parë rast të ngjashëm në botë ku konstatohet se keni bërë 24 shkelje të Kushtetutës me marrëveshjen për Asociacion dhe të thoni se janë bërë 24 shkelje të Kushtetutës, por se mund të vazhdohet me formimin e Asociacionit!!! A ju ka rënë të lexoni interpretim më idiotesk se ky?! Sigurisht se jo, në vendet normale vetëm për një shkelje të Kushtetutës rrëzohet marrëveshja dhe nënshkruesit detyrohen të japin dorëheqje. Për këtë arsye injorantët juridikë në Kosovë bëhen anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Në botë nuk mund të gjeni kësi rastesh. Për këtë arsye edhe jemi rast sui generis!

Për ta mashtruar opinionin se, kinse, paralelisht me bisedimet me Serbinë po punohet edhe për gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë, u pati formuar një institut i eunuhëve i emërtuar si Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, me ambicie t’i ngjajë Institutit të Simon Vizentalit në Vjenë e që nuk e ka pasur efektin as sa një pordhë e Simon Vizentalit. Derisa Kosova nuk ka investuar fare në këtë institut, as në aspektin material e as në aspektin profesional, Izraeli ka ofruar fonde të pakufizuara për Institutin e Simon Vizentalit. Simon Vizentali ka qenë hebre i bindur dhe ka qenë në gjendje të vdesë në çdo kohë për sqarimin e fatit vetëm edhe të një viktime çifute, kurse këta të institutit të eunuhve, me përjashtime të vogla, kanë kontribuar që Kosova të ketë viktima dhe as që iu ka bërë zemra vër për viktima. Mashtruesit e politikës e fshehën formimin e këtij institucioni vetëm që Baca Adem Demaçi të mos jetë në krye të këtij instituti.

Shihni tash çfarë statusi ka Instituti i Eunuhëve për “Hulumtim” të Krimeve të Luftës në Kosovë e që kishte pretendime të jetë sikur Instituti Simon Vizental. Janë shndërruar në eunuhë që i ruajnë gratë e haremit të Sulltanit! Ishte formuar, nën përkujdesjen e Hashim Thaçit, një grup ndërministror për ballafaqim me të kaluarën dhe pajtim dhe që një kohë ishte nën Isa Mustafën: Pasi Hashimi u bë president, me ambasador dhe terminale, ky grup thjesht nuk përmendej më, tani dëshiron ta formojë Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, me ndihmën e disa mercenarëve ndërkombëtarë, gjykatës dhe gazetarë, ndonëse ky komision duhet të jetë pronë e Kosovës.

Pa asnjë dyshim ky komision, të cilin ia pati refuzuar Baca Adem menjëherë pas luftës kryeadministratorit Kushner, do ta përcjellë fatin e bisedimeve në Bruksel dhe nuk do të prodhojë asnjë rezultat për viktimat sikur që po trumbetohet. Për ta bërë më sqarues punën e këtyre përpjekjeve të Hashim Thaçit për të Vërtetën dhe Pajtimin me Serbinë, e cila nuk na bënë hesap për pesë para, dua t’jua tregoj një barsoletë jo fort të hijshme: “Një femër bukuroshe, duke shkuar për një vizitë te një mike në një vend tjetër e humbet rrugën, prandaj e pyet kalimtarin e parë, që ishte mashkull se ku gjendet shtëpia e filan fishekes dhe ai ishte i gatshëm ta shoqërojë, deri te vendi. Rrugës, i joshur nga bukuria e jashtëzakonshme, e dhunon vajzën duke ia shqyer gardërobën dhe duke e lënë gjysmëlakuriqe.

Vajza e dhunuar e mbledhë disi veten, mbulohet me ato pak rroba të mbetura dhe në ato çaste vjen një burrë tjetër që thjesht tmerrohet me ato pamje. Vajza i tregon për dhunimin, kurse burri zemërmirë e mbulon me pallton e vet duke i ofruar ndihmë për ta gjetur shtëpinë e mikes. Në ndërkohë, edhe këtij mashkulli i kërcen kandari dhe e dhunon vajzën, edhe më keq. E dhunuar, e poshtëruar dhe e rraskapitur vajza shtrihet në tokë dhe në atë çast vjen mashkulli i tretë i cili edhe mund të jetë i mirë por, vajza mosbesuese, me të drejtë, nuk e lejon të flasë fare por i thotë, bëre edhe të atë që e kanë bërë dy veta para teje dhe vazhdoje rrugën…”.

Prandaj, edhe ti Hashim, lëri ato komisione dhe improvizime dhe bëje edhe ti me ne atë punën sepse ne i kemi lëshuar brekët. Sikur që edhe ju i keni lëshuar brekët në Bruksel! Dhe jua kanë bërë dhe po jua bëjnë të njëjtën punë!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arsenali nga ora 15:15 në “Emirates Stadium” e pret skuadrën…