Roli dhe kontributi i Nermin Vlora Falaschi për ngritjen dhe avancimin e gruas shqiptare

03 janar 2018 | 13:39

Shefqete Gosalci

Në njërën nga ditët e nëntorit të këtij viti (2017), gra dhe vajza shqiptare u mblodhën në Prishtinë për ta kujtuar dhe nderuar një personalitet të shquar të kombit shqiptar, një nga figurat më të ndritura, më emblematike e shumëdimensionale dhe erudite, mbesën e shpallësit të mëvetësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalit, Nermin Vlora Falaschi. Një grua, do të thosha e pakrahasuar me të tjera në aspektin intelektual të gruas shqiptare. Edhe pse natyrshëm Nermin Vlora trashëgoi një bagazh vlerash arsimore, kulturore dhe intelektuale nga familja e saj, ajo i thëlloi, i lartësoi dhe i afirmoi ato vlera në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe me intelektin e saj diti t’i kanalizojë këto vlera në shërbim të ngritjes dhe avancimit të gruas shqiptare duke dhënë kështu shembullin e gruas model në të gjitha dimensionet.

Nermin Vlora Falaschi lindi më 18 prill 1921 në Tiranë. Shkollën fillore e kreu në shkollën “Motrat Qiriazi” në Tiranë, vazhdoi shkollimin e mesëm në Institutin “Nana mbreteneshë” po në Tiranë. Talentin për poezi e shfaqi qysh në moshë të re kur filloi të përkthejë poezi nga italishtja dhe frëngjishtja për Radio Tiranën. Në moshë mjaft të re u martua me oficerin italian Renzo Falaschi me të cilin mërgoi dhe jetoi në Itali me shumë se katër dekada. Në Itali mbaroi studimet për Shkenca Juridike duke thelluar dhe zgjeruar njohuritë në nivel të lartë shkencor.

Fliste rrjedhshëm disa gjuhë të huaja, gjë që e ndihmoi shumë t’i njihte kulturat e shumë popujve të botës. Njëzet vjet radhazi bëri hulumtime nëpër arkivat italiane dhe evropiane për çështjen etruske ku bëri deshifrime dhe përkthime të kësaj gjuhë të lashtë përmes idiomave të gjuhës shqipe dhe mbrojti tezën shkencore se kjo gjuhë e vjetër mund të shpjegohet përmes tyre. Kjo tezë ngjalli debate të ashpra në qarqet shkencore të kohës. Përveç letërsisë, zonja Falsachi studioi më zell edhe në fushën e historisë, arkeologjisë dhe antropologjisë. (Rëndësia e figurës së gruas në liri dhe profili i grave shqiptare në histori), duke afirmuar kështu intelektin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të grave shqiptare në edukimin, arsimimin, përparimin dhe emancipimin e kombit shqiptar. Përktheu në italisht (“Ismail Bej Vlora”) dhe nga anglishtja (“Kujtime Ismail Qemali”).

Veprat më të njohura të saj janë: “Zotëruesi i kohës” – 1967, “Nga gjysmëhëna deri tek hëna” -1973, “Momente kolumbiane” – 1979, “E nesërmja e kohës” -1971, “Kina” – 1972, “Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët” – 1984, “Etruskishtja gjuhë e gjallë” etj.
Nermin Vlora Falaschi bashkë me bashkëshortin e saj Renco Falaschi themeluan në Romë Akademinë Kulturore me emrin “Iliria”, nga ku artikuluan dhe përuruan vlerat kulturore shqiptare ndër breza, veçanërisht ato kombëtare, duke përfaqësuar dinjitetshëm gruan shqiptare të kohës. Për të afirmuar edhe intelektualitetin dhe personalitetin e Nermin Vlora Falaschi, gra të tjera intelektuale shqiptare, në vitin 2002 në Romë themeluan Shoqatën e Gruas Shqiptare Intelektuale Mbarëkombëtare Fondacionin “Nermin Vlora Falaschi” që udhëhiqet nga znj. Zenepe Lluka gazetare, e cila vepron në gjithë hapësirën shqiptare, si dhe ka degët në disa qendra evropiane.

