Presidenti duhet ta udhëheqë dialogun

12 korrik 2018 | 17:27

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka treguar rrugën se si subjektet politike duhet ta arrijnë konsensusin kombëtar për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.

Ajo ka bërë me dije se pas një debati Kuvendi i Kosovës duhet ta miratojë platformën për bisedime dhe ta autorizojë presidentin, së bashku me delegacionin negociues, që ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka deklaruar se qasja e Kosovës në këtë proces duhet të jetë profesionale. “Të gjitha partitë duhet të angazhohen në një debat parlamentar dhe të arrijnë një konsensus, pastaj Kuvendi ta aprovojë platformën dhe vijat e kuqe si dhe ta autorizojë një delegacion konsensual, i cili do të udhëhiqet nga presidenti për ta përfaqësuar shtetin e Kosovës në këto bisedime”, ka thënë Tahiri.

Sipas saj, subjektet politike së pari duhet të arrijnë një konsensus rreth vijave të kuqe që Kosova duhet t’i ketë në këtë proces. “Duhet të sillemi në mënyrë institucionale, sepse gati në të gjitha fazat e bisedimeve paqësore Kosova ka qenë e udhëhequr nga presidenti i vet. Në procesin e Vjenës udhëheqës i dialogut ka qenë presidenti, pastaj në bisedimet e Brukselit ka qenë kryeministri me autorizim të Kuvendit. Kështu që, mendoj se udhëheqja e delegacionit nga presidenti është në rregull dhe duhet të përkrahet. Pra, ai duhet të jetë udhëheqës i një delegacioni konsensual i cili autorizohet nga Kuvendi i Kosovës për të negociuar. Vlerësoj se në këtë proces duhet të ketë një përfaqësim të institucioneve dhe të spektrit të gjerë politik për aq sa është e mundur. Këtu kam parasysh opozitën”, është shprehur Tahiri.

Më tutje, ajo ka treguar se cilat duhet të jenë vijat e kuqe të Kosovës në këtë proces dialogu. Sipas saj, vija e parë e kuqe në këtë proces duhet të jetë që marrëveshja përfundimtare duhet të përfundojë me njohjen reciproke në mes të dy shteteve. “Duke marrë parasysh se Serbia do të kërkojë më shumë të drejta për minoritetin serb, vijë tjetër e kuqe duhet të jetë Plani i Ahtisarit, i cili i ka dhënë të drejta minoritetit serb në Kosovë më shumë se minoriteteve të tjera. Në këtë drejtim mendoj se këto të drejta duhet t’i gëzojnë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Vija e tretë e kuqe duhet të jetë që Serbia nuk duhet ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka deklaruar Tahiri.

“Epoka e re”: Znj. Tahiri, subjektet politike po bëjnë përpjekje të arritjes së një konsensusi kombëtar për fazën finale të dialogut. Sa është i nevojshëm për Kosovën një konsensus i tillë?
Tahiri: Është me rëndësi strategjike që të arrihet një konsensus i gjerë rreth fazës përfundimtare të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe të ShBA-së. Ky do të ishte konteksti ndërkombëtar i këtij dialogu. Ndërsa sa i përket kontekstit kombëtar, duhet të ketë një konsensus të gjerë rreth platformës për dialog, e cila duhet t’i bëjë të qarta vijat e kuqe që Kosova duhet t’i ketë në këtë proces të dialogut. Vija e parë e kuqe në këtë proces duhet të jetë që marrëveshja përfundimtare duhet të përfundojë me njohjen reciproke në mes të dy shteteve, sepse përfundimi i këtij procesi dhe vendosja e një kapitulli të marrëdhënieve fqinjësore dhe mbyllja e kapitullit të armiqësive mund të bëhet vetëm përmes njohjes reciproke të dy shteteve.

