Reshitaj e shqetësuar me ndotjen e ajrit, s’mund ta zgjidhi me shkop magjik

28 janar 2018 | 12:43

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Albena Reshitaj, ka thënë se është e shqetësuar për rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit në kryeqytet.

Megjithatë ajo ka deklaruar se këtë problem nuk mund ta zgjidh me shkop magjik.

“Të dashur qytetarë, ndaj me ju shqetësimin për rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit këto ditë në kryeqytetin tonë.  Ju të gjithë e dini që gjërat nuk zgjidhen me shkop magjik, e aq më pak në vendin tonë ku problemet janë të shtresuara e të trashëguara”, ka shkruar ajo në llogarinë e vet në “Facebook”.

Reshitaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë përdorimin e veturave dhe përdorimin e thëngjillit për ngrohje në mënyrë që të ulet niveli i ndotjes së ajrit.

Ajo ka paralajmëruar se është në fazën finale miratimit i ligjit të ri, që do të rregullojë sektorët që kanë të bëjnë me ndotjen e ajrit, duke përfshirë edhe përdorimin e lëndëve djegëse si ndotës të ajrit.

Postimi i plotë i Albena Reshitaj:

Të dashur qytetarë, ndaj me ju shqetësimin për rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit këto ditë në kryeqytetin tonë.

Që nga dita e parë e punës sime në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kam filluar të punojë me përkushtim në gjetjen e mënyrave profesionale për reduktimin e ndotjes së ajrit.

Brenda muajit të parë kam krijuar grupin për hartimin e Planit të Aktiviteteve për reduktimin e ndotjes së ajrit, kam kërkuar nga ekspertet e fushës që të sjellin informacione për gjendjen dhe alternativat e mundshme të përmirësimit të tij në kohë reale.

Ju të gjithë e dini që gjërat nuk zgjidhen me shkop magjik, e aq më pak në vendin tonë ku problemet janë të shtresuara e të trashëguara.

Në të kaluarën realiteti i ndotjes së ajrit edhe është demantuar. Ne nuk e mohojmë atë, përkundrazi e potencojmë dhe luftojmë ta bëjmë prioritet edhe institucional edhe shoqëror.

Në të gjitha pjesët tjera të Kosovës mbizotëron gjendje më e mirë e ajrit. Në kryeqytetin tonë të mbingarkuar dhe rrethinën e tij, për shumë vite me radhë ka ekzistuar një gjendje alarmante e vlerave të larta të ndotjes së ajrit, por asnjëherë ndotja e ajrit nuk është vënë si prioritet i qeverisë, madje ende asnjëherë që nga paslufta nuk ka pas komunikim ndërinstitucional të akterëve përgjegjës dhe kompetent për mbrojtjen e mjedisit.

Ne i takuam në një tavolinë të përbashkët të gjithë ministrat e linjës, hartuam planin e aktiviteteve në faza, identifikuam ndotësit më të mëdhenj, vizituam KEK-un dhe kërkuam nga inspektorati kontrolle më të rrepta e gjoba për të gjithë ata që ndotin ajrin.

Trashëguam një ligj për mbrojtjen e ajrit nga ndotja që kishte zbrazëtira dhe ishte i pazbatueshëm, kurse ne tani jemi në fazën e miratimit të ligjit të ri, që do të rregullojë sektorët që kanë të bëjnë me ndotjen e ajrit, duke përfshirë edhe përdorimin e lëndëve djegëse si ndotës të ajrit.

Duke marrë parasysh që pos KEK-ut, fabrikave e veturave, ndotja e ajrit po vjen edhe nga përdorimi i thëngjillit për ngrohje, ne kërkuam që institucionet gjegjëse qeveritare të punojnë në gjetjen e alternativave për ngrohje dhe të fillojmë të reduktojmë përdorimin e thëngjillit.

E di që përdorimi i thëngjillit ka kosto më të ulët, por disa herë e kam thënë dhe po e potencoj sërish që kostoja për shërim nga sëmundjet që vijnë nga ndotja e ajrit është shumë më e lartë.

Për të koordinuar veprimet, u takuam edhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës z. Shpend Ahmeti. Ne u pajtuam që në periudhat kohore kur kemi tejkalime të mëdha të normave të lejuara të ndotjes së ajrit, të reduktojmë qarkullimin e veturave në disa lagje duke bërë pa pagesë transportin publik, gjë që shumë shpejt shpresoj që do të realizohet.

Veturat e shumta, KEK-u, përdorimi i thëngjillit (madje edhe gomave) për ngrohje, kushtet e pa favorshme atmosferike, janë faktorët kryesor të ndotjes së ajrit.

Ne duhet të punojmë me përkushtim dhe pandërprerë, jo vetëm kur ballafaqohemi me situatën, por të krijojmë një vetëdijesim që angazhimi ynë si institucione dhe shoqëri dhe aplikimi i strategjisë për mbrojtje të mjedisit të jetë i përhershëm.

Për të pasur përmirësim të ndotjes së ajrit ne kemi kërkuar nga institucionet përkatëse që të realizojnë përgjegjësitë e tyre ligjore që kanë, disa prej të cilëve veçse kanë filluar masat konkrete.

Zbatimi i Udhëzimit Administrativ që obligon Ministrinë e Infrastrukturës që të mos lejojë regjistrimin e veturave që tejkalojnë normat e lejuara të shkarkimeve në ajër;

  1. Kontrollimi i cilësisë së derivateve të naftës që importohen në Kosovë;
  2. Ndërtimi i Unazës së brendshme të kryeqytetit dhe zhvendosja e administratës shtetërore në Hajvali;
  3. Zgjerimi i sistemit të kogjenerimit;
  4. Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, me filtrat e teknologjisë së fundit me kërkesën time;
  5. Krijimi i zonave të reja të gjelbra etj.

Të gjithë këto masa do të ndikojnë në reduktimin e ndotjes së ajrit.

Prandaj të nderuar qytetarë, ju ekspert e kritikë të situatës, mirëpres angazhimin tuaj në reduktimin e ndotjes së ajrit, duke reduktuar përdorimin e veturave, përdorimin e thëngjillit për ngrohje si dhe duke dhënë kontributin tuaj konkret për reduktimin e ndotjes së ajrit.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë një dalje para popullit grek mbrëmjen e së shtunës,…