PËRMASA EVROPIANE E SKËNDERBEUT DHE KULTURA SHQIPTARE

18 Janar 10:52

Dr. Emin Kabashi

“Talenti strategjik i shkëlqyeshëm i Skënderbeut, gojëtaria entuziaste, e gjithë magjia që dilte nga personaliteti i tij, e vendosin atë denjësisht në anën e heronjve më të rëndësishëm të të gjitha kohëve” / Julius Pisko, “Skënderbeu i panjohur”, Vjenë, 1894. (Ky studim monografik për Skënderbeun botohet për herë të parë përkthyer nga gjermanishtja nga Zef Ahmeti, vër. E. K.)

*Rrafshet e kulturës shqiptare që kanë krijuar përmasën evropiane të figurës së Skënderbeut. *Tri periudha të mëdha kohore, që kanë mbajtur gjallë shpirtësinë e bërjes së lirisë dhe të identitetit kombëtar. *Shenjat identifikuese, që për kulturën shqiptare janë të veçantat e gjëllimit të saj – atdheu, liria, Skënderbeu. *Krijimi i rrafshit të dialogut artistik me kulturat evropiane, edhe përmes epokës madhore të Skënderbeut. *Kultura shqiptare është moshatare e kulturës evropiane. *Krijimi i ngjashmërive historike dhe artistike të figurës së Skënderbeut.

Hyrje

Prania e figurës së Skënderbeut në përmasën e kulturës evropiane është ngritur mbi disa rrafshe identifikuese. Në fillesën e saj ajo ishte vetëm prani kulturore, që është pjellë e shtratit të kulturës shqiptare. Sa më shumë që përimtohej shtresimi i rrezikut të pranisë ushtarake aziatike, përmes superfuqisë së kohës, të Perandorisë Osmane, figura e Skënderbeut dhe përkatësia e popullit të tij bëhej përherë e më e pranishme, edhe në rrafshet e tjerë brenda kulturës evropiane.

Kështu, pra, tashti prania është edhe ushtarake, edhe fetare, edhe shoqërore, edhe artistike, edhe antropologjike, në fund të fundit, edhe historike. Jorastësisht, andaj janë shkruar gjithë ato vepra që nga ato të karakterit himnizues e fetar, te ato të karakterit historik e deri të veprat e artit, të llojeve dhe gjinive të ndryshme (1. Noli ka dhënë bibliografinë më të plotë, sipas vlerës, të veprave që janë shkruar për Skënderbeun. Studiues të mirëfilltë të kohës së Skënderbeut dhe të figurës së tij, mendojnë se bibliografia noliane edhe sot është ndër më të pasurat dhe më të saktat për studimin e kohës së tij dhe të figurës Skënderbeut.

(Shih, Kristo Frashëri, Gjer Kastrioti Skënderbeu, Jeta dhe vepra (1405 – 1468), Tiranë, 2002. Po ai, Skënderbeu dhe lufta shqiptaro turke në shek. XV. Burime dhe dokumente shqiptare, vëll. I, Tiranë, 2005), të cilat, sipas bindjes, i kanë dhënë përmasë evropiane figurës së heroit tonë kombëtar.

Mesjeta shqiptare dhe Rilindja evropiane

Derisa kultura evropiane kishte mundësinë që të krijonte vlera të përjetshme, sidomos në fushën e artit, ngase kishte ruajtur bërthamën e aristokracisë krijuese, në jetën shoqërore të shqiptarëve ishte vënë në pyetje ekzistenca fizike e popullit. Aristokracia shqiptare, ajo që kishte bërë moshatare të Evropës, përmasën e gjëllimit shpirtërore të popullit shqiptar, ishte ndrydhur dhe ishte tkurrur deri në atë masë, sa e kishte të pamundur të gjëllinte brenda trojeve që njiheshin si shqiptare. Ajo ishte shkapërderdhur nëpër qendrat e ndryshme evropiane, kryesisht në Dalmacinë dhe Italinë e kohës (2. Në Venedik, Barleti njohu Pjetër Engjëllin, vëllanë e Pal Engjëllit, i cili kishte ndikuar që ai të shkruante historinë e Skënderbeut, të cilit ia kushton veprën që kishte shkruar për historinë e papëve, deri te pontifikati i Julit II, i cili kishte vdekur më 1513), por edhe në vende të tjera.

