Reçica: Sfidë mbetet punësimi i personave me aftësi të kufizuara

18 korrik 2018 | 13:35

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica gjatë raportimit të tij para anëtareve të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se sfidë mbetët punësimi i personave me aftësi të kufizuar.

Sipas tij, krahas udhëzimeve të shumta administrative që kanë bërë për  ligjin për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me nevoja të veçanta, ky ligj po ballafaqohet edhe me ligjin për shërbyes civil i cili të gjithë punëtorët i trajton në mënyrë të barabartë.

Gjatë raportimit para Komisionit ministri i Punës, Reçica foli edhe për rrezikshmërinë në punë i cili u shpreh se me qëllim të rritjes së sigurisë në punë kanë dyfishuar numrin e inspektimeve në terren. “Nga aspekti i mbikëqyrjes së legjislacionit veçmas për rrezikshmërinë në punë kemi filluar inspektimet e punëdhënësve për sigurimin e dokumentit për vlerësimin e rrezikshmërisë në vendet e punës, në anën tjetër kemi filluar procesin e licencimit të subjekteve që ofrojnë këtë shërbim dhe kemi certifikuar persona të cilët janë përgjegjës për sigurinë në punë tek punëdhënësit. Rreth mbikëqyrjes së legjislacionit nga siguria dhe shëndeti në punë inspektorët e punës kanë filluar në mënyrë intensive inspektimet dhe po të shikohet puna e inspektoratit për të njëjtën periudhë kohore me numër të njëjtë të inspektorëve kemi dyfishuar inspektimet në terren veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë ku klasifikohet si sektori me shkallë të rrezikshmërisë më të lartë“, ka deklaruar ai.

Kurse, sa i përket zbatimit të ligjit për personat e verbër Reçica, ka thënë se janë duke punuar që trajtimi medikosocial i kësaj kategorie të kryhet edhe në qendrat e tjera e jo vetëm në ShSKUK ashtu siç ka ndodhur deri më tani.

Ai po ashtu ka thënë se sfidë për zbatimin e ligji  për personat e verbër,mbetët  çështja e librezave të të verbërve.  “Ka një paqartësi tek ligji lidhur me librezat e të verbërisë , në bazë të nenit 17 të këtij ligji pika 8 shoqatat lëshojnë libreza dhe jo MPMS, dhe gjithashtu në nenin 18 thotë se në fund të vitit kalendarik e specifikon që shoqatat e të verbërve të Kosovës obligohen të dorëzoj regjistrin e evidencave të librezave të lëshuara, kështu që e komplikon këtë punën e ndryshimit të librezave të kësaj kategorie”, ka thënë Reçica.

Reçica po ashtu, ka deklaruar se është e padrejtë që pensionistët çdo 6 muaj të lajmërohen në sportelet për të vërtetuar se janë gjallë, gjë për të cilën ka thënë se janë duke punuar që ky problem të evitohet.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Evropian ka bërë me dije se komisionari për Punë…