Po punojmë për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të narkotikëve

19 korrik 2018 | 10:32

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka bërë me dije se MPB-ja dhe Policia e Kosovës janë duke punuar për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të narkotikëve.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai u ka bërë thirrje institucioneve qendrore dhe gjithë mekanizmave joqeveritarë të merren seriozisht me këtë fenomen shqetësues.

Zeka ka folur edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Ai ka thënë se një gjë e tillë është duke ndodhur përmes një grupi punues teknik të përbërë nga ekspertët e institucioneve si dhe në aspektin diplomatik përmes procesit të lobimit.

Zeka ka thënë se në bashkëpunim me institucionet e tjera vendore dhe partnerët ndërkombëtarë kanë hartuar edhe planin e reagimit në rast të fluksit masiv të migrantëve.

 “Epoka e re”: Z. Zeka, cila është gjendja e sigurisë në vend, dhe sa ka arritur shteti ynë të tregojë përkushtim për ruajtjen dhe ngritjen e nivelit të sigurisë?
Zeka: Gjendja e sigurisë nga mekanizmat e specializuar të sigurisë në vend vlerësohet stabile dhe nën kontroll të plotë. Sfidat në fushën e sigurisë për Kosovën janë globale të sigurisë dhe që kanë të bëjnë me krimin e organizuar të karakterit ndërkufitar dhe ndërkombëtar, terrorizmit dhe të ngjashme. Në këtë drejtim kemi bashkëpunim shumë të mirë me mekanizmat në nivel bilateral dhe në atë multilateral që bashkërisht t’u përgjigjemi këtyre sfidave.

“Epoka e re”: Anëtarësimi në Interpol tashmë është një domosdoshmëri për ofrimin e sigurisë jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe në rajon e më gjerë. Çfarë hapash jeni duke ndërmarrë në këtë drejtim?
Zeka: Anëtarësimi i Kosovës në Interpol është një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës në sferën ndërkombëtare. Në këtë drejtim po punojmë me një grup punues teknik, i përbërë nga ekspertë të institucioneve, por edhe në aspektin diplomatik përmes procesit të lobimit.

“Epoka e re”: Cilat janë rezultatet e MPB-së për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në vend?
Zeka: Si Qeveri dhe Ministri e Brendshme kemi marrë masa konkrete për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit për shumë vite, por duhen veçuar masat për Ligjin për Parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në konfliktet e armatosura jashtë vendit dhe i cili ligj ka pasur ndikim të theksuar të parandalimit të pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në zonat e luftërave në Siri dhe Irak. Gjithashtu, kemi strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në bazë të cilës organizojmë aktivitete vetëdijesuese dhe senzibilizuese, sidomos te shtresat më të ndjeshme. Me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë jemi duke krijuar mekanizma referues për personat që mund të jenë subjekt i radikalizmit.

“Epoka e re”: Sa është mobilizuar MPB-ja për ofrimin e lehtësirave tash në muajt e verës në pikëkalimet kufitare, kur dihet se në kufirin e Kosovës me Serbinë, në Merdar, po krijohen kolona të pritjes deri në katër orë.
Zeka: Lehtësimi i kalimit të kufirit nga Serbia në Kosovë për bashkatdhetarët tanë është një obligim për shtetin e Kosovës. Përmes Qendrës Kombëtare për Menaxhim të Kufirit ne përcjellim lëvizjet 24 orë në të gjitha pikat kufitare dhe aplikojmë metodat e menaxhimit të integruar të kufirit që nënkupton edhe lehtësimin e qarkullimit të njerëzve dhe mjeteve dhe përmes këtyre mekanizmave bëjmë çdo gjë të mundur që ta lehtësojmë qarkullimin e bashkatdhetarëve tanë.

“Epoka e re”: Çfarë është duke bërë MPB-ja rreth zgjidhjes për sigurim shëndetësor dhe jetësor të policëve dhe rritjes së pagave për ta? A po punohet për miratimin e një ligji për policinë i cili parasheh pensionimin e parakohshëm të policëve?
Zeka: Krijimi i kushteve më të mira për zyrtarët policorë të Kosovës, përfshirë rritjen e pagave, sigurimin shëndetësor dhe jetësor, kanë qenë përpjekje të vazhdueshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme për shumë mandate dhe tani kemi një version të tillë të ligjit i cili është duke u diskutuar nëpër mekanizma të ndryshëm dhe do të përpiqemi ta gjejmë mënyrën më të mirë të mundshme për ta mbrojtur punën e jashtëzakonshme që është duke bërë Policia e Kosovës.

“Epoka e re”: Ju jeni edhe Koordinator Nacional për Migrim. A keni plan të reagimit në rast se do të ketë nevojë për ta menaxhuar fluksin masiv te migrantëve dhe refugjatëve?
Zeka: Si Ministri e Punëve të Brendshme dhe në bashkëpunim me institucionet e tjera vendore dhe partnerët ndërkombëtarë kemi hartuar planin e reagimit në rast të fluksit masiv të migrantëve dhe refugjatëve. Ky plan përditësohet në baza vjetore. Duhet theksuar se me plan kemi parashikuar të gjithë skenarët e mundshëm për t’u ballafaquar me ndonjë fluks të mundshëm me migrantë dhe refugjatë. Kosova nuk ka qenë e prekur nga ‘Rruga Ballkanike’ e refugjatëve për të lëvizur për në vendet evropiane. Sidoqoftë, ne jemi të gatshëm për t’u ballafaquar me ndonjë sfidë të ngjashme të mundshme.

“Epoka e re”: Problem në Kosovë është edhe përdorimi i substancave narkotike nga të rinjtë. Kjo dukuri po ndodh në afërsi të institucioneve arsimore, ku përdorues janë edhe nxënësit. Po realizon MPB-ja ndonjë plan?
Zeka: Ky është një problem që është duke u adresuar në instancat më të larta qeveritare dhe sigurisht se keni dëgjuar edhe nga kryeministri që është duke u marrë me këtë problematikë. Si MPB dhe Polici e Kosovës punojmë për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të narkotikëve, si dhe për ndërmarrjen e masave të luftimit të shitjes së narkotikëve në afërsi të objekteve të shkollave dhe të ngjashme. Duhet si institucione qendrore dhe me të gjithë mekanizmat joqeveritarë të merremi seriozisht me këtë fenomen shqetësues.

Arbisa SHEFKIU

 

 

 

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Regjisori i mirënjohur i Kosovës po përgatit filmin e ardhshëm…