Profili i Halil Alidemës

03 maj 2018 | 11:31

Prof. dr. Resmije Kryeziu

(Prof. dr. Hysen Matoshi, “Mr. Halil Adidema: jeta dhe veprimtaria”, botoi Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2017)

Stiv Jobs në një prononcim thotë: “Koha jonë është e kufizuar, prandaj mos e humb atë duke jetuar jetën e dikujt. Mos lejo që zhurma e mendimeve të njerëzve të tjerë të shurdhojë zërin tënd të brendshëm. Ki kurajë ta ndjekësh zemrën dhe intuitën tënde”. Nuk e di nëse Halil Alidema i kishte lexuar këto fjalë të Stiv Jobsit, iniciatorit dhe promotorit të teknologjisë së re informatike që i ka dhënë vulë mendësisë së lirë të shekullit XX dhe XXI, por e di se Halil Alidema kishte vepruar tërë jetën e tij duke e ndjekur idealin e tij të zemrës dhe mendjes pavarësisht prej të gjitha “zhurmave” që e kishin ndjekur gjatë jetës së tij, duke nisur që nga fëmijëria. Vullneti tij ishte më i fortë se pengesat që mundoheshin t’ia kurthonin rrugët dhe t’ia shuanin zjarrin që kishte në zemër për t’i ndriçuar rrugët drejt lirisë së atdheut.

Magjistër Halil Alidema ishte njëri ndër ata që nuk pajtohej me robërinë, ishte ndër të parët, në mos i pari, që ishte i bindur se liria nuk falet dhe për te duhet luftuar me të gjitha mjetet që çojnë  drejt fitores përfundimtare. Në jetën politike ai në fillim iu bashkua Lidhjes Demokratike të Kosovës, por formati politik që e ndiqte asokohe kjo parti nuk i shkonte për shtati atij, sepse ai rrugën drejt lirisë nuk e shihte në kuadër të Jugosllavisë. Këto shqetësime të ligjshme e shtyjnë ta themelojë Partinë e Unitetit Kombëtar, sepse e kishte të qartë se vetëm ashtu do të realizoheshin idealet e brezave që luftuan ndër vite.

Gama e aktiviteteve të tij ishte e gjerë dhe si i atillë synonte që ta qëllonte armikun, Jugosllavinë unitare nga të gjitha anët. Halil Alidema ishte poet, studiues, politikan, diplomat dhe si kurorë e të gjitha këtyre epiteteve ishte luftëtar i paepur i lirisë. Profesor doktor Hysen Matoshi në monografinë “Mr. Halil Adidema – jeta dhe veprimtaria” ia ka dalë që t’i ftillëzojë të gjitha shtigjet nëpër të cilat shtegtonte gjatë gjithë jetës magjistër Halil Alidema. Me thellësi të mendimit, autori Hysen Matoshi arriti që t’i ndriçojë dritëhijet e kohës që i paraprinë luftës finale për lirinë e Kosovës.

Duke ecur shtigjeve të mr. Halil Alidemës, autori, prof. dr. Hysen Matoshi, na zbulon shumë të vërteta të panjohura deri tani, duke u bazuar në dokumente, fakte të nxjerra nga arkivat dhe në burime të tjera kombëtare e ndërkombëtare.

Figura e mr. Halil Alidemës – intelektualit, luftëtarit të lirisë, që u shua më 1996, në rrethana të dyshimta në një spital të Tiranës, na ndriçohet sa nga faktet e shkruara ashtu edhe nga rrëfimet e bashkëluftëtarëve të tij dhe në këtë mënyrë ne zbulojmë se ky intelektual dhe luftëtar i paepur nuk u kënaq vetëm me shkrime, analiza politike, rrugëtime nëpër konferenca ndërkombëtare, ku e mbronte të drejtën e shqiptarëve të Kosovës, por aktivitetin e tij e shtriu edhe në përgatitje për të nisur luftën e armatosur për çlirimin e Kosovës.

I ndjekur në çdo hap nga sigurimi jugosllav, ai duke dashur t’i mundësojë partisë së tij të re një hov, pas burgut largohet nga Kosova dhe tërhiqet në një ilegalitet të thellë dhe aktivitetin politik në fillim e vazhdon nga Maqedonia dhe pasi edhe atje i bien në gjurmë ai tërhiqet në Shqipëri. Edhe atje sigurimi jugosllav e ndjek hap pas hapi dhe, duke mos i mbetur hapësirë për veprim, ai i drejtohet diasporës dhe vepron kudo që ka shqiptarë në Evropë.

