Politika dhe morali

17 prill 2018 | 12:13

Dr. Sabri Kiçmari

Rreziku nga shprishja e politikës dhe nevoja për rikthim drejt moralit

Politika dhe morali janë dy nocione, raportet e të cilave mes vete janë mjaft interesante, sidomos nga këndvështrimi i politikës si praktikë. Shpeshherë qytetarët, zgjedhësit, votuesit i ngatërrojnë pa qëllim këto dy nocione. Por, jo rrallë pushtetarët dhe synuesit e pushtetit i ngatërrojnë me qëllim ato. Zbulimi i raporteve të drejta në mes të moralit dhe politikës dhe zhveshja e tendencave të pushtetarëve dhe synuesve të pushtetit për të manipuluar me këto raporte është një detyrë që në vendet e zhvilluara industriale me sistem shumëpartiak i obligojnë këto segmente të rëndësishme të shoqërisë: shkencëtarët politikë, sociologët, filozofët dhe përfaqësuesit e medieve.

Në rastin e Kosovës kryerja e një detyre të tillë has në vështirësi të theksuara. Së pari, literatura filozofike, sociologjike dhe shkencore politike në Kosovë ka filluar të depërtojë, e përkthyer, në të shumtën e rasteve, shkel e shko. Përkthimi i vetëm një numri fare të vogël, të librave të klasikëve të filozofisë si Platoni, Aristoteli, Thomas von Aquin, Hobsi, John Locku, Kanti, Hegeli, Kirkegaardi dhe përfaqësuesve të filozofisë bashkëkohore si Edmund Husserl, Bertrand Russell, Karl Jaspersi, Martin Heidegeri, Max Horkheimer, Theodor Adorno, Jean – Paul Sartre, John Raëls, Amitai Etzioni, Jürgen Habermas etj. sigurisht lë pasoja për subvencionimin e të menduarit dhe të vepruarit politik.

Së dyti,nga mbizotërimi i skenës mediale për decenie të një botëkuptimi jokritik në raport me politikën, digjitalizimi i mediumeve informative ka sjellë me vete një mësymje të jashtëzakonshme për të kritikuar apriori, me vend e pa vend, me dhe pa argumente, për të fituar pëlqime në rrjete sociale, lexime sipërfaqësore dhe jopërmbajtësore. Sigurisht ka edhe shembuj pozitiv të matjes së fjalës së shkruar publike, por trendi, për fat të keq është mjaft negativ.

Definimi i moralit dhe etikës politike

Për të krijuar një pikëpamje për politikën si shkencë është njohja e historisë së ideve dhe koncepteve teorike të filozofisë politike domosdoshmëri. Për të krijuar një vetëdije për politikën si veprimtari praktike duhet njohur rregullat e sjelljes si politikan në situatat e krijuara politike. Në të dy rastet e dhëna parakusht është dallimi i qartë i raportit në mes të politikës dhe moralit. Morali paraqet tërësinë e parimeve, normave dhe rregullave që përcaktojnë sjelljen e njerëzve në shoqëri. Etika definohet si disiplinë e filozofisë, e cila në mënyrë metodike dhe sistematike studion veprimin moral.

Bazë e studimit të etikës është studimi i mundësisë të një morali të tillë, sipas të cilit ne mund të jetojmë mirë, të veprojmë drejtë dhe të gjykojmë arsyeshëm.

Politika si shkencë ka lidhje të rëndësishme me etikën. Ajo përmban gjithnjë edhe anën e saj morale. Etika politike studion mundësitë e argumentimit të principeve etike (parimeve, aksiomave), normave (ligjeve dhe rregullave) dhe virtyteve (pikëpamjeve, ideve). Në veprimtarinë shoqërore-shtetërore janë të njohura të dy dimensionet: si dështimi moral i politikës (i aktorëve politikë), ashtu edhe dështimi i tendencave moralizuese të politikës. Dështim moral i politikanit mund të konsiderohet rasti kur ai, në luftë për pushtet, vë në zbatim mjete të palejueshme morale (fyerja, përçmimi, ndjekja dhe vrasja e kundërshtarit politik). Por, pika kulmore e dështimit të një politikani dhe politikës së tij në tërësi mund të arrihet, në rast se politikani, për të mbrojtur fatin e tij individual, firmos vendime që kanë të bëjnë me fatin e një kombi (ose shtetit), në kundërshtim me interesat dhe vullnetin e këtij kombi (ose shtetit).

