Reforma shtetërore të jetë e guximshme dhe strategjike

16 prill 2018 | 12:26

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka deklaruar se reformat shtetërore duhet të jenë të guximshme, afatgjata dhe strategjike.

Ai ka pranuar të metat në administratën shtetërore, duke thënë se ka shumë pabarazi në hierarkinë institucionale, funksione publike dhe në paga. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se në këtë proces duhet të ndërtohen themelet e qëndrueshme që do të shërbejnë për zhvillim të qëndrueshëm në dekadën e dytë të shtetësisë. “Qëndrimi im është të kemi guxim si shoqëri dhe qeveri për t’i parë të metat dhe për të sugjeruar një bazë të qëndrueshme të sistemit qeverisës në vend. Për fat keq, ka shumë pabarazi si në hierarki institucionale, funksione publike e shtetërore, po ashtu edhe në paga. Për këtë arsye vizioni i këtyre reformave duhet të jetë i guximshëm, afatgjatë dhe më strategjik”, ka thënë Tahiri.

Ai ka treguar se në fazën e parë fokus i veçantë do të jetë pakoja e ligjeve për reformën e administratës shtetërore, detyrë kjo që del nga Agjenda Evropiane e Reformave (ERA). “Një muaj nga marrja e mandatit, shoh se ekziston vullneti politik dhe institucional që ky proces të përmbyllet. Këtu një qasje profesionale dhe përkushtim të madh e shoh nga Ministria e Administratës Publike, duke përfshirë gjithë mekanizmat institucionalë dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ai. Tahiri ka vlerësuar se në këtë proces, për dallim nga vendet e rajonit, nuk ka ndarje në mes të pozitës dhe opozitës.

Ndër të tjera, Tahiri ka folur edhe për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai është shprehur i bindur se nuk do të ketë koncesione të tjera për këtë asociacion. “Mekanizmat e themeluar nuk janë aty për koncesione, por në rend të parë për ta zbatuar në plotësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të siguruar një proces profesional dhe gjithëpërfshirës. Duke u siguruar se draftimi i statutit ka kaluar në një vlerësim final nga Gjykata Kushtetuese dhe se kemi përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, është shprehur Tahiri.

 

“Epoka e re”: Z. Tahiri, ju që një kohë jeni emëruar koordinator nacional për reforma shtetërore. Cila do të jetë detyra juaj?
Tahiri: Me propozim të kryeministrit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për emërimin tim koordinator nacional për reforma shtetërore. Detyra ime është të koordinoj në nivel vendi procesin e reformave duke shërbyer si interlokutor në mes të institucioneve vendore në të gjitha nivelet dhe koordinimit me aktorët ndërkombëtarë, mekanizmat profesionalë dhe shoqërinë civile. Fushëveprimi i koordinatorit nacional për reforma shtetërore, shtrihet në mbështetje, koordinim, zhvillim dhe zbatim të politikave të përbashkëta në proceset reformuese. Po ashtu, ndihmon koordinimin në mes të nivelit qendror dhe lokal dhe rritjen e efikasitetit për aktivitetet e ndërmarra në funksion të reformës që dalin nga nismat institucionale, Agjenda Evropiane e Reformave (ERA) dhe promovimin e Synimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG). Fokus në periudhën e parë është mbështetja e procesit të reformave të administratës publike, në veçanti tek pakoja e ligjeve në këtë fushë.

 

“Epoka e re”: BE-ja dhe ShBA-ja vazhdimisht kanë kërkuar prej institucioneve të Kosovës reforma në administratën publike dhe vazhdimin e reformës zgjedhore. Çfarë qasje do të keni ndaj këtyre dy kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare?
Tahiri: Në fazën e parë fokus i veçantë kam vendosur tek pakoja e ligjeve për reformën e administratës shtetërore. Kjo detyrë del nga Agjenda Evropiane e Reformave (ERA) dhe është shqetësim i ngritur përvitshëm nga Raporti i Progresit për Kosovën. Një muaj nga marrja e mandatit, shoh se ekziston vullneti politik dhe institucional që ky proces të përmbyllet. Këtu një qasje profesionale dhe përkushtim të madh e shoh nga Ministria e Administratës Publike, duke përfshirë gjithë mekanizmat institucionalë dhe partnerët ndërkombëtarë. Pra, ekziston një dinamikë e shtuar në këtë proces, përtej kësaj roli i parterëve është tejet i madh, por ajo çfarë duhet të sigurohemi ta kemi gjithëpërfshirjen e aktorëve në këtë proces. Është për t’u vlerësuar se ky proces për dallim nga vendet e rajonit nuk ndan pozitë dhe opozitë, por deri në përmbyllje kërkohet qasje e integruar dhe profesionale në mënyrë që të ndërtojmë themele të qëndrueshme që do të na shërbejnë për zhvillim të qëndrueshëm në dekadën e dytë të shtetësisë. Qëndrimi im është të kemi guxim si shoqëri dhe qeveri për t’i parë të metat dhe për t’i sugjeruar një bazë të qëndrueshme të sistemit qeverisës në vend. Për fat keq, ka shumë pabarazi si në hierarki institucionale, funksione publike e shtetërore dhe në paga. Për këtë arsye vizioni i këtyre reformave duhet të jetë i guximshëm, afatgjatë dhe më strategjik. Ndërkaq sa i përket reformës zgjedhore, ky proces është iniciuar nga presidenti i Republikës së Kosovës por kjo, para së gjithash, kërkon konsensus dhe vullnet politik nga subjektet politike. Në këtë proces është e domosdoshme një analizë e thellë profesionale duke nxjerrë në pah përparësisë dhe mangësitë e sistemit aktual në mënyrë që në procesin e reformës zgjedhore të kemi qartësi të plotë. Njëkohësisht është tejet e rëndësishme të kemi gjithëpërfshirje dhe analizë të modeleve të sprovuara, gjithnjë duke u përshtatur me kontekstin.

