“Prishtina Lexon” përmbyllet me aktivitetin “Silent Reading Party”

03 qershor 2018 | 21:33

Aktiviteti “Silent Reading Party” ka shënuar përfundimin e festivalit të leximit “Prishtina Lexon”, i cili kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e leximit te nxënësit dhe shoqëria.

Kryeqyteti për një javë rresht ka qenë nikoqir i shumë aktiviteteve, të cilat janë organizuar në kuadër të këtij festivali, ndërsa aktiviteti i fundit i festivalit të leximit “Silent Reading Party” është organizuar nga “Etea” dhe “Termokiss”.

Drejtori i organizatës “Etea”, Agon Ahmeti bëri të ditur se organizimi i fundit në kuadër të festivalit të leximit ka mbledhur të rinj, të cilët bashkërisht do të lexojnë dhe në fund do t’i ndajnë mbresat e tyre për librin të cilin e kanë lexuar.

“Në kuadër të festivalit “Prishtina Lexon” që ka filluar nga e hëna kemi pas aktivitete në mënyrë intensive ashtu për çdo ditë të javës, duke përfshi edhe të dielën. Sot jemi këtu në park të qytetit me aktivitetin “Silent Readin Party” që në përkthim është si festa e leximit në heshtje. Është një aktivitet që e kemi parë nëpër rrjetet sociale, nëpër vende të ndryshme të perëndimit dhe mblidhen të rinj, të reja, grup mosha të ndryshme, në mënyrë të përbashkët lexojnë libra, dëgjojnë muzikë, do të thotë përcjellët me muzikë klasike më shumë. Në fund bashkëbisedojnë për librat që i kanë lexuar, pse i kanë zgjedhur ato libra që i lexojnë sot”, ka deklaruar ai.

Ahmeti për KosovaPress bëri të ditur se numri i pjesëmarrësve në aktivitetet, të cilat janë organizuar në kuadër të “Prishtina Lexon” ka qenë i kënaqshëm, por që ai u shpreh se gjithmonë dëshirojnë të kenë më shumë. “Siç po shihet, është një numër i kënaqshëm, normalisht dëshira e organizatorëve gjithmonë është me pas më shumë e më shumë. Por, që këtë vit “Prishtina Lexon” ka qenë shumë e ngarkuar me aktivitete dhe mendoj që ka pasur një numër të madh të përfituesve pasi që janë përfshirë të gjitha grup moshat. Ka pasur aktivitete për fëmijë, të rinj dhe po besoj që kemi bërë një punë pozitive, por me shpresën që “Prishtina Lexon” ka me pas program vjetor. Në kuadër të këtij programi sot përfundon java e “Prishtina Lexon” me këtë aktivitet dhe po besoj që vikendin e ka bërë më të bukur dhe më të mirë”, bëri të ditur ai.

Aktivitetit të fundit të festivalit “Prishtina Lexon” iu ka bashkangjitur edhe studentja Donjeta Bajraktari, e cila ka përzgjedhur librin “Dritarja ruse” të autorit Drafan Velikiq.

“Arsyeja se pse iu kam bashkangjitur sot këtij aktiviteti është se më ka pëlqyer shumë me qenë pjesë e një organizimi të tillë dhe po më pëlqen shumë ideja e festivalit “Prishtina Lexon”, pasi që edhe sot e diel, pak relaksim për ne si studentë”, ka thënë ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qershori është afati të cilin e ka dhënë Bashkimi Evropian…