Reshitaj në Uashington, merr përkrahje e lëvdata nga DASH-i

24 mars 2018 | 15:08

Në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Washington, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj, u prit në takime të ndara nga zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit si dhe nga gra ambasadore dhe lidere të botës.

Në takim me zv/Sekretaren e Shtetit Amerikan, Judith Garber dhe kabinetin e saj Reshitaj falënderoi për ndihmën që SHBA-të kanë dhënë dhe po japin për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Reshitaj u shpreh se gjeneratat e reja në Kosovë po rriten me ndjenjën e respektit e miqësisë për popullin amerikan .

“Duke qenë të vetëdijshëm për konfliktet e vazhdueshme ndërmjet popujve të Ballkanit në shekullin e kaluar, ne besojmë se tani është koha për të ecur përpara dhe për të ndërtuar paqe të qëndrueshme, e pikërisht besimi dhe paqja midis kombeve mund të ndërtohen edhe përmes diplomacisë dhe projekteve të përbashkëta mjedisore. Unë kam takuar ministrat e mjedisit të shteteve fqinjë dhe kam propozuar projekte të përbashkëta mjedisore pasi që përtej dallimeve etnike e fetare mjedisi nuk njeh kufij”, tha nder të tjerash ministrja Reshitaj.

Ndërkaq zv/Sekretarja e Shtetit Amerikan Judith Garber përgëzoi ministren për iniciativat e saj miqësore me mjedisin, duke ofruar mbështetjen e pa rezervë të shtetit amerikan për Kosovën dhe të ardhmen e saj euro-atlantike.

“Ne jemi të nderuar që patëm mundësi të ndihmojmë Kosovën në rrugën e saj për liri e shtet ndertim dhe kjo ndihmë do të vazhdojë. Jam e lumtur që shoh gra të tilla të guximshme që ballafaqohen me sfidat dhe kanë ide e projekte konkrete zhvillimore për vendin dhe mjedisin ne veçanti”, u shpreh Judith Garber.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të manifestimit qendror “Epopeja e Dukagjinit”, kryeministri i…