Prezenca e teknologjisë informative po zbeh imazhin e librit

23 prill 2018 | 14:00

Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë ka bërë që lexueshmëria e librit të bjerë dukshëm. Kështu është thënë të hënën në aktivitetin e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare me rastin e Ditës Botërore të Librit.

Udhëheqësja e Departamentit të Edukimit Bibliotekar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Ramize Bajraktari, ka thënë se interesimi për të lexuar ka rënë ndër vite. Sipas saj, mungesa e lexueshmërisë së librave dhe zëvendësimi i tyre me teknologjinë informative ka bërë që shumë nxënës të kenë probleme në mësimnxënie.

“Shumë fëmijë po hasin në vështirësi në mësimnxënie, sepse prania e teknologjisë informative po zbeh gjithnjë e më tepër imazhin e leximit të librave. Në rrjete sociale janë të hapura shumë faqe leximi, ku mund të gjesh analiza dhe rekomandime të ndryshme, por asnjëherë nuk mund të zëvendësohet libri fizik në këtë formë”, ka thënë Bajraktari.

Ndërsa Hatmane Demiri, drejtoreshë e shkollës “Ismail Qemali”, ka folur për rëndësinë e madhe të librit, duke bërë apel që të rinjtë dhe të vegjlit t’i lënë telefonat e të lexojnë sa më shumë.

“Ta vizitojmë sa më shumë bibliotekën dhe të lexojmë sa më shumë. T’i lëmë pak telefonat anash. Të gjitha shkollat dhe të gjithë ne duhet të bëjmë thirrje që sa më shumë të lexojmë, sepse nuk mund të ecim përpara pa lexim dhe pa dije”, ka deklaruar Demiri.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Spanja humb të drejtën e organizimit të Kampionatit Evropian U-23…