Përfundojnë punimet për rregullimin e platosë në Kalanë e Vushtrrisë

08 maj 2018 | 10:57

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), Ardiana Qorraj, përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka bërë me dije se ky institut më 7 maj ka përfunduar punimet për rregullimin e platosë në Kalanë e Vushtrrisë, pas degradimit si pasojë e nënshtrimit të vazhdueshëm në kushte jo të favorshme klimatike.

“Rivendosja platosë dhe ekzekutimi i punimeve është bërë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) në koordinim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila e ka financuar këtë projekt. Nivelizimi i konstruksionit të platosë, ndërrimi i dërrasave, mirëmbajtja dhe lyerja e konstruksionit metalik, largimi i vegjetacionit, konservimi dhe pastrimi i gurëve, kanë qenë disa nga punët që janë realizuar për kthimin dhe rijetësimin e këtij monumenti të trashëgimisë tonë kulturore”, ka shkruar ajo.

Qorraj ka thënë se IKMM-ja edhe më tej do të përkushtohet në mirëmbajtjen, konservimin dhe restaurimin, si dhe rijetësimin e monumenteve të trashëgimisë tonë kulturore.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Konflikti në Afganistan ka detyruar mbi 83 mijë persona që…