Me rezoluta dhe premtime të fushatave nuk zgjidhet çështja e të pagjeturve

03 maj 2018 | 11:29

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNj)

Është bërë si rregull apo reagim refleksiv që me çdo 27 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, politikanët kosovarë dhe ata ndërkombëtarë (në mënyrë selektive), “qajnë” dhe premtojnë se kjo çështje më në fund do të zgjidhet duke i liruar familjet nga ankthi thuajse 20-vjeçar e që ky ritual të përsëritet në vitin vijues, pa ndonjë ndryshim apo lehtësim për familjet që me të drejtë kërkojnë realizimin e një të drejte elementare të njeriut, e drejta për t’u informuar e cila u mohohet që nga përfundimi i luftës.

Çështja e personave të zhdukur është dhe duhet të trajtohet ekskluzivisht si e drejtë e njeriut e që nuk është trajtuar deri më tani. Është më se e vërtetë se politika e ka shkaktuar këtë çështje dhe, për fat të keq politika është ajo që edhe mund t’i japë zgjidhje çështjes së personave të zhdukur. Gjithashtu është e vërtetë se politika, si ajo në Beograd dhe kjo në Prishtinë dhe sidomos shumëfytyrësia e ndërkombëtarëve ka ndikuar dhe po ndikon që çështja e personave të zhdukur të mbetet e pazgjidhur, duke e mbajtur situatën e tensionuar dhe duke e keqpërdorur skajshmërisht fatkeqësinë dhe vuajtjet e atyre, familjarët e të cilëve janë në listën e të zhdukurve. Deri më tani kemi pasur një qasje shumë të gabuar kur është bërë përpjekje që çështja e personave të zhdukur të zgjidhet në baza të përkatësisë etnike duke insistuar vetëm për të zhdukurit tuaj dhe duke ua mohuar këtë të drejtë të njeriut palës tjetër.

Edhe këtë vit, ditës së përkujtimit për të zhdukurit në Kosovë i ka paraprirë një varg aktivitetesh të institucioneve dhe politikanëve që, fare pak apo aspak nuk dallojnë nga viti paraprak. Aktivitetet ishin të ndara në baza etnike për një çështje që është dhimbje, nevojë dhe interes për të gjitha familjet apo familjarët që kanë anëtarë të zhdukur pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, moshore, racore, statusit shoqërorë etj., Ndërkombëtarët, si oportunistë apo kalkulues që janë nuk kanë treguar fare interesim për të zhdukurit,  për dallim për çështje të tjera sikur bisedimet me Serbinë, Gjykata Speciale, Demarkacioni e tash Asociacioni i Komunave serbe në Kosovë për të cilat nuk ka lënë kush nga ndërkombëtarët pa na zhbiruar birat e veshit, duke filluar nga niveli më i ulët e deri te kreu vendimmarrës, pensionistë që Kosovën e llogarisin vend relaksi dhe ringjallje të së kaluarës e deri te analistët e ndryshëm.

Kuvendi i Kosovës organizoi një seancë për të zhdukurit ku u shfaq një film dokumentar për të zhdukurit e që ishte më së paku që mund të bëhej me propozim që të miratohej një Rezolutë (mbase e dështuar sikur të gjitha rezolutat tjera) mirëpo as kjo Rezolutë nuk u votua, në mungesë të kuorumit. Deputetët e papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, duke ikur nga seanca treguan shpërfillje të skajshme dhe mungesë respekti për të zhdukurit, sakrifica e të cilëve ua mundësoi edhe të bëhen deputetë sikur që treguan përbuzje për familjet e të zhdukurve të cilët po mbesin  të vetmuar në përpjekjet për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur dhe drejtësi për ta. Si të kuptohet kjo mungesë e deputetëve për një çështje aq të ndjeshme përveç si një dyfytyrësi dhe mungesë elementare të ndjenjave dhe të përgjegjësisë, qytetare dhe institucionale! Po këta deputetë, gjatë fushatave zgjedhore, njërin ndër premtimet kryesore e kanë çështjen e personave të zhdukur, deri sa ta fitojnë mandatin. E pamë se sa shumë “brengosen”  për fatin e personave të zhdukur.

Këta që biseduan me Beogradin qofshin atë “teknike” apo “politike”, që nga viti 2011 premtuan se çështja e personave të zhdukur do të bisedohet në Bruksel kurse tani jemi në vitin 2018 dhe jo që nuk po bëhet temë e bisedimeve por nuk janë në gjendje as ta votojnë një Rezolutë të pavlerë, së paku edhe simbolikisht, në Ditën Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur.

Ndërkombëtarët kurrë nuk u interesuan për persona të zhdukur ndonëse kishin fuqi vendimmarrëse të ndikojnë në zbardhjen e fatit për personat e zhdukur duke bërë presion te palët ndërluftuese, pas përfundimit të luftës, për të dhënë informatat për fatin e këtyre personave. As sot nuk e shfrytëzojnë këtë detyrim sepse, jo që nuk bëjnë presion te Beogradi dhe Prishtina por në heshtje, për shkak të proceseve politike këtë çështje aq të ndjeshme e kanë futur nën tepih sikur që kanë vepruar edhe në vendet e tjera ku çështja e personave të zhdukur ka mbetur brengë vetëm e familjeve dhe familjarëve. Në Ditën Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur nuk kishte ndërkombëtarë në sallën e Kuvendit të Kosovës dhe ata vepruan si shumica e deputetëve të Kuvendit, nuk erdhën fare. Në rastet e tjera si Demarkacioni dhe votimi për Gjykatën Speciale ndërkombëtarët ishin shpërndarë në të gjitha pikat e Kuvendit duke bërë presion te deputetët për të votuar në favor të Demarkacionit dhe Gjykatës Speciale.

Tashti deputetët dezertorë dhe politikanët e papërgjegjshëm po përdorin fjalë të mëdha duke kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë presion te Beogradi për të treguar për fatin e personave të zhdukur, mendohet për shqiptarët e zhdukur kurse për të zhdukurit joshqiptarë nuk bëjnë kërkesë të sigurohen informatat thuaja se ata nuk janë njerëz dhe se nuk kanë familje. Është jonjerëzore, kundër të drejtave të njeriut dhe e kundërligjshme të kërkohet ndriçimi i fatit të personave të zhdukur në mënyrë selektive dhe në baza etnike.

Për t’u zbardhur fati i personave të zhdukur duhet një qasje gjithëpërfshirëse dhe jodiskriminuese sikur që presioni duhet të drejtohet në dy adresa, për shqiptarët dhe joserbët e zhdukur informata dhe përgjegjësi duhet të japin autoritetet në Beograd kurse për serbët e zhdukur si dhe të zhdukurit joshqiptarë që vlerësohet se kanë qenë me serbë, informata duhet të japin autoritetet në Prishtinë. Nëse zhduket një person llogaritet se mund të ketë qenë diçka e rastit kurse, nëse zhduken qindra dhe mijëra persona atëherë kjo është diçka e planifikuar,  e motivuar politikisht apo etnikisht dhe përgjegjësia është lehtë e identifikueshme sikur që edhe drejtësia është gjithashtu lehtësisht e realizueshme. Kjo varet nga vullneti i atyre që i kanë informatat apo që kanë mundësi t’i sigurojnë informatat, por ky vullnet po mungon dhe, për pasojë, problemi i personave të zhdukur ka mundësi që nuk do të zgjidhet fare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
  Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka dhënë…