Politika e jashtme dhe diplomacia e Skënderbeut

18 janar 2018 | 10:37

Dr. Sabri Kiçmari

(Me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit)

1. Hyrje

Jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu është histori dhe mit. Ndarja në mes të mitit dhe historisë mund të bëhet përmes analizës shkencore. Ishte filozofi francez François-Marie Arouet, i njohur si Voltaire, i cili e krijoi konceptin për filozofinë e historisë. Pikërisht Voltaire, një nga autorët më me influencë në kohën e Iluminizmit Francez, shprehte konsiderata më të larta për Gjergj Kastriotin duke e cilësuar Shqipërinë e kohës së Kastriotit si “një shtet që pasqyron kohën që ne e quajmë heroike”.

“Në rrafshin filozofik historinë e Skënderbeut mund ta kuptojmë si një nxitje për të reflektuar për të kaluarën, mbi qëllimet, rrethanat dhe ligjshmëritë e veprimit të Gjergj Kastriotit në një periudhë komplekse historike përmes një këndvështrimi kritik dhe analitik, bazuar në të dhënat empirike dhe reflektimet në periudhat pasuese.

Gjergj Kastrioti pa dyshim i plotëson të gjitha parakushtet e definuara nga Maks Veberi për t’u cilësuar si udhëheqës karizmatik: ai ka qenë personalitet i jashtëzakonshëm, me kualitete të dallueshme udhëheqëse ushtarake, politike dhe diplomatike, i vlerësuar edhe nga shumë bashkëkohanikë të tij si personalitet me veçori të jashtëzakonshme, me kualitete etike dhe estetike të veçanta. Kastrioti ka pësuar drama të vërteta emocionale në rrafshin njerëzor: si i ri detyrohet të ndahet nga familja, i helmohen vëllezërit, i vritet babai, tradhtohet nga nipi Hamza Kastrioti dhe nga bashkëluftëtari më i afërt Moisi Golemi, jepen shuma të mëdha për vrasjen e tij, ju përballon disa tentimeve për atentat etj. Arti dhe aftësia e tij luftarake ka ndikuar që atij t’i mveshen edhe tipare dhe veçori joreale, madje mitike.

Por, faktet historike dëshmojnë për aftësinë, inteligjencën dhe kulturën e tij. Përveç gjuhës së tij amtare shqipe, fliste perfekt italisht, osmanisht, greqisht, bullgarisht dhe arabisht. Studiuesi gjerman Fallmeyrarer shkruan se Gjergj Kastrioti paraqet “udhëheqësin më të përgatitur, më të suksesshëm dhe mjeshtrin më të madh të luftës”.

Jeta private e Skënderbeut ishte komplekse. Lindi më 6 maj 1405 në një familje fisnikësh e luftëtarësh. Gjyshi dhe babai i tij kishin marrë pjesë në Betejën e Kosovës të vitit 1389 në luftën e popujve të Ballkanit kundër Perandorisë Osmane. Deri vonë nuk denjoi të martohej, duke iu përkushtuar qëllimit të tij themelor: çlirimit të Arbërisë. Më 21 prill 1451 Skënderbeu martohet me Donikën, vajzën e Gjergj Arianti Komnenit. I lind vetëm një djalë, Gjoni. Skënderbeu sëmuret dhe vdes më 17 janar 1468 në Lezhë, në moshën 62-vjeçare.

Skënderbeu është bërë i njohur dhe popullor në shkencën ndërkombëtare më së shumti përmes librit të Marin Barletit: “Historia e Skënderbeut”. Barleti është kritikuar me të drejtë për një numër pasaktësish në të dhënat e tij. Historiani i shekullit 15-të, njësoj si Tukididi, nuk ka pasur mundësitë dhe teknikën bashkëkohore të verifikimit të të dhënave. Por, libri i Barletit është i pakalueshëm: retorika në librin e tij, përshkrimi i betejave dhe fjalimet, përmbajtja e letrave dhe përshkrimi i proceseve negociuese, vlerat dhe mesazhet politike përcjellin te lexuesi frymën e kohës.