Duke marrë parasysh se Serbia do të kërkojë më shumë të drejta për minoritetin serb, vijë tjetër e kuqe duhet të jetë plani i Ahtisarit, i cili i ka dhënë të drejta minoritetit serb në Kosovë më shumë se minoriteteve të tjera. Në këtë drejtim mendoj se këto të drejta duhet t’i gëzojnë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Vija e tretë e kuqe duhet të jetë që Serbia nuk duhet ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Jo që Serbia mund ta pengojë, mirëpo kjo duhet të jetë pjesë e marrëveshjes si vijë e kuqe, për faktin se Serbia edhe kur bën marrëveshje, ka tendenca t’i shkelë ato, siç e kemi parë kur e kemi arritur marrëveshjen për anëtarësim në organizatat rajonale në vitin 2012. Prandaj, këto janë tri vijat e kuqe që duhet t’i ketë platforma e Kosovës për bisedime. Po ashtu, kjo platformë duhet t’i referohet së kaluarës, ku Serbia duhet t’i paguajë dëmshpërblimet për gjenocidin që e ka bërë në Kosovë në të gjitha aspektet. Pastaj platforma duhet ta përfshijë çështjen e të pagjeturve dhe çështjen e grave të dhunuara. Çështje tjetër që duhet të parashihet në platformë është demarkacioni në mes të dy vendeve dhe, në fund, Kosova nga kjo marrëveshje duhet t’i nxjerrë të gjitha ato që i takojnë si pasuri nga zhbërja e ish-Jugosllavisë. Pra, në bazë të suksesionit 1/8 e pasurisë së ish-Jugosllavisë duhet t’i takojë Kosovës. Ne një platformë që i përfshinë të gjitha këto çështje veç e kemi dorëzuar në Bruksel në vitin 2014. Tani mendoj se të gjitha partitë duhet të angazhohen në një debat parlamentar që të arrijnë një konsensus, pastaj Kuvendi ta aprovojë platformën dhe vijat e kuqe, si dhe ta autorizojë një delegacion konsensual i cili do të udhëhiqet nga presidenti për ta përfaqësuar shtetin e Kosovës në këto bisedime.

“Epoka e re”: Debati që po zhvillohet mes subjekteve politike sillet mes asaj se kush do ta udhëheqë delegacionin dhe cili duhet të jetë roli i Kuvendit në këtë proces. Është kjo qasja e duhur që mund të na çojë drejt një konsensusi për këtë çështje?
Tahiri: Mendoj se rruga e duhur për të arritur një konsensus është që së pari të arrihet konsensus për platformën dhe vijat e kuqe që duhet t’i ketë Kosova në këtë fazë të dialogut. Pastaj duhet të sillemi në mënyrë institucionale, sepse gati në të gjitha fazat e bisedimeve paqësore Kosova ka qenë e udhëhequr nga presidenti i saj. Në procesin e Vjenës udhëheqës i dialogut ka qenë presidenti, pastaj në bisedimet e Brukselit ka qenë kryeministri me autorizim të Kuvendit. Kështu që, mendoj se udhëheqja e delegacionit nga presidenti është në rregull dhe duhet të përkrahet. Pra, ai duhet të jetë udhëheqës i një delegacioni konsensual i cili autorizohet nga Kuvendi i Kosovës për të negociuar. Vlerësoj se në këtë proces duhet të ketë një përfaqësim të institucioneve dhe të spektrit të gjerë politik për aq sa është e mundur. Këtu kam parasysh opozitën.

“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për qëndrimin e opozitës, e cila tani për tani po refuzon të bëhet pjesë e këtij procesi?
Tahiri: Tani kemi të bëjmë me bisedime me armikun e Kosovës, i cili ka bërë një luftë agresore dhe gjenocidale në Kosovë. Dhe, natyrisht, kur dy shtetet që kanë qenë në konflikt lëvizin drejt vendosjes së paqes mes tyre, sigurisht se delegacioni duhet të jetë më i gjerë dhe më përfaqësues. Marrëveshja që arrihet në Bruksel duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës. Tekefundit, ky është një proces historik ku secili subjekt politik duhet ta japë kontributin e vet për të arritur një marrëveshje maksimalisht të favorshme për Kosovën, e cila do ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Ndërsa sa i përket komunitetit serb, ne kemi pakon e Ahtisarit që është pjesë e Kushtetues së Kosovës, e cila serbëve u jep të drejta jashtëzakonisht të mëdha. Pra, tani me rëndësi është ta gjejmë gjuhën e përbashkët mes spektrit politik në vend për këtë proces.