 

“Epoka e re”: Ju jeni njohës i mirë i qeverisjes lokale. Edhe në këtë nivel të pushteti jo rrallë është shprehur nevoja e reformave të caktuara. E shihini të nevojshëm ndërmarrjen e ndonjë veprimi në këtë drejtim?
Tahiri: Në këtë drejtim, me nismën e kryeministrit Haradinaj, para një jave kemi lansuar ‘Forumin Konsultativ Qeveri-Komuna’. Ky është hapi i parë drejt ndërtimit të një platforme të qëndrueshme dhe forcimit të dialogut, konsultimit, bashkëpunimit dhe ndërveprimit në mes të dy niveleve të qeverisjes. Në takimin e parë të këtij formati, kryeministri Haradinaj ka prezantuar veprimet dhe dinamikën e punës së qeverisë karshi mbështetjes, promovimit dhe reformës në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të nivelit lokal. Ndërkaq, kryetarët e komunave kanë adresuar sfidat, progresin dhe perspektivën në shërbim të agjendës së përbashkët. Kjo nismë vlerësohet si një kapitull i ri i komunikimit dhe koordinimit në mes të nivelit qendror dhe lokal jo vetëm si synim i ndërveprimit, por edhe si përgjegjësi ndaj secilit qytetar. Para së gjithash, kjo na siguron ecje të sigurt në rrugën e reformave që duhen ndërmarrë për fuqizimin dhe zhvillimin e mëtejmë të nivelit lokal. Ky forum do të jetë pjesë e mandatit tim në rolin e koordinatorit nacional për reforma shtetërore, bashkë me dy dikasteret kyçë: Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrinë e Financave. Në takimet e radhës të forumit konsultativ Qeveri – Komuna do të adresohen çështjet sektoriale te ministritë e linjës dhe mekanizmat e tjerë institucionalë.

 

“Epoka e re”: Një sfidë me të cilën pritet të ballafaqohet kjo Qeveri është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Si do të ballafaqohet Qeveria me këtë sfidë?
Tahiri: Qeveria e Republikës së Kosovës do ta trajtojë këtë temë përmes tri ekipeve që do të angazhohen, ku bëjnë pjesë komiteti zbatues, ekipi menaxhues dhe ekipi nacional konsultativ. Për këtë temë është përgatitur platforma e procesit, ku secili mekanizëm do të sigurojë një proces profesional dhe gjithëpërfshirës të të gjithë aktorëve. Është e qartë se procesi do të jetë në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, puna e këtyre ekipeve do të mbështetet edhe nga ekspertë të vendit dhe ndërkombëtar. Ndërkaq drafti apo statuti që do të hartohet do t’i dërgohet për vendim final Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila do ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij.

“Epoka e re”: Institucionet e Kosovës janë shprehur të vendosura që ky asociacion të mos këtë kompetenca ekzekutive, kurse pala serbe po këmbëngul që asociacioni t’i ketë këto kompetenca. Mund të pritet ndonjë koncesion për këtë asociacion?
Tahiri: Mekanizmat e themeluar nuk janë aty për koncesione, por në rend të parë për ta zbatuar në plotësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të siguruar një proces profesional dhe gjithëpërfshirës. Duke u siguruar se draftimi i statutit ka kaluar në një vlerësim final nga Gjykata Kushtetuese dhe se kemi përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Tashmë është e qartë se bashkësia ndërkombëtare kërkon zbatimin e marrëveshjes për asociacionin bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim që obligon themelimin, garanton se nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portali i njohur “Goal.com” e ka publikuar formacionin e javës…