Policia e Kosovës i reagon Rexhep Selimit

08 shkurt 2018 | 15:20

Policia e Kosovës (PK) ka reaguar ndaj akuzave të deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi lidhur me skandalet e fundit në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe në PK.

“Sa u përket dyshimeve dhe hipotezave të ngritura nga deputeti Selimi, se kinse drejtori i Policisë së Kosovës po i mbron vartësit që kanë kryer vepra penale, ju sigurojmë se këto deklarime janë të pavërteta dhe tendencioze”, është thënë në reagimin e PK-së.

Reagimi i plotë i Policisë së Kosovës lidhur me deklarimet e deputetit Selimi:

Duke e njohur dhe respektuar të drejtën e çdo personi për t’u shprehur dhe deklaruar, Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, reagon ndaj një pjese të deklarimit të deputetit z. Rexhep Selimi, i cili e bëri sot në Kuvendin e Kosovës, duke iu referuar asaj se kinse “drejtori i Policisë së Kosovës s’duhet t’i mbrojë vartësit që kryen veprat penale”.

Policia e Kosovës, në krye me menaxhmentin e saj janë të përkushtuar në zbatim të ligjit dhe në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve konform autorizimeve ligjore, dhe në asnjë rast të vetëm nuk mbrojnë asnjë punonjës apo vartës që mund të bie ndesh me ligjin.

Sa u përket dyshimeve dhe hipotezave të ngritura nga deputeti Selimi, se kinse drejtori i Policisë së Kosovës po i mbron vartësit që kanë kryer vepra penale, ju sigurojmë se këto deklarime janë të pavërteta dhe tendencioze, pasi që Policia e Kosovës në të gjitha rastet, duke përfshirë edhe rastet e apostrofuara nga deputeti në fjalë, ka marrë masat e duhura konform përgjegjësive ndaj punonjësve të përfshirë në raste penale, po ashtu edhe duke iu referuar rekomandimeve të dala nga mekanizmat ligjorë sipas mandatit ligjor për kryerjen e hetimeve të pavarura.

Andaj, deklarimet e sotme të z. Rexhep Selimi nuk përkojnë me realitetin objektiv, në tendencën e të prezantuarit të Policisë së Kosovës.

Siç është i informuar opinioni deri tani vlerësimet e njëpasnjëshme për PK-në qëndrojnë shumë lart dhe këtë e dëshmojnë raportet vlerësuese të bëra nga organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Departamentin Amerikan të Shtetit, mekanizmat e BE-së, që janë indeksi më i mirë i performancës, integritetit, etikës dhe suksesit të Policisë dhe lidershipit të saj në vazhdimësi. Ndër vite vlerësohemi si institucioni më kredibil, jo vetëm në vend por edhe rajon dhe ky vlerësim është arritur falë punës së devotshme dhe profesionale të të gjithë zyrtarëve policorë nën udhëheqjen e menaxhmentit të PK-së.

Është shumë e qartë se asnjë përgjigje e dhënë nga ne nuk do të kënaqë narracionin e krijuar nga z. Selimi i cili është tendencioz dhe politik, por besimi i qytetarëve të vendit ndaj Policisë është shumë më substancial dhe objektiv se sa deklarimet e z. Selimi.

Duke qenë institucion profesional dhe me lidership të dëshmuar do të vazhdojmë të kryejmë të gjitha obligimet ligjore sipas përgjegjësisë që kemi dhe të pandikuar në asnjë formë.

Në mënyrën e të kuptuarit të drejtë të përgjegjësisë, transparencës, llogaridhënies dhe vendimmarrjes institucionale PK-ja qëndron brenda të gjithë parametrave të lartcekur dhe është e gatshme të ballafaqohet me këdo që mund të dëshmojë të kundërtën, gjë të cilën PK-ja e ka dëshmuar çdo herë në mënyrën më efikase të mundshme në të gjitha rrethanat.

Ndjehemi krenarë për punën që bëjmë në të mirë të sigurisë dhe stabilitetit, jo vetëm të vendit por edhe më gjerë.

Misioni dhe vizioni i PK-së tejkalojnë interesat e caktuara të secilit individ, si brenda PK-së po ashtu edhe jashtë saj, andaj edhe një herë dëshirojmë të sigurojmë të gjithë qytetarët se jemi koshient dhe të vetëdijshëm për rolin, rëndësinë dhe përgjegjësinë që ka institucioni ynë për sigurinë në vend, por në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që askush dhe për asnjë interes të dëmtojë, linçojë, shantazhojë dhe të denigrojë punën, kontributin dhe sakrificën e asnjë zyrtari policor.

Policia e Kosovës dhe menaxhmenti i saj janë të përkushtuar në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore në të mirë të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës, krahas etikës së lartë, integritetit dhe vlerave që ka PK-ja, ku në vazhdimësi jemi shquar për efikasitet edhe në trajtimin e rasteve kur pjesëtarët e PK-së janë dyshuar për aktivitet të kundërligjshëm. Sidoqoftë, veprimi individual i cilitdo zyrtar policor nuk mund të zbehë imazhin e organizatës policore.

Ftojmë të gjithë ata që mund të kenë çfarëdo dyshimi të bazuar ndaj cilitdo zyrtar policor t’i adresojnë ato tek institucionet e pavarura kompetente.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka ftuar…