Procedohet Projektligji për Inspektoratin e Arsimit

06 shkurt 2018 | 14:14

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, të martën me 9 vota për dhe një abstenim ka dërguar në Kuvendin e Kosovës për lexim të parë projektligjin për Inspektoratin e Arsimit.

Me këtë rast, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se ky ligj do ta ngritë dhe përmirësojë cilësinë e arsimit në Kosovë.

“Mendoj se do të ketë një kontroll dhe ngritje të cilësisë në arsim. Te ky ligj kemi dy grupe të inspektorëve: grupi i parë do të merret më çështjet pedagogjike dhe grupi tjetër me çështjet administrative”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka treguar se do të kërkojë nga Ministria e Financave buxhet shtesë për implementimin e këtij ligji.

“Për implementimin e këtij ligji dhe rritjen e numrit të inspektorëve, MAShT-i do të kërkojë nga Ministria e Financave rritje të buxhetit. Mendohet të punësohen rreth 40 inspektorë të rinj dhe për këtë arsye na duhet më shumë buxhet. Mendoj së kjo do të jetë njëra ndër sfidat e implementimit”, ka thënë Bytyqi.

Kurse, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka propozuar që pjesë e inspektimit të jenë edhe nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Propozim konkret kam se pjesë e inspektimit duhet të jenë edhe mësimdhënësit dhe nxënësit. Mendoj që çdo katër vite profesorët e një shkolle të vizitojnë shkollën tjetër dhe të inspektojnë kolegët e vet”, ka thënë ajo.

Ndërkaq deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka bërë apel që në inspektimin e mësimdhënëseve të jenë inspektorët e fushës së njëjtë, në mënyrë që të vlerësohet saktë performanca.

Deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, ka kërkuar që të krijohet një agjenci e inspektoratit.

Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se projektligji i përgatitur në mandatin e kaluar nga MAShT-i nuk do duhej të kthehej tashmë prej fillimi, por të merrej ai projektligj.

“Me pengon fakti se projektligjet gati të përfunduara po kthehen prej fillimi. Ka përzierje në mes të kontrollit të cilësisë në arsim dhe zbatimit të procedurave”, ka thënë Nagavci.

(Arbisa SHEFKIU)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ambasadori i Maqedonisë në Bruksel, njëherësh profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare,…