Rrugëtimi drejt vargjeve poetike

14 shkurt 11:54

Mr. Kosovare Krasniqi

Enis Miftari është një emër i ri, i cili me librin e tij të parë “Rrugëtimi im” po hyn në botën e magjishme të artit letrar në fushën e poezisë. Edhe pse Enisi është i ri në moshë, dhe duke pasur parasysh se libri në fjalë është vëllimi i tij i parë, muza e tij udhëton brenda e jashtë atdheut të tij nëpër të gjitha shtigjet. Zëri i tij në poezi del si një “klithmë dashurie” për tokën amtare të tij, për bashkëvendësit dhe, në fund, edhe për dashurinë e tij.
Në vargjet e këtij vëllimi, ne përballemi plotësisht me botën objektive në të cilën jetojmë. Përshkruan rrethanat dhe ngjarjet tronditëse me të cilat përballet vendi i tij, dhe në këtë rast duhet të theksoj se poeti i ri Enisi vjen nga Gostivari, qytet ky, ku pos burimit të bukur të Vardarit, është edhe vend i përjetimeve të rënda, dhe njëra ndër to, ishte ikja e të rinjve nga qyteti. Një përshkrim të tillë të ngjarjes e paraqet subjekti lirik i poezisë “Robëri”, i cili mbetet udhëtar “i shpresës së thyer”, sepse është i detyruar të jetojë në shkretëtirën e padrejtësive:

I robëruar po jetoj dhe këto pak ditë
Të ardhmen e shoh në Evropë tek po shkëlqen atje një dritë.
Poezia ndërtohet mbi një mikrofabulë reale jetësore, andaj e gjithë ajo përshkohet nga nota të thella proteste për largimin e të rinjve nga atdheu i vet, momente këto të cilat e shqetësojnë autorin.

Me pak fjalë, autori në vëllimin e tij nuk i shmanget problematikes aktuale të kohës. Ai nuk ngurron të shkruajë për atë që e mundon shoqërinë tonë dhe pos që paraqet dhembjet që e mundojnë popullin shqiptarë të Maqedonisë, ai nuk e harron edhe pjesën tjetër të kombit të ndarë shqiptar, Kosovën. Siç thotë Kuteli “Atdheu është atdhe edhe atëherë kur të vret”, por në poezitë e tij nuk ndiejmë nota të zhgënjimit dhe melankolisë, sepse zëri i tij del zë i guximit dhe i shpresës për një të ardhme më të mirë. Ky zë i shpresës del tek poezia “Një ditë e re”:

Do vazhdoj të ecja përsëri me krenari mbi veprat
jam thirrës i të vërtetës edhe po të më thyeni eshtrat
Në një ditë të re që armiqtë do i konsideroj dhuratë
lutem për ata që jetojnë sot e më gjatë.

Jeta bëhet nga poezia, thotë Borhesi, dhe Enisi, poeti i ri, ka ditur të depërtojë dhe ta konkretizojë këtë realitet në subjektin e çdo poezie, si në ato momentet e lumtura, por edhe në ato të dhembshmet, që të ofron jeta.

Enisi, si shumë të tjerë, rrugëtimin e tij drejt artit letrar e nisi përmes gjinisë së bukur artiske dhe letrare, poezisë.
Ndër lirikat e tjera të bukura të këtij vëllimi janë edhe poezitë me temë erotike apo të dashurisë, të cilat i mbledh në një cikël të veçantë titulluar “Portreti yt në vargje”. Autori në vëllimin e tij poetizon gjendje të veçanta, tronditje shpirtërore, pranë dhe larg të dashurës së tij. Në çdo poezi të këtij cikli, paraqet gjendjen e tij emocionale dhe shpirtërore, atëherë kur subjektit lirik i bënte shoqëri hëna, ajo, imagjinohej dhe portretizohej në vargjet e tij deri në atë masë, sa ai i betohet se do i mbes dielli i saj i vetëm:

Do takohemi, për ëndrrat që thurëm
për ato fjalë që nuk thuhen.
Sot apo nesër do takohemi ne të dy.
do mbetem gjithmonë dielli i vetëm për ty.

Dhe, duke i kërkuar falje që ishte i detyruar ta braktisë, dhe që nuk mundi të bëjë atë që duhet bërë, ndoshta ta dojë më tepër, ashtu sikurse bën edhe Fatos Arapi në poezitë e tij, ta kishte pranë, t’i mbështetej në kraharor, po për subjektin lirik dashuria mbetet e paharruar:

Erdha të të takoj, por në gjumë të thellë ishe
Shpirtin tënd të butë, nuk dua ta trazoj
butësinë e ëmbël që në fytyrë kishe
nuk do mundem ndonjëherë ta harroj.

Përfundim

Tema qendrore ku fokusohet më shumë poezia e këtij vëllimi është klima e rëndë që e zotëron në vendin e tij. Gjendja shpirtërore e poetit pasqyrohet përmes motiveve të ndryshme. Në poezitë e tij eksplorohen gjendje dhe situata nga më të ndryshmet. Në poezi, pos që manifestohet dashuria për kombin dhe lirinë, gërshetohen edhe anët emocionale si ëndrra, gëzimi, trishtimi, malli dhe vetmia. Fryma e lirisë së shprehjes dhe qartësia, poezinë e Enisit e bën më të kuptueshme. Ajo është poezi që ndjehet dhe kuptohet mirë nga lexuesi dhe kam bindjen se Enisi, duke u frymëzuar nga ide dhe ngjarje të reja, si brez i ri i poezisë, nuk do të ndalet me kaq, por do na sjellë edhe vëllime tjera, që do të jenë pa dyshim edhe me të bukura se këto të vëllimit të parë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (5) Selatin Novosella 82.…