Edhe tendenca e moralizimit të politikës është e gabuar. Moralizimi i politikës mund të sjellë për pasojë heqjen dorë nga pragmatizmi në veprimin praktik politik dhe kufizimi i veprimit brenda një kornize të ngushtë moralizuese, shpesh religjioze ose ideologjike. Po të zbatohet në praktikë një metodë e tillë, atëherë shumë nga Konferencat Paqësore, Marrëveshjet Diplomatike dhe veprime të tjera praktike nuk do të mund të gjejnë zbatim. Kërkesa për zbatimin me çdo kusht (edhe me dhunë) të rregullave moralizuese në politikë shpesh është sqaruar me idenë e krijimit të “njeriut të ri”. Mjetet që janë përdorur për imponimin e moralit të tillë janë të palejueshme. Këtë synim kryesisht mundoheshin të realizonin në praktikë ideologjitë e shekullit të kaluar. Një sistem i tillë u bë për qytetarët i padurueshëm. Për këtë dëshmon dështimi i këtyre shteteve edhe në rrafshin politik, edhe në atë moral, ekonomik, kulturor dhe shpirtëror.

Zgjidhja e drejtë e raportit në mes të moralit dhe politikës është një drejtpeshim i qëndrueshëm mes tyre: as zbatim ekskluziv i moralit dhe nënçmim i politikës, por as zbatim ekscesiv i politikës dhe lënia anash e së moralshmes. Sidomos një gjë e tillë duhet të kihet parasysh në situata zgjedhore, kur partitë dhe kandidatët synojnë të arrijnë suksese më të mëdha elektorale.

Tipat e etikës politike

Megjithëse paraqitja e të gjitha varianteve të të konceptuarit të etikës politike nga përfaqësuesit e teorisë politike do të kërkonte hapësirë më të madhe shpjegimi të veçorive, metodave dhe përfundimeve të tyre teorike, në këtë rast do të koncentrohem vetëm në tiparet themelore të pesë klasikëve të mendimit politik: Aristotelit, Makiavelit, Kantit, Hegelit dhe Marksit.

Etika e qytetarit

Aristoteli përfaqëson konceptin antropologjik të teorisë politike. Ai e ndërton teorinë e tij për polisin (shtetin) dhe kushtetutën e tij mbi bazën e bashkësisë së qytetarëve. Qytetarët janë për të qenie të arsyeshme dhe të afta për të përdorur gjuhën si mjet të bashkëveprimit politik – të krijimit të bashkësisë: pra ai e definon njeriun si zoon politikon (qenie politike).

Përmes polisit qytetarët synojnë të rrisin kënaqësinë e tyre dhe përsosmërinë. Konceptimi aristotelian (antropologjik) i politikës i parapriu idesë së të drejtave të individit në shoqëri, të përfaqësuara nga Iluministët dhe ka një lidhshmëri organike me idenë e shtetit të lirë kushtetues. Koncepti bazë i etikës politike të Aristotelit dhe pasuesve të tij është rregullimi paqësor i konfliktit mbi bazën e një konsensusi të thirrur në kushtetutën e lirisë. Politika këtu kuptohet si rregullim i përbashkët shoqëror.

Shteti drejtohet përmes institucioneve të tij dhe ligjeve. Njerëzit bashkohen dhe krijojnë një akt të tillë juridik në dobi të sigurisë më të madhe fizike të tyre. Përmes kushtetutës organizohet jeta e përbashkët e tyre. E metë e Aristotelit është kufizimi i të drejtës së të qenit të lirë vetëm për një pakicë të theksuar anëtarësh të polisit dhe përjashtimi i të qenit qytetar me të drejta të barabarta për një shumicë absolute të njerëzve (gratë, robërit, shërbëtorët, fëmijët) në polis.

Etika e pushtetarit

Nocioni mbi politikën i Machiavellit nënkupton etikën e personit të veshur me pushtet. Marrja, mbajtja dhe zmadhimi i pushtetit është për të qëllim i politikës. Morali duhet t’ju nënshtrohet këtyre qëllimeve. Nëse mbrojtja e pushtetit kërkon heqjen dorë të respektimit të moralit, këtë gjë Makiavelli e lejon. Sipas Makiavellit princi duhet të ketë veçoritë e luanit (forcën) dhe të dhelprës (dinakërinë).

Atij i interesojnë teknikat e marrjes së pushtetit nga një individ (Princi) dhe lufta kundër kundërshtarëve politikë që synojnë pushtetin. Ai i analizon të gjitha masat që duhet t’i ndërmarrë pushtetari (diplomatike, luftarake etj) për të realizuar synimet e tij. Synimi i Makiavelit nuk është bashkëjetesa e harmonishme, por sundimi mbi njerëzit. Këto forma të konceptimit moral janë të njohura edhe në praktikën e sotme politike.