Kam pasur nderin dhe fatin ta takoj znj. Nermin Vlora Falaschi në verën e vitit 2004 në Kongresin e Shoqatës i cili u mbajt me moton “Gra të shquara të kombit” më 14 qershor në Shkup. Vërtet ishte një grua e rrallë, e ditur, e kulturuar, e matur, e fisnike. Me një qëndrim të fortë, të dashur, të afërt e shpirtbardhë. Ishte e bukur, brilante dhe magjepsëse. Aristokrate dhe krenare. Grua e jashtëzakonshme. Thjesht, të bënte për vete. Në Kongres kishte gra intelektuale nga gjithë hapësira shqiptare dhe nga mërgata, por ajo ishte ndryshe nga të tjerat (kjo ishte përshtypje imja). Znj. Falaschi rrezatonte mirësi, ndërsa forcën dhe urtësinë i kishte shndërruar, do të thosha në një legure. Më bëri shumë përshtypje prezantimi i saj, mënyra si i formulonte dhe rendiste fjalitë, si i artikulonte dhe transmetonte mendimet me një muzikalitet dhe timbër të theksuar zëri.

Do të ndaj me ju një kujtim të shkurtër se si u njohëm. Kryeparlamentarja e Shqipërisë të asaj kohe znj. Makbule Çeço, duke e mbajtur për krahu (për shkak të moshës) e solli pranë tavolinës ku ishim të ulura Ramize Abdullahu, Hyrie Veliu dhe unë (Shefqete Gosalci) dhe i tha: “Këto janë gocat e UÇK-së. Të tria si nën komandë u ngritëm në këmbë ta respektonim znj. Nermine, ndërsa ajo kërkoi një karrige dhe u ul pa e folur asnjë fjalë. E saldoi shikimin mbi ne si të ishim përmendore. Heshtja e saj foli shumë. Pas disa minutash na i shtrëngoi duart tona me duart e saj të bardha e të buta, që po dridheshin. Ishte një ikonë, edhe fytyrën dhe flokët i kishte shumë të bardha. Edhe shpirtin e zemrën. Kishte shikim të thellë dhe mbresëlënës.
Ishte vetë bardhësia. Asaj gruaje të fortë e të virtytshme, një dhimbje ia përshkoj tejpërtej fytyrën engjëllore. Për gjithçka tha do të flasim nesër, ashtu edhe ndodhi. Zotëri Renco, një burrë trupgjatë e gjentil, po tregonte një kujdes të tepruar ndaj saj. Ata duheshin. E solli znj. Nermine pranë meje dhe me një zë të mekur më tha: “Po e lë të çmallet me motrat e saj, por mos ma lodhni shumë, është shumë e ndjeshme”, dhe u largua ngadalë. Folëm gjerë e gjatë, si thotë populli, për Shkup e Shkodër, për shumëçka dhe për gjithçka, edhe për gjëra personale. Ishte një enciklopedi e gjallë. Jeta në mërgim ia kishte sforcuar dashurinë për Shqipërinë. Ika, tha, nga Shqipëria, se e desha shumë, dhe nuk pata faj.

Tërë jetën e pata një burrë dhe shumë libra. Më mungoi vetëm Shqipëria. Fliste me shumë emocione e mallëngjim. Gjatë bisedës na rrodhen edhe lot. Më dukej se e kisha njohur që 2000 vjet gruan që pas disa ore bisede bashkë, po dremiste e mbështetur në krahun tim të djathtë.

Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi” ka organizuar aktivitete të shumta në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe vende të tjera të Ballkanit. Historia jonë është shumë e pasur me bëmat dhe kontributet e grave në shekuj, prandaj ky Fondacion ka në fokus gruan dhe të arriturat e saj. Kontributi i tyre u dëshmua në të gjitha aspektet dhe në të gjitha periudhat. Kujtojmë me këtë rast motrat Qiriazi, Dora Distrian, Shen Terezën (Gonxhe Bojaxhiu), gra që gjithë kapacitetet e tyre intelektuale i vunë në shërbim të së mirës dhe njerëzimit. Gratë dhe vajzat shqiptare që dhanë me të shtrenjtën që falet, jetën pra. Shote Galica, Musine Kokalari, Hyrie Hana, Xheve Krasniqi-Lladrovci, Hyre Emini dhe shumë heroina të të gjitha kohërave që as emri s’iu përmendet kurrë. Nënat shqiptare që lindën nga dhjetë e më shumë fëmijë dhe e mbajtën të ri kombin shqiptar. Heroina edhe ato. Nënat e dëshmorëve që lindën djem e vajza që i dolën Zot Atdheut, që nga kryetrimi Gjergj Kastrioti e deri më sot. Gratë mësuese, ambasadore, ministresha, poetesha. Gratë artiste, gazetare, ushtare, piktore, moderatore. Gratë aktiviste, veprimtare, doktoresha, pilote, shkencëtare. Gratë dhe vajzat sportiste, kampionet tona Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova. Marigona e flamurit tonë. Gratë aktore që ushqyen shpirtin e kombit, dhe me guxim thyen barrierat, paragjykimet dhe mentalitetin e prapambetur nga pushtimet e shumta dhe të gjata nga fqinjët tanë, fatkeqësisht agresor. Gratë soliste, balerina, humoriste, këngëtare, muzikante, violiniste. Dhe një kategori tjetër, fatkeqësisht shumë e dhimbshme dhe e margjinalizuar, të mbijetuarat e torturës, gratë dhe vajzat shqiptare që u dhunuan nga barbarët serbë gjatë luftës në Kosovë (1998, ’99). Ato bënë luftën me armikun dhe luftën me gjininë. Duhet të punojmë si shoqëri që këtë kategori, shteti ta trajtojë në mënyrë institucionale.
Dega e Fondacionit “Nermin Vlora Falasaci” në Prishtinë është themeluar rishtazi dhe është vazhdimësi e përpjekjeve të deritanishme të këtij fondacioni që ka në vëmendje gruan shqiptare intelektuale. Pesëmbëdhjetëvjetori i themelimit të këtij fondacioni na gjen më të konsoliduara se kurrë më parë dhe në rrethana më të favorshme historike, politike dhe ekonomike. T’i zbusim dhe mundësisht t’i mënjanojmë barrierat dhe ndasitë, në mënyrë që të mund të ecim të barabarta si në karrierë dhe në jetën profesionale.
Nermin Vlora Falaschi ishte simbol i përpjekjeve titanike të gruas shqiptare intelektuale për dituri dhe barazi. Edhe sot na bënë të ndihemi krenare para botës. Kur përmendim emrin e saj, na bie ndërmend fisnikëria, guximi, modestia, durimi, humanizmi, dashuria, respekti dhe mallëngjimi për zonjën tonë, që deri në frymën e fundit punoi për kombin. Të përpiqemi t’i ngjajmë asaj. Ta lartësojmë e ta afirmojmë kulturën dhe kombin tonë krahë kombeve të përparuara. Të integrohemi në botë.

Nëntori, muaj i bekuar për kombin tonë, na solli në jetë shumë personalitete, na solli kthesa historike, por dhe na i mori disa prej tyre. Më 28 nëntor 2004 pushoi së rrahuri zemra e madhe e Nermin Vlora Falaskit, duke lënë pas një pasuri të çmuar letrare, kulturore dhe kombëtare. Duke kujtuar personalitetin dhe veprën e saj, dhe gra të tjera të shquara mirëmbajmë kujtesën tonë historike kolektive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës (ShBA),…