Prodhuesit e industrisë së drurit nga Kosova në tregun evropian

12 janar 2018 | 15:33

Gjatë muajit janar 2018, dhjetë prodhues nga Kosova të industrisë së përpunimit të drurit do të prezantojnë produktet dhe zgjidhjet e tyre për enterier në dy prej panaireve më të mëdha evropiane të kësaj industrie. Është hera e dytë që Kosova prezantohet në panairin IMM Këln (Gjermani) dhe” Swissbau” në Basel (Zvicër).

“Kompanitë Palma”, “Albed” dhe “Berto” do të marrin pjesë në panairin IMM që mbahet në datat 15 – 21 janar 2018. Në panairin IMM, furnizuesit dhe vendimmarrësit nga tregjet më të mëdha të sektorit të dizajnit të enterierit nga e gjithë bota përcaktojnë të ardhmen e këtij biznesi.

Në IMM, kompanitë kosovare do të prezantojnë produktet e tyre, si: kuzhina, dhoma të fjetjes, divanë, tryeza, karrige dhe elemente të ndryshme për enterier.

Ndërsa shtatë kompani të tjera nga Kosova: “Shehu”, “Lesna”, “Elnor”, “Greenhouse”, “Koba”, “Graniti” dhe “Binni” do të ekspozojnë produktet e tyre të ndryshme nga druri në panairin “Swissbau” që mbahet në datat 16 – 20 janar 2018. Ky është panairi kryesor për industrinë e drurit dhe të ndërtimtarisë në Zvicër.

Në “Swissbau”, kompanitë kosovare do të ekspozojnë një gamë të gjerë të produkteve, si: dyer, dritare, kuzhina, shkallë prej druri, elemente të drurit për enteriere dhe produkte të tjera.

“Prodhuesit kosovarë po e arrijnë me sukses synimin e tyre që të jenë të pranishëm në tregun evropian, me produktet dhe cilësinë që ofrojnë,” deklaroi Arieta Vula-Pozhegu, Drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës. “Pjesëmarrja në këto panaire është e një rëndësie strategjike për kompanitë dhe për industrinë e drurit të Kosovës, pasi shërben si prezantim dhe pikë hyrjeje në këtë treg”.

Historitë e suksesit nga pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare të industrisë nuk mungojnë. Në vitin 2016, kompania SHEHU mori pjesë për herë të parë në panairin Swissbau që mbahet çdo dy vjet. Atje, SHEHU krijoi kontakte me një prodhues zviceran të shtëpive prej druri. Tani, SHEHU është furnizuesi kryesor me shkallë prej druri të prodhuara në Kosovë për kompaninë zvicerane Cre-Habitat, raporton “KP”.

“Ndjehem krenar që shkallët e prodhuara në Kosovë gjendet në shtëpitë zvicerane. Është shenjë e besimit në cilësinë që ofrojmë ne”, deklaroi Kreshnik Shehu, pronar i kompanisë SHEHU.

Pjesëmarrja e dhjetë kompanive në këto dy panaire mbështetet nga :Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), USAID dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Agjencioni Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar “Deutsche Gesellschaft für internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH. Mbështetja koordinohet nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës SHPDK.

No automatic alt text available.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Financave të hënën me 15 janar, do të…