Ramadani: Kosova është e sigurt

23 maj 2018 | 14:43

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me paralajmërimin e medieve serbe se gjoja FSK-ja me ndihmën e NATO-s po përgatisin një operacion në veri të vendit.

Në profilin e vet në “Facebook”, Ramadani ka shkruar se Kosova është e sigurt dhe e përkushtuar që bashkë me partnerët ndërkombëtarë dhe me të gjitha komunitetet etnike të zhvillojë jetën e qetë, stabile dhe të sigurt.

“Propaganda në disa media serbe, krejtësisht e ngjashme me propagandat e fillimshekullit të 20-të. Kosova është e sigurt, e mbrojtur dhe e përkushtuar që bashkë me partnerët ndërkombëtar (NATO/KFOR) dhe me të gjitha komunitetet etnike të zhvillojë jetën e qetë, stabile dhe të sigurt. Asgjë të vërtetë nga lajmet e rrejshme në Serbi, që fatkeqësisht vetëm çrregullojnë ndjenjat e publikut të atjeshëm. Sepse, në Kosovë nuk u beson kush këtyre të pavërtetave. As institucionet, as qytetarët, as komunitetet etnike, as partnerët ndërkombëtarë. Të gjithë e kemi të qartë të vërtetën tonë të përbashkët”, ka shkruar Ramadani.

Mediet serbe kanë shkruar se autoritetet e Prishtinë me ndihmën e aleatëve të NATO-s janë duke përgatitur operacion te vendkalimet administrative në veri të vendit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe ai i…