Mirëpo, duhej një periudhë kohore që kjo aristokraci të merrte veten dhe të arrinte të krijonte vlera të së njëjtës peshë me vlerat e kulturës evropiane. Kësisoj, derisa në Evropë Humanizmi i kishte hapur udhë Rilindjes evropiane, që është periudha më e ndritshme e kulturës së Evropës, të shqiptarët ishte rrënuar koha dhe vazhdonte mesjeta nën pushtimin ushtarak aziatik, i cili kishin rrënuar çdo gjë. Ishte rrënuar jeta biologjike dhe shoqërore e shqiptarëve. Luftërat ishin të vazhdueshme dhe të përgjakshme. Ishte shkatërruar baza ekonomike dhe prodhuese e vendit.

Njëkohësisht, ishte përgjysmuar popullata vendore, qoftë nga pakësimi që u bënte lufta, qoftë nga shkapërderdhja nëpër vende të ndryshme të Evropës. Ishte rrënuar jeta historike e shqiptarëve. Ora e historisë ishte kthyer prapa. Tashti më edhe koha ditore dhe vjetore llogaritej sipas hixhrit. Ishin pushtuar kështjellat shqiptare dhe ishin rrënuar shenjat historike të popullit. Ishte rrënuar jeta materiale dhe shpirtërore e shqiptarëve.

Pushtuesi që mëtonte të nënshtronte Evropën dhe ta shndërronte në mendësi aziatike, kishte rrënuar qendrat e mëdha të kulturës materiale të vendit, Durrësin, Krujën, Shkodrën, Gjirokastrën, Prizrenin, Korçën, Beratin. Bashkë me këtë rrënim kishte shkatërruar edhe shenjat e kujtesë historike, bibliotekat dhe arkivat e vendit, kishat dhe kultet e riteve vendore, (3.- Gjon Muzaka, Historia e Genealogia della Casa Musachia, scritta da D. Giovanni Musachio, Despoto dell’Epiro. Siç shihet vepra përmban kujtime të diktuara nga Gjon Muzaka më 1510. Memoarët përmbajnë njoftime të hollësishme për familjen Muzaka dhe për fisnikët e tjerë shqiptarë. Tiranë 2002, përkthim i Dhori Qiriazit. Këtë vepër, për hir të rëndësisë së madhe që kanë, sidomos njoftimet e Gj. Muzakës, albanologu i shquar i shek. XIX, Johan George von Hahn, e ka quajtur “Perla të dokumentacionit historik shqiptar”), nëpër të cilat, siç kanë dëshmuar më vonë të dhënat historike, ishte një pjesë e madhe e trashëgimisë shpirtërore të popullit, si dhe shenja të kujtesës historike, pa të cilat vështirë së mund të ndërtohet identiteti i një populli dhe i kulturës së tij.

Por, shtresimet e kohës kastriotiane nuk arritën t’i zhdukin, andaj e gjithë trashëgimia shpirtërore e kulturës shqiptare atje e ka burimin (4. – Duke filluar nga hartuesi i Formulës së Pagëzimit, Pal Engjëlli (1462), te jetëshkruesi dhe historiani më i madh i Skënderbeut, (1508-1510), Barleti, te Komentari i humanistit të madh shqiptar Dhimitër Frangu (1539), te autori i librit të parë shqip që dihet deri tashti, “Meshari” (1555) Buzuku, te Budi e Variboba dhe deri te Bogdani i madh).

Barleti

Derisa vazhdonin luftërat kundër pushtimit të tokave shqiptare (ato tashti më diheshin se ishin toka të një populli që kishte vendosur t’i dilte zot lirisë së tij dhe të vendit të tij), qendrat e vendosjes në Evropën e kohës, ose ishin shumë indiferente, ose merreshin vetëm me ndihma, që me gjuhën e kohës sonë, quhen humanitare, apo ndihmë ushtarake simbolike. Deri edhe Vatikani që e kishte shpallur “Kalorës i Krishtit” i dërgonte dukat dhe disa priftërinj, sa për të mos ndërprerë fare marrëdhëniet me shtetin e Skënderbeut. Kaq dinte Evropa për të dhe kaq bënte për të (5.- Anonimi i Tivarit, ose si i thotë Noli, Tivarasi, boton veprën e tij për Skënderbeun më 1480 në Venedik).

