Pse kaq ngadalë integrimi i Kosovës në BE

06 shkurt 2018 | 13:26

Nga Mimoza Kelmendi

-Në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë

Perspektiva evropiane për Kosovën është bërë e ditur që nga Deklarata e Selanikut e Qershorit 2003, megjithëse edhe më parë në mbledhjen e Këshillit Evropian të mbajtur në Qershorin e vitit 2000 në Feira, Portugali, deklarohej se “vendet e Ballkanit Perëndimor konsideroheshin të gjitha vende kandidate të mundshme për t’u anëtarësuar në BE dhe që një nga objektiva e BE duhej të ishte përfshirja e këtyre vendeve në proceset politike dhe ekonomike të Evropës.

Një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 18 shkurt 2008, Këshilli Evropian u mblodh dhe duke marrë parasysh qëllimet e deklaruara nga liderët e Kosovës për shpalljen e pavarësisë, përcaktoi se vendet e BE do të njohin republikën e re në përputhje me praktikat kombëtare dhe ligjin ndërkombëtar.
Por rruga drejt BE-së duket edhe më e gjatë…

Cilat janë pengesat?

Integrimi evropian nuk duhet parë vetëm si një çështje statusi, procesesh juridike apo politike, përfshirë këtu dhe vetë fraza slogan “integrim në Europë”. Gjithashtu, nuk duhet parë as si dekoratë, që të jepet pas një shërbimi apo veprimtarie të mirë. Në këtë sens integrimi i Kosovës në BE nuk duhet trajtuar vetëm si një proces zbatimi apo jo i detyrave “europiane”, sipas dokumenteve dhe deklaratave të Brukselit apo Strasburgut. Nuk duhet trajtuar as edhe si peng i pamundësive apo kufizimeve europiane apo si produkt i investimeve dhe ndihmave financiare më të mëdha sesa të deritanishmet. Integrimi evropian ndodh kur shteti dhe shoqëria ndihen të tillë. Nuk duhet keqkuptuar “ndjesia”, pasi shtetasit e Kosovës ndihen evropianë. Ndjesia për të cilën bëhet fjalë është ajo që e bën të ndihet evropian një shtetas të Italisë, Gjermanisë apo Suedisë, dhe ajo është besimi që ata kanë tek shteti, jo domosdoshmërisht tek qeveria.

Ky besim duhet kuptuar si një bashkëjetesë e sinqertë dhe e ndershme e shtetit me qytetarin, në të gjitha aspektet. Në Kosovë një gjë e tillë nuk funksionon. Shtetasit nuk bashkëjetojnë sinqerisht dhe ndershmërisht me shtetin, ose më mirë nuk vendosen në kushtet për ta bërë një gjë të tillë. Sigurisht, pjesa më e madhe e përgjegjësisë i shkon organeve qeverisëse në të gjitha nivelet, pasi janë ato që kanë detyrimin dhe autoritetin që iu buron nga sovrani, populli, për të ndryshuar situatën. Ky është problemi thelbësor për integrimin evropian të Kosovës. Në sondazhet e kryera rezulton se shumica e qytetarëve në Kosovë mendon se proceset demokratizuese nuk shkojnë në drejtimin e duhur në vend. Kjo gjendje varet nga shumë faktorë:

Faktori i parë është ekonomia e dobët e Kosovës dhe varfëria e madhe. Rreth 50% e popullsisë së Kosovës janë të pakënaqur nga pikëpamja ekonomike si dhe janë të gatshëm të protestojnë hapur për këtë situatë apo të largohen nga vendi . Kosova për nga raporti është shteti me popullsinë më të re në rajon dhe pjesa më e madhe e tyre është e papunë.

Faktori i dytë është padrejtësia sociale. Sipas sondazheve korrupsioni është një faktor madhor dhe me shumë ndikim në jetën publike. Korrupsioni lidhet edhe me një pjesë të papunësisë, sa 30% e qytetarëve mendojnë se punësimi mund të arrihet duke pasur një të afërm të pushtetshëm në aspektin publik, ose të jesh i angazhuar politikisht apo të paguash ryshfet për të ndërmarrë një sipërmarrje private, biznesi. Institucionet më të korruptuara shtetërore në Kosovë, sipas opinionin publik, konsiderohen pikërisht organet e qeverisjes qendrore ose në varësi të drejtpërdrejtë të saj. Këto të dhëna dëshmojnë paaftësinë dhe mungesën e interesit të organeve shtetërore ndaj qytetarëve.

Faktori i tretë ka të bëjë me mungesën e sundimit të ligjit. Zbatimi i ligjit në Kosovë ndikohet nga kushtet që kanë shkelësit për të anashkaluar dënimin. Korrupsioni në gjykata, ndërhyrja politike në proceset gjyqësore si dhe vonesat e mëdha në gjykimin e çështjeve nuk paraqesin një situatë pozitive në këtë aspekt. Për qytetarët kjo është dëshpëruese.

Faktori i katërt ka të bëjë me situatën ndëretnike në Kosovë dhe menaxhimin e aspiratave të tyre. Situata në krahinat veriore të Kosovës në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike është shqetësuese. Mungesa e shtrirjes së autoritetit shtetëror por edhe mungesa e një autoriteti domethënës në disa zona veriore, qoftë të ndërkombëtarëve, qoftë të Serbisë është diçka negative, që kontribuon më tepër në rritjen e pasigurisë sociale.

Të gjithë këto faktorë bien në kundërshti me atë çka është BE aktualisht. Autoriteti kryesor për menaxhimin e këtyre faktorëve është në radhë të parë shteti i Kosovës si dhe organet e tij, por është edhe vetë popullsia e saj. Analiza e këtyre faktorëve tregon se këto dy aktorë thelbësorë nuk bashkëpunojnë siç duhet dhe ky është problemi që ka ndikimin më të madh në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Integrimi në BE është objektiv i njëjtë për këta dy aktorë por bashkëveprimi është minimal. Nga ana e organeve shtetërore e sidomos atyre të Qeverisë së Kosovës, integrimi evropian interpretohet, ose më mirë të thuhet përkthehet, në përfundimin e marrëveshjeve të përvitshme për financime, deklaratave përkrahëse, liberalizimit të vizave, raporteve të progresit, etj., pra kryesisht në aspektin burokratik të tij. Për qytetarët integrimi evropian qëndron tek vlerat, siguritë, ndjesitë, imazhet, pra, shumë më i thjeshtë. Ata janë sot të vetmit qytetarë në Ballkan që nuk lëvizin drejt Evropës pa vizë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, sot ka pritur një…