Objekt i analizës sonë do të jetë një dimension i veçantë i veprimtarisë shtetërore të udhëheqësit më të njohur në historinë shqiptare, krijimi i shtetit, politika e jashtme dhe diplomacia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Roli i tij në krijimin e shtetit shqiptar në shekullin e 15, në mbrojtjen e identitetit shqiptar, në orientimin properëndimor të shqiptarëve, në krijimin e bazave të veprimit në politikën e jashtme, në komunikimin intensiv diplomatik është i jashtëzakonshëm për kohën. Në fund do të paraqesim edhe disa antiteza ndaj tezave të historianit zviceran Oliver Schmitt.

2. Krijimi i shtetit të Arbërit

Në krye të 300 kalorësve Gjergj Kastrioti hyri në Krujë më 28 nëntor 1448. Të gjithë shqiptarët e pritën me shumë gëzim hyrjen e tij. Pa humbje ai arrin të krijojë principatën e tij. Lehtësia me të cilën ai e merr pushtetin nuk ka të bëjë edhe aq me mashtrimin që e përdori, por me mbështetjen e banorëve dhe vullnetin e tyre për liri.

Fillimisht Skënderbeu hyn në besëlidhje të përhershme me princërit shqiptarë dhe disa nga ata fqinjë. Në Kuvendin e Lezhës më 1 mars 1444, në të cilin morën pjesë edhe përfaqësues nga vendet fqinje dhe nga shtetet përtej Adriatikut, krijohet Lidhja e Principatave të Arbërisë – Lidhja e Lezhës. Gjergj Kastrioti zgjedhet komandant i përgjithshëm i ushtrisë. Sipas Fan Nolit ushtria e tij kurrë nuk e ka kaluar numrin prej 10 000 ushtarësh, shumica e tyre kalorës të lehtë, 1/4 e tyre ishin nga aleatët. Atij ia kaluan pushtetin gjithë princat shqiptarë duke i besuar drejtimin suprem të udhëheqjes së luftës.

Në kuadër të Lidhjes së Lezhës përfaqësoheshin rajoni i Kosovës, Dukagjinit, Tregut të Ri, Dibrës, Ohrit, Vlorës dhe Artës. Në Kuvend morën pjesë familjet fisnike Arianiti, Dukagjini, Muzaka, Zaharia, Topia, Zenevishi, Dushmani dhe Spani. Nga përfaqësuesit e grupeve etnike fqinje përfaqësohej Crnojeviqi malazez. Me këtë mbështetje Skënderbeu e organizoi një ushtri mbrojtëse mobile.

Gjatë udhëheqjes së tij Skënderbeu e forcon mjaft pushtetin. Kështjellën e Krujës e konsideronte si seli të tij. Aty mbante administratën dhe priste në takime diplomatët dhe bashkëluftëtarët. Ambiciet e tij ishin shumë të mëdha. Në fillim ishin të paktë ata që besonin në aftësinë e Skënderbeut. Vetëm pas fitoreve të një pas njëshme të betejave, imazhi i tij u rrit në vend dhe jashtë tij.

Marrëdhëniet ekonomike i rregullon në interes të vendit. Udhëheqësi i kryengritjes dëshmohet edhe një zotëri prej tregtari. Ai ndërmerr një numër reformash feudale: në punimin e tokës dhe vjeljen e pemëve dhe perimeve. Kur sulltani i kërkon që tregtarët e tij të lëvizin lirshëm për shkëmbim mallrash, ai i lejon ata me argumentin e interesit të ndërsjellë. Ndihmat nga Napoli, Venediku, Vatikani dhe Raguza i vë në shërbim të bashkëluftëtarëve dhe banorëve.

Sistemi shtetëror i Skënderbeut ishte relativisht i decentralizuar. Principatat e vogla përreth Krujës, të cilat i bashkonte gjuha e përbashkët, religjioni dhe ndjenja e shtresës së përbashkët, kishin një pavarësi të madhe vendimmarrëse. Ato tashmë kishin ndërtuar një sistem të aristokracisë së ulët.

