Sejko: Kriptomonedhat alternativa investimi të parregulluara

17 janar 2018 | 16:58

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka thënë kriptomonedhat nuk janë zëvendësuese të parasë tradicionale, por alternativa investimi të parregulluara dhe të pagarantuara, përdorimi i të cilave sipas tij, kërkon kujdes maksimal.

Në datat 16-17 janar 2018, “Euromoney” organizoi Forumin për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në Vjenë, Austri.
Pjesë e tryezës së dedikuar Shqipërisë ishte edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Në ndërhyrjen e tij, Guvernatori Sejko vuri në dukje se ekonomia shqiptare po forcohet dhe perspektivat e saj të rritjes janë pozitive, kjo dhe në saj të angazhimit serioz të autoriteteve për vazhdimin e reformave strukturore.

Ai theksoi se sistemi financiar shqiptar është i shëndetshëm dhe parametrat kryesorë të operimit të tij janë drejt përmirësimit. Megjithatë, ai theksoi sërish se sistem bankar duhet të jetë më realist e largpamës në nxitjen e kreditimit dhe më ambicioz në zhvillimin e segmenteve të reja të tregut financiar, raporton “scantv”.

Së fundi, duke evidentuar avantazhet konkurruese që ofron Shqipëria në terma të pasurive natyrore, të pozicionit të favorshëm gjeografik, si dhe stabilitetin në rritje që ofron procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Guvernatori Sejko u bëri thirrje të pranishmëve të rritin vëmendjen e tyre ndaj Shqipërisë, si një destinacion i përshtatshëm biznesi dhe investimi.

Gjatë diskutimeve në forum, Guvernatori Sejko u shpreh edhe në lidhje me rolin dhe implikimet që ka inovacioni i vazhdueshëm financiar, dhe në veçanti ekspansioni i kriptomonedhave.

Ai përsëriti pozicionin e Bankës së Shqipërisë se këto instrumente nuk janë zëvendësuese të parasë tradicionale, por alternativa investimi të parregulluara dhe të pagarantuara, përdorimi i të cilave kërkon kujdes maksimal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar heroin…