Sahiti: Dua mbijetesën me Flamurtarin

29 janar 2018 | 12:26

29-vjeçari Samir Sahiti e ka zgjedhur skuadrën e Flamurtarit për ta vazhduar karrierën futbollistike. Ai shpreh optimizëm se do ta sigurojë edhe mbetjen në elitë. “Flamurtarin e zgjodha për faktin se ka një kryetar shumë korrekt dhe ka synime afatgjata me këtë klub. Sivjet synojmë ta sigurojmë mbijetesën e në vitin tjetër do të jetë një super Flamurtar”, ka thënë Sahiti.

Futbollisti nga Mitrovica, Samir Sahiti, të dielën edhe zyrtarisht është ndarë nga skuadra e Vëllaznimit nga Gjakova dhe ka vendosur që karrierën futbollistike ta vazhdojë në KF Flamurtari nga Prishtina. Me rastin e zyrtarizimit të marrëveshjes, Sahiti ka thënë për “Epokën e re” se është optimist se kryeqytetasit do ta sigurojnë mbijetesën në Vala Superligën e Kosovës në futboll.

“Nga skuadra e Vëllaznimit jam larguar për shkak të problemeve tashme të njohura. Ende nuk dihet se a do te ngjallet kjo skuadër a jo, sepse ka vetëm fjalë dhe ende obligimet nuk janë kryer. Flamurtarin e zgjodha për faktin se ka një kryetar shumë korrekt dhe ka synime afatgjata me këtë klub. Sivjet synojmë ta sigurojmë mbijetesën e në vitin tjetër do të jetë një super Flamurtar”, ka thënë Sahiti, i cili ka falënderuar edhe tifozët e Vëllaznimit dhe gjithë adhuruesit e futbollit nga Gjakova, por jo edhe kryesinë e klubit.

Skuadra e Flamurtarit sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e njëmbëdhjetë, me vetëm 11 pikë të grumbulluara, tri më shumë se Vllaznia e Pozharanit dhe dy më pak se Besa e Pejës. Ish-lojtari i Trepçës dhe Trepçës ’89 e ka pranuar se Vëllanzimi nuk i ka kryer obligimet ndaj tij, kurse për shumën e saktë nuk ka dashur të flasë.

“Po, më kanë mbetur borxh, kurse shuma nuk ka shumë rëndësi. Drejtuesit e klubit nuk kanë treguar ndonjë interesim për t’i shlyer këto obligime”, ka thënë Sahiti. 29-vjeçari ka një karrierë të pasur futbollistike pasi ka luajtur për shumë klube, ku spikasin edhe Renova nga Maqedonia dhe Skënderbeu nga Shqipëria, ndërsa ka qenë pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës në dy ndeshje.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ua ka rikujtuar të gjithë…