Etika e baraspeshës në mes të politikës dhe moralit

Kanti e definon politikanin e moralshëm si një njeri, i cili principet e mençurisë shtetërore (gjerm. Staatsklugheit) i kupton si të tilla, që qëndrojnë së bashku me moralin. Parimi i politikanit moral është: në rast të të metave evidente në kushtetutën e shtetit, të cilat shihet se janë pengesë për zhvillim, është detyrë e burrështetasve, që ato të përmirësohen dhe të sillen na akord me të drejtën natyrore, ashtu siç ajo qëndron në idenë e arsyes: edhe në rast se kjo do të duhej të kushtojë me flijime vetanake pushtetore.

Kanti më tutje konstaton se edhe pse objektivisht (në teori) nuk ka mosmarrëveshje midis moralit dhe politikës, në rrafshin subjektiv mosmarrëveshja do të mbetet gjithmonë, sepse ajo shërben si gur i virtytshëm, guximi i vërtetë i të cilit nuk është si të kundërshtosh të këqijat dhe sakrificat në mënyrë të vendosur, por të shohësh në sy gënjeshtrën dhe pabesinë, si dobësi të natyrës njerëzore.
Duke pasur parasysh këtë Kanti konstaton se politika e vërtetë nuk mund të bëjë asnjë hap pa i bërë homazhe moralit.

Etika e frymës objektive

Hegeli shkruan se ‘morali i një shteti është realizimi i frymës/shpirtit objektiv’.
Ajo sipas Hegelit nuk kuptohet në mënyrë apriori, por nga pikëpamja e të vërtetës historike. Hegeli synon krijimin e shtetit moral. Dhuna shtetërore konsiderohet nga Hegeli si një sferë e gabimeve. Ajo është dhunë nga ministrat dhe zyrtarët shtetëror. Dhuna e shtetit nuk mund të arsyetohet me pretendimin e interesit të përgjithshëm shtetëror. Në të kundërtën: interesi i shoqërisë qytetare duhet realizuar përmes shtetit moral, me qëllim që qytetarët “ta shohin shtetin si esencë të tyre, pasi që ai i mban sfera të tyre të veçanta, autorizimin dhe autoritetin e tyre”.

Në mënyrë dialektike Hegeli na dëshmon se shteti moral nuk mundësohet përmes mohimit të lirisë së qytetarit (privat), por përmes realizimit të kësaj lirie, pasi që vetëm në këtë mënyrë shteti e fiton besimin e individit dhe mund të konsiderohet prej tij si esenca e tij.

Etika e një rregullimi hipotetik ideal

Marksi e definon politikën si proces të një ndryshimi të përgjithshëm të gjendjes së përgjithshme shoqërore që ka për qëllim krijimin e një shoqërie (ideale) pa klasa. Pra, teoria marksiste i parashtron vetes një qëllimi hipotetik: arritjen e një rregullimi ideal. Etika marksiste mund të definohet edhe si etikë e revolucionit dhe veprimit revolucionar. Për t’u realizuar qëllimi i luftës klasore, “likuidimi i armikut klasor”, dhe krijimi i shoqërisë pa klasa, pa konflikte dhe pa sundues lejohet të zbatohen të gjitha mjetet e mundshme, edhe dhuna dhe diktatura e proletariatit.

Shprishja e politikës

Ajo që gjermanët e quajnë ‘Politikverdrossenheit’, të cilën këtu po e përkthejmë si shprishje e politikës, është rrezik për të gjitha shoqëritë. Me shprishje të politikës nënkuptojmë jo vetëm pakënaqësinë masive me politikën ditore, njëjtësimin moral të të gjitha subjekteve politike dhe shoqërore, sipas sentencës “Të gjithë janë njësoj!”, zhgënjimin me rendin shtetëror dhe institucionet e tij demokratike. Shprishja e politikës ndodh atëherë, kur është prishur drejtpeshimi i qëndrueshëm në mes të moralit dhe politikës, ose thënë më konkretisht vije deri të zbatimi ekscesiv i politikës dhe lënia anash e së moralshmes.

Pasoja të një fenomeni të tillë janë ose apatia politike, refuzimi i gjithë klasës politike ose mësymja drejt formave jodemokratike të veprimit. Një fenomen i tillë paraqitet kur politikanët ndërmarrin veprime politike, të cilat në mënyrë të dukshme, janë ose nënkuptohen si veprime në kundërshtim me bindjet e tyre, të cilat nuk janë të orientuara në dobi të shtetit dhe shoqërisë, janë rezultat i lobingjeve jashtështetërore, ushtrohet presion ndaj aktorëve vendimmarrës (deputetëve, ministrave) dhe sjelljes së pahijshme të aktorëve të caktuar politikë.

