Rritjet dhe shkurtimet buxhetore të vitit 2018

02 janar 18:37

Kalimi i Buxhetit për vitin 2018 në Kuvendin e Kosovës, sipas planifikimeve, të hyrat pritet të kenë rritje prej 104 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar. Në vitin 2017 të hyrat ishin planifikuar të jenë prej 1.725 miliardë euro, kurse për vitin 2018 të hyrat do të arrijnë në 1.829 miliardë euro.

Të hyrat tatimore do të përbëjnë pjesën më të madhe të të hyrave me 1.607 miliardë euro, ku tatimet direkte do të janë 267 milionë euro dhe ato indirekte do të jenë 1.378 miliardë euro, ndërsa tatimet tatimore do të jenë 202 milionë euro.

Për këtë vit shpenzimet pritet të jenë më të mëdha se të hyrat. 2.082 miliardë euro është vlera e tërë shpenzimeve, nga to 1.383 miliardë euro do të jenë shpenzime rrjedhëse, ndërsa 687 milionë euro do të jenë shpenzime kapitale.

Për vitin 2018 është planifikuar një buxhet prej 2 miliardë e 82 milionë eurove, me një rritje të shpenzimeve prej 271 milionë eurove krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar. Nga kjo, 3/4 e shumës planifikohet të shpenzohet për nivelin qendror.

Nga 2 miliardë e 82 milionë euro të planifikuara për t’u shpenzuar në vitin 2018, prej tyre 589 milionë euro janë shpenzime për paga dhe mëditje. Shpenzimet për transfere dhe subvencione janë 525 milionë euro dhe shpenzimet për mallra dhe shërbime janë 264 milionë euro. Për vitin 2018 janë planifikuar 687 milionë euro të shpenzohen për projekte kapitale.

Gjatë vitit 2018 numri i të punësuarve do të rritet për 1,076 punëtorë. Derisa numri i të punësuarve që këtë vit do të marrin paga nga buxheti do të arrijë në 84,386, prej tyre 40,515 euro do të punojnë në nivelin qendror. Diferenca e rritjes prej 23 milionë euro për kategorinë e pagave dhe mëditjeve nga viti 2017 në vitin 2018 tregon se rritja e pagave është planifikuar.

Mirëqenia sociale

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), është institucioni me buxhetin më të madh për t’u shpenzuar. Për vitin 2018 buxheti i planifikuar i kësaj ministrie është 407.61 milionë euro, ku 398.40 milionë euro janë ndarë për subvencione dhe transfere. Krahasuar me vitin paraprak buxheti i kësaj ministrie është rritur me 9.21 milionë euro.

Në kategorinë e pensioneve bazike për vitin 2018 janë planifikuar të shpenzohen 116.28 milionë euro me një rritje prej 160 mijë euro.

Për pensionet e personave me aftësi të kufizuar për vitin 2017 janë planifikuar 19.7 milionë euro, në vitin 2017 kjo vlerë ishte 18 milionë euro.

Ndryshime ka pasur në buxheti e pensioneve të parakohshme të punëtorëve të Trepçës. Në vitin 2017 shpenzimet për këtë kategori kanë qenë 4.61 milionë euro, ndërsa për vitin 2018 janë planifikuar të jenë 4.30 milionë euro, pra një zbritje prej 310 mijë eurosh.

Kategoria që për herë të parë figuron në skemën e mirëqenies sociale është ajo e viktimave të dhunës seksuale, e cila për vitin 2018 pritet t’i ndahen 1 milion euro.

Në vitin 2017 pensionet e invalidëve të luftës kanë qenë të planifikuara 38 milionë euro, por me rishikimin e buxhetit për vitin 2017, është paraparë të jetë 64.19 milionë euro. Mirëpo, në vitin 2018 për veteranët janë planifikuar të shpenzohen 58.75 milionë euro.

Me një rritje prej 5 milionë euro krahasuar me vitin paraprak do të jetë buxheti për mirëqenie sociale. Në vitin 2018 janë planifikuar të harxhohen 43.69 milionë euro për këtë kategori, nga këto 31.43 milionë euro do të janë për ndihmat sociale, kurse një vit më herët kanë qenë 27.88 milionë euro.

