Sahiti, futbollistëve: Shfrytëzojeni rastin

21 janar 2018 | 12:29

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Muharrem Sahiti, ka thënë të premten për “Epokën e re” se lojtarët e Superligës duhet ta shfrytëzojnë rastin në miqësoren e 2 shkurtit ndaj Azerbajxhanit. “Porosia ime para kësaj ndeshje do të jetë që lojtarët duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi të artë për të bindur se e meritojnë një vend në përfaqësuese edhe në të ardhmen”, ka thënë Muharrem Sahiti.

Përzgjedhësi i përkohshëm i Kosovës në futboll, Muharrem Sahiti, i ka porositur futbollistët e Vala Superligës ta shfrytëzojnë rastin në miqësoren e 2 shkurtit në mënyrë që t’i hapin rrugë vetes për të qenë pjesë e përfaqësueses edhe në ndeshjet e ardhshme.
Kosova do të zhvillojë miqësore me Azerbajxhanin në Antalia të Turqisë. “Kosova ka shumë nevojë për ndeshje miqësore. Përballja me Azerbajxhanin është e mirëseardhur për faktin se lojtarët e Superligës do ta kenë rastin ta tregojnë veten. Gjithmonë kur luhet për përfaqësuese duhet të jepet maksimumi si në ndeshjet zyrtare, po ashtu edhe në ato miqësore. Porosia ime para kësaj ndeshje do të jetë që lojtarët duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi të artë për të bindur se e meritojnë një vend në përfaqësuese edhe në të ardhmen”, ka thënë Sahiti për “Epokën e re”.

Zakonisht kur Kosova ka zhvilluar ndeshje zyrtare, por edhe miqësore, numri i lojtarëve nga kampionati ka qenë i vogël dhe nuk kanë munguar edhe kritikat në drejtim të ish-përzgjedhësit Albert Bunjaki, kurse kësaj radhe lojtarët që do t’i mbrojnë ngjyrat e Kosovës do të jenë nga liga vendore. Sahiti me këtë rast ka bërë me dije se që një kohë të gjatë është menduar për një grumbullim të tillë. “Kemi menduar të zhvillohet një miqësore ose të mbahet një kamp me lojtarët e Superligës dhe tash erdh momenti të realizohet kjo ide. Kryetari Vokrri e ka aranzhuar këtë miqësore së bashku me reprezentacionin e Azerbajxhanit dhe i kemi njoftuar se do të luajmë vetëm me lojtarët vendorë”, ka shtuar ai.

Gazeta ka arritur të mësojë se në mesin e lojtarëve të ftuar deri tash nga trajneri Sahiti janë Armend Thaqi, Mentor Zhdrella, Bledar Hajdini, Mirlind Daku, Faton Maloku, Florent Hasani, Ardian Limanin, Behar Maliqi, Leutrim Kryeziu, Xhevdet Shabani, Arber Potoku, Hamdi Namani. Lidhur me emrat e futbollistëve dhe të skuadrave ka refuzuar të flasë Muharrem Sahiti. “Nuk mund të jap emra e as prej cilave skuadra i kemi ftuar. Kemi bërë përpjekje t’i ftojmë lojtarët më në formë. Emrat e tyre do t’i bëjmë publikë shumë shpejt në një konferencë për medie”, ka deklaruar Sahiti.

Kampionati i Azerbajxhanit, më i fortë se i Kosovës

Muharrem Sahiti, i cili e drejtoi Kosovën edhe në fitoren ndaj Letonisë (4-3), e ka lavdëruar kundërshtarin e 2 shkurtit, duke thënë se lojtarët që luajnë në përfaqësuesen e Azerbajxhanit janë nga kampionati vendor dhe ai kampionat është shumë i fortë. Me këtë rast ai la të nënkuptohet se kampionati i këtij vendi është më i fortë se ai i Kosovës. “Nuk kemi shumë informata të sakta se me çfarë lojtarë do të luajnë, por ata do të kenë edhe lojtarë që luajnë edhe jashtë. Megjithatë, reprezentacioni i tyre përbëhet kryesisht me lojtarë që luajnë në kampionatin vendor dhe ai kampionat është mjaft i fortë, pasi në renditje e lë pas kampionatin e Shqipërisë, Serbisë dhe Bullgarisë”, ka deklaruar Sahiti.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy persona kanë humbur jetën në Vlorë, në lagjen “1…