Posta me ekspozitë të pullave postare për 10-vjetorin e Pavarësisë

23 shkurt 2018 | 16:05

Posta e Kosovës ka prezantuar të premten ekspozitën e pullave postare në kuadër të ekspozitës së përhershme në Muzeun e Kosovës për nderë të vitit jubilar të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Eksponatet e pullave postare, paraqesin një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e Kosovës që nga viti 2000, si dhe afirmimin dhjetëvjeçar të shtetit tonë që nga shpallja e Pavarësisë e deri më tani.

Përgjatë periudhës 18-vjeçare, Posta e Kosovës ka emetuar pulla postare me pamje të trashëgimisë kulturore, me imazhe të heronjve, dëshmorëve, të personaliteteve me famë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Po ashtu, Posta ka promovuar florën vaskulare të Kosovës, pastaj të arriturat në kulturë, në art dhe në sport.

Sipas njoftimit të Postës së Kosovës, për Filatelinë e Postës së Kosovës flasin vetë rezultatet e arritura, ku vetëm gjatë vitit të kaluar është shpërblyer me dy çmime prestigjioze ndërkombëtare.

“Për pullën postare më të bukur në Botë “Shenjtërimi i Nënës Terezë” nga organizata International Philatelic Prize ‘Saint Gabriel’, në Verona të Italisë, si dhe çmimin tjetër e kemi marr për vendin e 5-të me pullën më të bukur postare ‘Evropa 2016-Mendo gjelbër’, në ekspozitën ndërkombëtare “Grand Prix De L’Exposition Wipa” të mbajtur në Austri”, është thënë në njoftimin Postës së Kosovës.

Posta e Kosovës do të veprojë në vazhdimësi në afirmimin e shtetit të Kosovës, ndërsa fton publikun që ta vizitojnë ekspozitën dhe të njihen nga afër me pullat postare të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
 Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” ka njoftuar të gjithë…