3. Politika e jashtme e Skënderbeut

Suksesi i Gjergj Kastriotit në fushën ushtarake është i padiskutueshëm nga ekspertët e fushës. Por, ai nuk do të mund të arrinte këtë sukses në fushën ushtarake pa veprimet e mençura diplomatike. Ndryshe nga Evropa e sotme me gjithsejtë 47 shtete, Evropa e shekullit 15-të përbëhej nga qindra shtete, mbretëri dhe principata. Në një ambient të tillë multishtetëror, i përballur me ndeshje ushtarake me superfuqinë e kohës, Perandorinë Osmane, Skënderbeu arriti të luante me mjeshtëri në skenën diplomatike evropiane. Nga një princ i një populli të vogël në numër, ai arriti të siguronte një imazh të tillë njohjeje dhe respekti, që nuk e kishin shumë nga udhëheqësit e popujve të mëdhenj.

Synimi Kastriotit në rrafshin e politikës së jashtme në kuadrin e Lidhjes së Lezhës ishte krijimi i një koalicioni të të gjithë princërve shqiptarë dhe të të gjithë shteteve të Evropës kundër depërtimit osman në Ballkan dhe Evropë. Lidhjet me mbretëritë, republikat, principatat evropiane dhe sidomos Selinë e Shenjtë i shfrytëzoi për të forcuar statusin e tij dhe të vendit të tij në marrëdhëniet ndërkombëtare. Këto lidhje ia forcojnë statusin e tij shtresor dhe shtetëror feudal. Politika e jashtme e Skënderbeut karakterizohet me tri veçori themelore: ajo ishte politikë e orientuar drejt vlerave euro-perëndimore të kohës, ishte politikë e aleancave dhe politikë realiste.

3.1. Politika e aleancave

Politikën e Jashtme të Skënderbeut mund ta definojmë si një politikë të aleancave. Me krijimin me sukses të shtetit të Arbërit fillojnë hapat e parë të veprimit në politikën e jashtme. Statusi i banorëve, flamuri dhe administrata shtetërore ndryshojnë. Me këtë ndryshojnë edhe parakushtet për marrëdhënie me mbretëritë, principatat dhe shtetet e tjera. Mbështetja që Kastrioti gjen te udhëheqësit e principatave përreth Krujës dhe sukseset e para në marrjen nën administrim, kryesisht me marrëveshje të principatave shqiptare, dëshmojnë se një aktor i ri dhe i rëndësishëm po etablohej në rajon.

Në fakt politika e aleancave të Skënderbeut fillon ende pa hyrë në Krujë, përmes bashkëpunimit me Janosh Huniadin, vazhdon përmes pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Venedikut gjatë mbajtjes së punimeve të Lidhjes së Lezhës dhe forcohet nëpër vite me lidhjet e ngushta me Vatikanin dhe Mbretërinë e Napolit. Ai luan me mjeshtëri në politikën e tij të jashtme në të pesë këto drejtime, duke pasur për bazë mbrojtjen e vendit nga pushtimi osman dhe mbrojtjen e interesave ekonomike të vendit.

Aleanca me Napolin. Raporti i Skënderbeut me Mbretërinë e Napolit ka qenë më shumë një marrëdhënie partneriteti, se sa raport vasaliteti. Fan Noli madje e mohon edhe të dhënën se Skënderbeu ka qenë vasal i Mbretit të Napolit. Edhe Frazee shkruan se përmes Traktatit të Gaetas Kastrioti e njohu de facto kurorën e Mbretit të Napolit si aleancë mbrojtëse, por mbeti vazhdimisht një sundimtar i pavarur. Madje Kastrioti shkon në Itali për ta mbështetur Mbretin Ferdinand nga mësymjet e fisnikëve fqinjë kundër tij. Aleanca me Napolin i siguroi Skënderbeut mbështetje të vazhdueshme në ushtarë, financa, mallra dhe teknikë.

Aleanca me Selinë e Shenjtë. Aleanca e Gjergj Kastriotit me Selinë e Shenjtë ishte e veçantë dhe permanente. Të katër udhëheqësit e Selisë së Shenjtë gjatë kohës së Skënderbeut (Papa Nikolas V, Calixtus III, Piu II dhe Paul II) e kanë mbështetur Skënderbeun me mijëra dukat të artë në të holla dhe kjo shumë ishte më e madhe se i kanë dhënë secilit shtet tjetër. Më 23 dhjetor 1457 Papa Calixtus III e shpall Skënderbeun Kapiten-Gjeneral të Selisë së Shenjtë. Papa i jep atij titullin Atlet i Krishtit ose Kampon i Krishtit.

