Shahini: Bartja e pagesës së TVSh-së nga kufiri në brendësi, fuqizon biznesin vendor

19 dhjetor 2017 | 14:40

Paralajmërimi i ministrit të Financave Bedri Hamza, për ndryshimin e sistemit tatimor të Tatimit në Vlerën e Shtuar në Kosovë, ka shtyer Aleancën Kosovare të Bizneseve të mbaj konferencë të jashtëzakonshme për media.

Me këtë rast kryetari i AKB-së Agim Shahini, deklaroi se u përmbush një kërkesë e kamotshme e AKB-së. “Aleanca Kosovare e Bizneseve, nga viti 2010 vazhdimisht e ka thënë që pagesa e TVSh-së në kufi, është barrë e madhe e bizneseve vendore dhe kreditim i bizneseve në arkën e shtetit pa e shitur produktin final është ngarkesë e pa përballueshme”, deklaroi Shahini.

Sipas tij, kjo ka bërë që ndërmarrësit vendor dhe të huaj dalëngadalë të humbin fuqinë konkurruese dhe interesimin për të investuar në Kosovë dhe si pasoj e saj dhe politikave tjera fiskale, ne kemi vazhdimisht rënie të investimeve të huaja, por ngritje të buxhetit të vendit me mbledhje të taksave tek bizneset në mënyrë të pa drejt në kufi.

Kreu i AKB-së shtoi, se qeverinë po e nxisin për të marr vendime konform kërkesave në tregun e Kosovës dhe më gjerë, por vazhdimisht ka munguar gatishmëria dhe guximi që pagesa e TVSh-së të bartët nga kufiri në brendësi të vendit. “Masat e marra për lirim të taksave për të gjithë teknologjinë dhe lëndën e parë për prodhim nga janari i 2018 është lajm i mirë, por i vonuar. Qeveria dhe Ministria e Financave, gjegjësisht ministri Bedri Hamza, ka marr një vendim të madh paralajmërues dhe të guximshëm që mbledhje e TVSh-së së shpejti do ta bartë nga kufiri në brendësi dhe ai do të jetë bartës i këtij ndryshimi të sistemit të taksave që e praktikojnë vendet në zhvillim dhe që kanë një sisitem fiskal të qëndrueshëm”, deklaroi ai.

Ai shtoi se kjo rritë fuqinë e bizneseve vendore, barazon atë me shumë vende te zhvilluara, forcon shtetin dhe biznesi nuk ka nevojë të krediton shtetin me TVSh, por shteti do të bart këtë rrisk në favor të bizneseve dhe qytetarëve të vendit. “Përmes këtij ndryshimi do te rrite edhe me shume luftën kundër informalitetit në Kosovë që është kancer i shoqërisë në vend”, u shpreh Shahini, duke shtuar se bizneset që nga viti 2008 e këndej mesatarisht në vite kanë kredituar nga 400 milionë në arkën e shtetit në kufi e që kjo i bije mbi 4 miliardë euro. “Shteti dhe bankat ishin përfituesit më të mëdhenj sepse u duhej që të merren mjete në bankë me interes të lartë për të paguar TVSh-në para se të shitej produkti e në anën tjetër biznesi nga kjo pësonte humbje, sepse koha e rikthimit të TVSH-së nga konsumatori merrte kohë deri në një vit. Në vitin 2015 ishin 456 milionë, më 2016 ishin 541 milionë dhe sivjet janë mbi 550 milionë euro”, deklaroi Shahini.

Kryetari i AKB-së shtoi se kjo rritje dhe forcon besimin edhe më shumë në shtetit e Kosovës, por hap rrugë për investime të reja dhe më të lehta pa pasur kosto shtesë në fillim të investimeve.

Aleanca Kosovare e Bizneseve, përgëzon Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Financave për këto masa të reja dhe domethënëse për biznesin vendor.

Lumnije Ajdini, menaxhere e AKB-së, ka thënë se për të ndodhur kjo, Ministria e Financave duhet ndryshuar disa ligje tatimore që përcjellin me udhëzime të ndryshme administrative, gjë e cila është në të mirë të vendit e bizneseve, duke rritur kapacitetet në Administratës Tatimore e Doganave dhe duke trajnuar staf profesional për të mbledhur TVSH-në.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luka Modriq i ka dhënë një intervistë “Codere Apuestas”, në…