Përkujtohet masakra e burgut të Dubravës

22 maj 2018 | 14:29

Sot është shënuar 19-vjetori i masakrës së burgut të Dubravës, e cila ndodhi në mes datave 19-24 maj 1999.

Kjo masakër cilësohet si një nga masakrat më të mëdha kundër shqiptarëve që ndodhën në Kosovë.

Të mbijetuarit dhe familjarët e të vrarëve kanë bërë homazhe në ambientet e burgut aty ku 19 vjet më parë u vranë 160 të burgosur.

E pranishme ishte edhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi, Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Duda Balje, anëtarë të tjerë të këtij komisioni Mexhide Mjaku-Topalli, Teuta Haxhiu, Saranda Bogujevci, Nait Hasani, Milaim Zeka, Rasim Selmanaj etj, raporton “Epoka e re”.

Ndërsa, para të pranishmeve kanë folur të mbijetuarit e kësaj masakre deputeti Nait Hasani dhe drejtori i gazetës “Epoka e re” Sadik Zeqiri.

Këtë ngjarje e ka kujtuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Përmes një postimi në “Facebook” ai ka thënë se kjo ngjarje përbën një nga tragjeditë më të mëdha, autorët e së cilës ende janë të lirë.

19 vjet më parë, brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me ftesë të Këshillit Atlantik dhe Qeverisë së Malit të…