I bindur se lufta kundër Jugosllavisë nuk do të ishte e suksesshme nëse nuk do ta kishte edhe përkrahjen politike edhe atë ushtarake të shteteve evropiane, Halil Alidema si luftëtar dhe intelektual kontakton me personalitete të ndryshme politike, u shkruan dendur atyre, merr pjesë në konferenca ndërkombëtare, gjithsesi pa e harruar asnjëherë luftën e armatosur. Kërkon mbështetje në ato shtete që nuk ishin afër kufijve të Jugosllavisë, por që e njihnin sadopakproblemin e shqiptarëve.

Ai shtegton nga Evropa Perëndimore, në Lindjen e Mesme çdoherë duke e hequr bukën e tij të gojës me qëllim që t’iu bënte ballë udhëtimeve gjithandej. Këto lëvizje të pandërprera pikësynim përfundimtar e kishin luftën e armatosur, ndërsa me kohë u mbështetën edhe nga emigracioni shqiptar liridashës. Shqipëria ishte shteti, të cilin Halili tërë kohën e kishte në zemër dhe që do ta mbante deri në vdekje. Ishte i bindur se vetëm nga Shqipëria do të mund të vepronte drejt Kosovës, ai përgatitet t’i presë luftëtarët e ardhshëm që do të stërviten atje për luftën që po trokiste në Kosovë.

Mbi këtë platformë ai gjeti mbështetje edhe nga stafi ushtarak që nuk ishte aktiv në Ushtrinë e Shqipërisë. Gjeneral Ruzhdi Saramati, komandantit të Brigadës së 128, i cili e udhëhoqi ofensivën heroike të Pashtrikut, bashkëluftëtar i ditëve të para i mr. Halil Alidemës, kur kujton Halilin, mes tjerash, pohon: “Halili ia stërviti Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rreth 1800 luftëtarë të përgatitur. Një pjesë e madhe e tyre vinte nga Uniteti Kombëtar Shqiptar për bashkimin trojeve. Numerikisht i kishte 136 njësite që ishin në atë kohë të organizuara nga njësite treshe, pesëshe, shtatëshe, nëntëshe dhe njëmbëdhjetëshe. Por, pa Halilin nuk do të ishte arritur kjo punë e madhe që u bë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, thotë ai.

Figura dhe kontributi i Halil Alidemës për luftën çlirimtare të Kosovës nuk është vlerësuar aq sa duhet dhe si duhet, prandaj ishte  koha e fundit që bashkëluftëtarët e tij, ata që me të ishin në agimet e ditëve të para ta vinin në vend nderi emrin e atdhetarit të shquar Halil Alidema. Prof. dr. Hysen Matoshi, në monografinë e tij “Mr. Halil Adidema – jeta dhe veprimtaria”, ka arritur që ta ravijëzojë aktivitetin atdhetar të Halil Alidemës dhe jo vetëm kaq. Qasja mbi të cilën është ndërtuar kjo vepër shquhet me vlera të pamohueshme faktografike, të cilat me një gjuhë të pastër e stil të qartë shkencor, autori lëndën e mbledhur në arkiva të ndryshëm ka arritur asimilojë dhe përpunojë si dhe me analizat e tij të nxjerrë përfundime të qarta e të sakta, duke ndihmuar që lexuesit të kohës së sotme t’i ofrohet njohuri për të gjitha ato aktivitete që ndihmuan në rritjen e ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Prandaj, kjo vepër do të jetë një kontribut i çmuar për ndriçimit e të gjitha lëvizjeve që i kanë paraprirë dhe kanë qenë pjesë e pandarë e fitores përfundimtare për lirinë e Kosovës. Si e tillë  monografia “Mr. Halil Adidema – jeta dhe veprimtaria”, e studiuesit prof. dr. Hysen Matoshi do të jetë një gur i çmueshëm në përkufizimin e lëvizjeve tona çlirimtare dhe burim i çmuar për shkrimin e historisë më të re të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avancimi i shërbimeve ajrore në Kosovë është interes i të…