Bashkëkohaniku i madh i Skënderbeut, shkodrani Marin Barleti, në latinishten e kohës, që ishte gjuhë zyrtare e Evropës, shkroi veprën madhore dhe deri sot të pakapërcyeshme për jetën, luftërat, fitoret dhe bëmat e Skënderbeut (6.- Marin Barleti, Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, Romë (1508-1510). Vepra e Barletit për Skënderbeun ka qenë ndër veprat më të përkthyera në gjuhët e popujve të ndryshëm të Evropës së asaj kohe (7.- G. T. Petrovitch, “Scanderbeg”, Paris 1881. Petroviçi aty jep veprat e botuar për Skëndebeun në gjuhën frënge, angleze, gjermane, latine, spanjolle, ugare, portugeze, suedeze dhe greke, që nga koha kur është shpikur shtypshkrimi e deri në ditët e autorit.

Për shkrimet në gjuhën sllave për Skënderbeun, ai thoshte se do të bënte një botim të veçantë, por siç pohon Noli ynë, nuk e bëri kurrë).
Ky ishte rrafshi i parë i pranisë në kulturën e përmasës evropiane të figurës së Skënderbeut si dhe i pranisë me përmasë evropiane të luftërave të tij 25-vjeçare.

Rilindja Kombëtare

Pason një heshtje e gjatë, shumëshekullore, edhe për praninë e Skënderbeut në përmasën e kulturës evropiane, rrjedhimisht edhe për praninë e jetës së brendshme shqiptare në hapësirën e Evropës. Nata aziatike, siç e ka cilësuar shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, kishte qenë shumë e gjatë dhe shumë tragjike, në një anë, kurse heshtja dhe shurdhëria e Evropës shumë domethënëse, siç po shihet edhe sot, në anën tjetër.

Rilindja Kombëtare Shqiptare, që ishte kështjella shpirtërore e luftërave të krahut ushtarak të Lidhjes së Prizrenit për ruajtjen e tokave shqiptare, si dhe e formimit të kombit modern shqiptar, riktheu në skenën e historisë jo vetëm figurën e Skënderbeut, të shndërruar në idealistet romantik, por edhe frymën e shekullit XV, pra të Epokës së tij. Rilindja Kombëtare shqiptare atje kërkonte dhe atje gjente edhe shëmbëllimet për të krijuar mendësinë moderne shqiptare, qoftë edhe përmes atdhedashurisë, qoftë edhe përmes gatishmërisë për t’u sakrifikuar për lirinë e atdheut.

Pas humbjeve në fushat e betejave të këtij krahu ushtarak të Lidhjes, tokat shqiptare i copëton Berlini, Londra, Parisi, por lë në gjysmë të udhës edhe bërjen e kobit modern shqiptar. Andaj, kultura shqiptare, ajo e përkatësisë dhe e përmasës evropiane kthen në skenën e historisë shqiptare, frymën, shpirtin, madhështinë, shëmbëllimin e Epokës së Skënderbeut, duke krijuar kështu një rilindje të dytë të kësaj figure në kulturën shqiptare, rrjedhimisht duke i dhënë sërish përmasë evropiane figurës së tij.

Në kulturën e popujve të Evropës, në letërsinë e tyre, kthimi në të kaluarën dhe ngjallja e miteve, mund të ishin edhe kërkesë stilistike e kohës. Në kulturën shqiptare një gjë e tillë vështirë se mund të qëndrojë si fakt i vetëm. Po zëmë në gojë vetëm një fakt artistik. Letërsia e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, nuk i kthehet periudhës së Motit të Madh, siç e ka ruajtur edhe sot kujtesa historike e arbëreshëve të mi, për të krijuar mitin e fitoreve, apo mitin e heroit legjendar, apo mitin e bukurisë fizike të heroit, por përveç këtyre anëve, ajo që dominon në këtë letërsi është krijimi i ngjashmërive artistike në përpjekjet për bërjen e lirisë dhe gatishmërinë për t’u sakrifikuar për lirinë e atdheun.

Prandaj, është e kuptueshme kur kjo temë del kaq e pranishme dhe kaq gjerësisht e trajtuar në mbarë letërsinë e Rilindjes sonë Kombëtare. (8.- Nuk ka krijues të Rilindjes sonë që nuk ka shkruar për Skënderbeun dhe epokën e tij. Më të dalluarit, doemos janë poeti më i madhe i kësaj periudhe, Jeronim de Rada dhe bardi i Rilindjes sonë, Naim Frashëri). Letërsia e Rilindjes sonë ka krijuar trinomin e njohur, ku njëjtësohen Liria, Atdheu, Skënderbeu. Rrafshi i këtillë i letërsisë dhe kulturës shqiptare të Rilindjes sonë, së pari ka krijuar përmasën kombëtare të figurës së Skënderbeut, deri te krijimi i mitit lirifitues dhe atdhebërës, pastaj ka mundësuar krijimin e përmasës evropiane, gjë që hetohet thuajse në të gjitha shkrimet për Skënderbeun dhe periudhën e tij, si të shkrimet e natyrës historike, ashtu edhe të shkrimet artistike.