“Epoka e re”: Në Kosovë ka paska drojë për këto negociata, pasi aludohet se sërish do të bëhen kompromise të reja, përtej pakos së Ahtisarit. Sa do të jetë sfiduese për Kosovën kjo fazë finale e dialogut?
Tahiri: Frika është pjesë e këtij procesi jo vetëm në rastin e një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në çdo rast, kur dy shtete që kanë pasur luftë, pala që ka qenë viktimë e konfliktit ka frikë më të madhe. Natyrisht se tek popullata ndihet frika. Kjo ka ekzistuar edhe për Konferencën e Rambujesë, për procesin e Vjenës si dhe kur e kemi filluar procesin e Brukselit. Pra, çdoherë ka pasur frikë, kriticizëm dhe skepticizëm. Mirëpo, kur është mbrojtur mirë interesi i shteti siç kemi bërë ne, kur të gjitha marrëveshjet janë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën, nuk duhet të ketë frikë. Për të ndodhur kështu duhet përgatitje e lartë profesionale dhe politike. Mesazhi im për këtë fazë është që Kosova duhet të përgatitet që të dalim të suksesshëm edhe në këtë proces.

“Epoka e re”: A mund ta presim inkuadrimin tuaj në fazën finale të këtij dialogu?
Tahiri: Tani nuk është koha e emrave. Tani duhet të shohim se Kosova edhe këtë herë duhet të tregojë pjekuri politike siç ka treguar edhe në proceset e deritashme kur kemi biseduar me Serbinë. Tek në fazën e mëvonshme mund të vijnë në shprehje emrat e përveçëm.

“Epoka e re”: Në Bruksel ka filluar Samiti i NATO-s. Këtë herë samiti i aleancës që garanton stabilitetin e rajonit po mbahet në një frymë, ku kemi përplasje në mes të liderëve të shteteve anëtare të NATO-s. Sa është e rëndësishme për të ardhmen e rajonit uniteti i kësaj aleance?
Tahiri: Është e vërtetë se ky samit po përcillet me disa kundërthënie që vijnë nga deklaratat e aktorëve kryesorë që e kanë themeluar këtë aleancë, mirëpo siguria globale bazohet sot në bllokun euroatlantik. Prandaj, është me rëndësi që ky samit të përfundojë me një pajtim të përbashkët rreth të gjitha obligimeve që kanë palët. Pra, ashtu siç ka thënë presidenti Trump, shtetet anëtare duhet t’i kryejnë obligimet e vet, veçmas ato financiare. Ndërsa të gjitha vendet anëtare duhet ta kenë parasysh që blloku euroatlantik është një bllok strategjik për paqen globale, sidomos për neve, Kosovën dhe Shqipërinë, sepse blloku euroatlantik është aleanca jonë. Në këtë kontekst mendoj se paqja e qëndrueshme në rajon është e lidhur me suksesin e Aleancës Veri-Atlantike dhe suksesin e këtij samiti.

“Epoka e re”: Ndonjë lëkundje në këtë bllok mund të paraqesë shqetësim për vendet e rajonit?
Tahiri: Besoj se do të mbizotërojë mendimi strategjik i të gjithë liderëve të vendeve që e përbëjnë NATO-n. Çfarëdo lëkundje në këtë drejtim do t’u hapte rrugë ambicieve të Rusisë dhe vendeve joperëndimore për të kërkuar hapësira dominimi. Këto do të ishin shumë të dëmshme për vlerat perëndimore dhe për vlerat e liberal-demokracisë, për të cilat edhe ne jo vetëm si shtet, por edhe si komb shqiptar jemi përcaktuar strategjikisht. Prandaj, po besoj se edhe në këtë samit do të mbizotërojë vizioni strategjik dhe përkushtimi për vlerat perëndimore.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Republikës së Kosovës, me iniciativën e Forumit për…