Raporti i RTK-së kalon, kurse i KPM-së jo

22 qershor 2018 | 16:40

Bordi i Komisionit të Pavarur për Media të premten ka raportuar para Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie për raportin e punës për vitin 2017.

Gjatë këtij raportimi është thënë se KPM-ja nuk ka pasur shumë aktivitete, por megjithatë, janë bërë punë të rëndësishme për procesin e digjitalizimit, i cili është tërhequr zvarrë që shumë kohë, por që do t’i vije fundi edhe kësaj teme.

Anëtari i Bordit të KPM-së, Xhemajl Krasniqi, ka veçuar se për vitin e kaluar në procesin e zgjedhjeve disa medie në Kosovë janë gjobitur me mjete financiare me mijëra euro për shkelje të Kodit të Etikës për ofruesit e shërbimeve mediale.

Ai ka thënë se KPM-ja ka për synim vënien nën kontroll të medieve elektronike, veçanërisht portalet.

Ndërsa kryetari Komisionit për Administratë Publike, Nait Hasani, ka thënë se KPM-ja e ka për obligim ta bëjë edukimin medial në kuptimin pozitiv dhe jo të merret vetëm me gjoba për fushata zgjedhore.

Ai ka thënë se 50 kanale televizive operojnë ilegalisht në Kosovë.

Edhe anëtarja e këtij komisioni, Xhevahire Izmaku, ka pasur vërejtje në raportin e KPM-së, ku me shumicë votash është vendosur që raporti duhet të kthehet për plotësim sërish nga ana e KPM-së.

Maliqi: Kemi arritur që në mënyrë racionale ta shpenzojmë buxhetin

Edhe bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka raportuar për punën njëvjeçare para këtij komisioni për punën e transmetuesit publik.

Kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, ka thënë se bordi në bazë të mandatit e ka shqyrtuar dhe përcjellë me kohë në Kuvendin e Kosovës, raportin vjetor të punës për vitin 2017.

Këtij raporti sipas saj, i janë bashkëngjitur edhe pasqyrat financiare të audituara nga auditori i jashtëm i pavarur, ashtu siç parashihet me Ligjin e RTK-së.

Ajo ka siguruar se bordi dhe menaxhmenti kanë arritur që në mënyrë racionale ta shpenzojnë buxhetin, që nuk është bërë asnjë tejkalim buxhetor, por është përmbajtur në kufijtë buxhetor.

Maliqi ka theksuar se në vazhdimësi kanë potencuar se buxheti aktual nuk është zhvillimor, sepse RTK-ja ka nevojë për investime të shumta, sidomos në teknologji.

Më tutje, ajo ka thënë se ndërtimi i objektit të ri të RTK-së do t’i jepte fund të gjitha problemeve logjistike.

Edhe Xhevahire Izmaku, anëtare e komisionit, ka shprehur vlerësimet dhe vërejtjet e saj, mirëpo ka uruar kalimin në parim të ligjit të ri për RTK-në, i cili sipas saj, do të largojë dyshimet që RTK është e ndikuar nga politika.

Ndërsa anëtarët tjerë të këtij komisioni kanë ngritur çështjet e zhvillimit të RTK-së në aspektin e kanaleve dhe shërbimeve.

Në fund, Komisioni për Administratë Publike dhe Medie ka miratuar unanimisht raportin vjetor të RTK-së për vitin 2017.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë të premten…