Arsimi

Buxheti i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), për vitin 2018 është planifikuar të jetë 54.92 milionë euro, ku në vitin 2017 kishte të planifikuara 45.13 milionë euro.

17.29 milionë euro janë planifikuar të shpenzohen për paga dhe mëditje, 9.72 milionë euro do të jenë për mallra dhe shërbime, ndërsa për shpenzime kapitale do të harxhohen 21.57 milionë euro.

Për arsimin e lartë janë planifikuar të shpenzohen 23.47 milionë euro, apo 2.14 milionë euro më shumë sesa më 2017.

Qendra e Studentëve në Prishtinë nga buxheti i planifikuar do të përfitoj 5.82 milionë euro. Për vitin 2018, Universiteti i Prishtinës do ta ketë buxhetin prej 7.15 milionë euro, nga këto 3.15 milionë do të jenë të hyra vetanake që Universiteti pritet t’i ketë nga studentët. Universiteti i Prizrenit, Pejës, Gjilanit, Gjakovës, Ferizajt dhe Mitrovicës për këtë vit do të përfitojnë së bashku 14.12 milionë euro, krahasuar me vitin 2017 ka pasur një rritje të buxhetit prej 2.15 milionë euro.

Investimet kapitale për arsimin universitar për vitin 2018, janë planifikuar të janë 150 mijë euro, njëjtë sa ishin një vit më herët. Ndërsa, investimet kapitale për arsimin parauniversitar për këtë vit pritet të jenë 11.82 milionë euro, apo 4 milionë euro më shumë.

Granti qeveritar për marrëveshjet bilaterale në vitin 2018 pritet të jetë 1.47 milion euro.

Infrastruktura

Ministria e Infrastrukturës (MI), për vitin 2018 ka planifikuar t’i harxhojë 305.38 milionë euro, nga to 295.10 milionë euro do të jenë për shpenzime kapitale. Krahasuar me vitin 2017, rritje të buxhetit ka pasur për 37.50 milionë euro.

Kjo ministri për paga dhe mëditje pritet t’i harxhojë 1.87 milion euro, 6.60 milionë euro do të harxhohen për mallra dhe shërbime, ndërsa pjesa më e madhe e buxhetit e Ministrisë së Infrastrukturës, do të harxhohet për shpenzime kapitale në vlerë prej 295 milionë euro.

234 milionë euro do të shpenzohen për infrastrukturë rrugore. Sa i përket ndërtimit të autostradave në planifikimin buxhetor për vitin 2018 figurojnë 137 milionë euro, nga këto 77.9 milionë euro do të jenë grant qeveritar, ndërsa 59.10 milionë euro të hyra nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Për rehabilitimin e rrugëve priten të harxhohen 55 milionë euro, ndërsa në vitin 2017 kjo vlerë ka qenë 22.58 milionë euro.

Në vitin 2018, ndërtimet e rrugëve të reja, buxhetit të vendit do t’i kushtojë 21 milionë euro, kurse në vitin paraprak kjo vlerë ishte 16.90 milionë euro.

Për këtë vit planifikohen të fillojnë edhe 105 projekte në bashkëfinancim me komunat në vlerë prej 12.67 milionë euro të cilat janë kryesisht ndërtime dhe asfaltime të rrugëve aktuale të komunave me rrethinë.

Në ndërtimin e urave të reja, Ministria e Infrastrukturës, për vitin 2018 pritet të shpenzojë 1.05 milion euro.

Bujqësia

Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), për vitin 2018 do të jetë 59.82 milionë euro, 47.47 milionë euro do të shpenzohen për subvencione dhe transfere, me një rritje prej 5 për qind nga viti 2017, ndërsa 6.38 milionë euro do të shpenzohen për shpenzime kapitale.

320 mijë euro do të harxhohen për pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura. Për ndërtimin e sistemit të ujitjes në vitin 2018 planifikohen të shpenzohen 1.88 milion euro.

Për Institutin e Bujqësisë, planifikohen të shpenzohen 1.15 milionë euro, si pjesë për renovimin e objekteve të institutit. 810 mijë euro do të harxhohen për krijimin e kapaciteteve hulumtuese dhe prodhuese të tokave bujqësore./Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) gjatë vitit 2017, ka realizuar…