E keqja është një realitet moral edhe në politikë, e cila duhet pranuar si e tillë. Sokrati mendonte se e keqja në politikë është vetëm padituri. Ne mendojmë se është më shumë se kaq.

Nevoja për rikthimin e politikës drejt moralit

Koncepti aristotelian dhe ai kantian në lidhje me raportet në mes të moralit dhe politikës janë me përparësi. Natyrisht duke mënjanuar kufizimet e lartpërmendura aristoteliane për grupe, gjini dhe shtresa të caktuara shoqërore. Duke mos synuar rregullime përfundimtare ideale, as shfrytëzim të çdo mjeti për marrjen dhe ruajtjen e pushtetit, tipi aristotelian i etikës nuk synon të përdorë mjete të paarsyeshme. Ai mbështetet në arsyen dhe vullnetin e mirë të njerëzve.

Kanti e ka formuluar ligjin themeltar të arsyes praktike në “Kritikën e arsyes praktike” në këtë mënyrë: “Handle so, daß die Maxime deines Willens jederzeit zugleich als Prinzip einer allgemeinen Gesetzgebung gelten könne”. (Vepro në atë mënyrë, që maksima e vullnetit tënd të mund të vlejë në çdo kohë si një princip i ligjvënies së përgjithshme”). Ky është imperativi kategorik, që mund të rregullojë raportet e drejta në një shoqëri të lirë dhe demokratike. Ky është imperativi kategorik të cilit duhet përmbajtur politika dhe shoqëria për të vënë një drejtpeshim të qëndrueshëm në mes të politikës dhe moralit. Më tutje nuk ka nevojë të shkohet.

Konceptimi bashkëkohor etik parashtron edhe nevojën e marrjes së përgjegjësisë për veprim. Sidomos është i rëndësishëm skepticizmi pozitiv në institucionet politike dhe normat e aprovuara prej tyre. Qytetari bashkëkohor duhet ta ketë një dozë mosbesimi vazhdimisht: sepse ajo determinon kontrollimin e pushtetit dhe të pushtetarëve. Institucionet e shtetit kanë nevojë për instanca kontrolli dhe ndarje të pushtetit: legjislativ, ekzekutiv dhe judikativ. Kjo ndarje nuk guxon të jetë vetëm formale, por reale. Skepticizmi jo vetëm e mbron qytetarin nga padrejtësitë, që pushtetarët mund “të mos i shohin”, por edhe e ndihmojnë pushtetarin të qeverisë drejt nga frika e mosvotimit të sërishëm. Këta mekanizma, që në dukje mund të paraqiten si konfliktuoz, në të vërtetë luajnë rol mbrojtës dhe korrigjues. Politika etike bashkëkohore nuk flet sot vetëm për përgjegjësinë, por edhe për ndërgjegjen, dhënien e llogarisë institucionale dhe mirëqenien sociale.

Mungesa e së moralshmes në politikë krijon anarki morale dhe shumë të panjohura dhe të papritura në shoqëri. Politika duhet rishqyrtuar vazhdimisht raportin e saj me moralin. Ajo duhet rikthyer drejt moralit. Politika nuk duhet të ketë drojë që t’i rikthehet së moralshmes, për të vendosur baraspeshën e qëndrueshme në mes të moralit dhe politikës. Janë një numër përcaktimesh morale, të cilat kanë vlerë absolute ne politikë: mbajtja e premtimit, shmangia e gënjeshtrës dhe mashtrimit, konsensusi për tema të interesit nacional, respektimi i raporteve reale që sjell rezultati zgjedhor, ruajtja e sistemit të vlerave kombëtare, ndarja e pushtetit konform shkallës së mbështetjes nga zgjedhësit etj. Për këto premisa nuk vlen më shumë se sa mendja e shëndoshë njerëzore do të thoshte Kanti.

Shoqëria demokratike ka nevojë për moral në politikë, për qetësi, për respekt të ndërsjellë. Politika ka një kuptim dhe një qëllim. Qëllimi i saj është garantimi i të drejtave të njeriut, të secilit njeri veç e veç, luftimi i varfërisë, evitimi i konfliktit dhe mirëqenia. Krijimi i një shteti të mirëqenies sociale mbetet edhe më tutje një qëllim dhe orientim i mendjes politike.

(Ligjëratë e mbajtur në Bibliotekën e qytetit “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, organizuar nga Klubi i Librit, Virtual Sophists dhe Filozofia.al)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Filmi i Kastriot Abdylit “Kthimi” do të ketë premierën nesër…