Në nëntor 1463 Papa Piu II inicion të organizojë një fushatë lufte kundër osmanëve. Venediku dhe shteti i Arbërit i përgjigjen pozitivisht ftesës. Kastrioti i shpall luftë Perandorisë Osmane më 27 nëntor 1463. Piu vdiq në gusht 1464 në momentin kyç, kur ushtria ishte mbledhur në Ankonë dhe përgatitur për të marshuar në Shqipëri dhe kështu Skënderbeu u la sërish i vetëm. Ishte planifikuar që nga Papa Piu II Kastrioti të shpallej edhe solemnisht mbret i Shqipërisë dhe udhëheqës i koalicionit të gjithë krishterë kundër osmanëve. Ai kishte shpresë se një koalicion i tillë do të pengonte pushtimin e Evropës nga Perandoria Osmane.

Aleanca me Raguzën. Skënderbeu në politikën e tij të jashtme ju kushton rëndësi edhe marrëdhënieve me Raguzën (Dubrovnikun). Raguzianët i hapin dyert dhe Kastriotin e pret i gjithë qyteti me duartrokitje e gëzim në gusht të viti 1461. Por në anën tjetër raguzianët druheshin nga Turqit për shkak të tregtisë me drithëra me ta. Më 17 gusht 1461 Gjergj Kastrioti pritet në Senat, ku e nderojnë me dhurata dhe ceremoni shtetërore. Ai e respektojnë për faktin se Skënderbeu jo vetëm që mbron vendin e vet, por me veprat e tij ai e mbron edhe perëndimin nga mësymja osmane.Në Raguzë Skënderbeu e demonstron kombinimin e artit të diplomacisë me fuqinë ushtarake.

Aleanca me Venediku. Raportet e Skënderbeut me Venedikun kanë qenë jostabile: raporte aleance e bashkëpunimi, por edhe raporte konfliktesh e mashtrimesh. Në vitet 1446 dhe 1447 Republika e Venedikut e mbështet Skënderbeun përmes ndërmjetësimit diplomatik dhe me armë. Por, sukseset e Skënderbeut e shqetësonin Venedikun, të cilët zhvillonin një tregti stabile me Perandorinë Osmane. Në Betejën e 23 korrikut 1448 para dyerve të Shkodrës Skënderbeu detyrohet të luftojë kundër Venedikut dhe e fiton betejën.

Kjo betejë do të ndikonte që raportet e Skënderbeut me Venedikun të mbeteshin të vagëta. Me rastin e rrethimit të Krujës nga osmanët, Skënderbeu i drejtohet Venedikut për ndihmë më 14 tetor 1450. Venediku nuk e pranon ofertën e Skënderbeut, për të mos i prishur marrëdhëniet tregtare me Perandorinë Osmane. Pozicioni i Venedikut ndryshon, pasi që fillon Lufta e tyre kundër osmanëve. Së bashku me Venedikun Kastrioti luftoi kundër Perandorisë Osmane në vitet 1463-1468 derisa vdiq.

Aleanca me Hungarinë. Ende pa mbërri në Krujë Gjergj Kastrioti i kushton një rëndësi të veçantë asaj, që mund ta quajmë sot si veprim të parë të Kastriotit në politikën e jashtme. Ai e informon Janosh Huniadin për planet e tij dhe e fton që të bashkëpunojnë në luftën e përbashkët kundër Perandorisë Osmane. Vladislavi, mbreti i Hungarisë dhe i Polonisë, dhe Skënderbeu ruajnë raporte të ngushta bashkëpunimi mes vete. Megjithatë, Skënderbeu, përkundër premtimeve, nuk arrin të marrë pjesë as në Betejën e Varnës në vitin 1444 dhe as në Betejën e Dytë të Kosovës në vitin 1448, për shkak të pengesave që i dalin në rrugë nga despoti i Serbisë Gjorgj Brankoviçi. (Vijon)

Kanbera, 16 janar 2018

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 16 dhe 17 janar 2018, një delegacion i Bankës…