Noli

Kur zezona me përmasë botërore e komunizmit shtynte kufijtë e harresë deri në mosdurim, qoftë edhe për rrafshe të kujtesës historike dhe kombëtare të periudhave të largëta historike, (këtu nuk është vendi të kujtohen gjithë ata popuj që janë asimiluar në perandoritë e komunizmit, kudo në botë, deri edhe në Ballkanin shumë tragjik), kultura shqiptare, edhe pse nuk e kishte shlyer nga kujtesa Skënderbeun dhe epokën e tij, nuk kishte arritur të bënte asgjë për ta ruajtur përmasën evropiane të kësaj figure, andaj vetëkënaqej duke e rifolklorizuar për nevojat e mendësisë ideologjike të kohës.

Në këtë makth folklorizues dhe ideologjizues vjen vepra madhore e peshkopit Fan Noli, botuar në dy versione dhe në dy gjuhë, anglisht dhe shqip, përmes së cilës edhe një herë në përmasë evropiane vihet në lëvizje madhështia e një epoke historike, siç ishte ajo e Motit të Madh, dhe madhështia legjendare e një figure, siç ishte ajo e Skënderbeut (9. – Fan Stilian Noli, George Castrioti Scanderbeg (1405 – 1468) (In English), New York 1947; Fan Stilian Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405 -1468), Boston, 1921, Tiranë, 1962). Pa këto rrafshe të kulturës shqiptare, nuk më mbushte mendja se do të mund të ishte krijuar rrafshi i kulturës me përmasë evropiane.

Epoka e madhe e kujtesës kombëtare shqiptare dhe kultura evropiane

Kjo epokë, pra Epoka e Skënderbeut, Moti i Madh i tij, si e kanë ruajtur deri sot arbëreshët, ka krijuar një dimension të ri në kulturën shqiptare, që mund të përthekohet me përkufizimin – rrafshi i identitetit civilizues shqiptar. Mund të thuhet, andaj, se kultura shqiptare nga Barleti me shokë e te Rilindja Kombëtare Shqiptare, me figurën Skënderbeut ka krijuar rrafshin e dialogut artistik me kulturën evropiane, duke ndërtuar kështu edhe shenjat e identitetit të saj si kulturë origjinale me përkatësi dhe përmasë evropiane. Ndër më të veçuarit, në planin e trajtimit artistik, mbetet gjithsesi poeti ynë i madh, Jeronim de Rada.

Nga pesha e fatit historik, krijuesit shqiptarë duke u bërë zëri i Lirisë dhe i Atdheut, jo vetëm nuk kishin pasur mundësi të qëndronin dhe të krijonin në Atdheun e tyre, por të shpërndarë nëpër disa vende të botës, kishin dhënë shëmbëllimet e para kulturore në krijimin e figurës artistike të Skënderbeut, në poezi, në prozë, në trajtesa të një niveli shkencor interesant, ngase, u tha më sipër, prania e tij si figurë historike shqiptare me përmasë evropiane, kishte filluar që nga Barleti me shokë.
Jeronim de Rada është poeti i parë shqiptar modern, vepra e të cilit, letërsinë moderne shqiptare e bën moshatare të asaj evropiane. Në veprën e tij artistike jepet përmasa e shëmbëllimit dhe e frymës së Motit të Madh të Skënderbeut (10.- Jeronim de Rada, Këngë të Milosaos bir i sundimtarit të Shkodrës, Këngë të Serafina Topisë, princeshë e Zadrimës, por veçmas veprën madhore, Scanderbeku i paffan).

Kësisoj, ai ka krijuar figurën e parë artistike të heroit tonë kombëtar, e cila me përmasën e saj evropiane, edhe sot mbetet model i krijimit artistik, së pari duke krijuar përmasën e kulturës kombëtare, që të ushqejë pastaj edhe përmasën e kulturës evropiane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Portieri Samir Handanoviq e ka lavdëruar trajnerin Luciano Spalletti për…