Shpresoj se Kuvendi do të nxjerrë vendim pozitiv për demarkacionin

02 shkurt 2018 | 10:38

“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ka qenë një hap në procesin e integrimit, është finalizuar me mbështetjen e pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, aq sa ne bëjmë përparime, ne i japim argumente Bashkimit Evropian në procesin integrues”, ka deklaruar ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në një intervistë për gazetaren e agjencisë austriake “APA”, Gisela Linschinger në Vjenë.

Hoxha ka thënë se Kosova ka marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Ajo ka theksuar se derisa Serbia refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës, është e qartë se marrëveshja për dialog nuk mund të vazhdojë pafundësisht.
Ministrja Hoxha ka shtuar se qëllimi i Kosovës është njohja e ndërsjellë e plotë dhe normalizimi i marrëdhënieve. Ndërsa ajo vë në dukje se për Serbinë, gjithashtu, kjo është një parakusht për anëtarësimin në BE dhe se asnjëra prej shteteve nuk dëshiron ta parandalojë hyrjen e njëri-tjetrit në BE.

Ministrja Hoxha ka bërë thirrje për konkretizimin e procesit të pranimit të Kosovës në strategjinë e zgjerimit të BE-së, ku statusi i kandidatit, sipas saj, duhet të arrihet deri në vitin 2020. Ajo dëshiron ta udhëheqë vendin në BE nëpërmjet procesit të integrimit. “Plani për vitin 2018 është t’i çojë përpara reformat në sundimin e ligjit, ekonominë, konkurrencën dhe arsimin”, ka thënë Hoxha në intervistë për “APA”.

Përveç kësaj, ajo ka thënë se 2018-ta duhet të jetë vit i lëvizjes së lirë për qytetarët kosovarë. “Kosova është një nga shtetet më të reja në botë dhe ajo feston 10-vjetorin e saj më 17 shkurt. Arritjet e saj më të mëdha deri më tani janë njohja e Kosovës nga 115 shtete dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN)”, ka potencuar ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.

Sipas saj, një hap i parë i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian ishte Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (SAA) me BE-në, e cila u nënshkrua në tetor 2015. Me këtë marrëveshje, Hoxha thotë se për herë të parë u nënshkruan zyrtarisht marrëdhëniet midis BE-së dhe Kosovës. “Tanimë qëllimi i shpallur përmes bisedave me anëtaret e BE-së është që strategjia e zgjerimit të BE-së, që do të publikohet në shkurt 2018, duhet t’i përcaktojë hapat konkretë për anëtarësimin e Kosovës në BE, që mund të jetë fillimi i negociatave si dhe një datë e mundshme e pranimit”, ka thënë ajo.
Pesë shtetet anëtare të BE-së (Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja), të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, nuk shohin asnjë pengesë pasi Kosova mban marrëdhënie pragmatike me ta. “MSA-ja ka qenë një hap në procesin e integrimit dhe është finalizuar me mbështetjen e pesëshes ‘jonjohëse’. Ndërsa, aq sa ne bëjmë përparime, ne u japim atyre argumente”, ka deklaruar ajo.

Situata në veri, e qetë

Ministrja Hoxha viziton çdo javë qytetin e saj të Mitrovicës në veri të Kosovës, e cila është e banuar kryesisht nga serbët dhe në të cilin qytet u vra më 16 janar, politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq. Ajo ka treguar se situata në këtë pjesë të Kosovës është përgjithësisht e qetë. “Qytetarët e veriut dëshirojnë trajtim të barabartë. Integrimi i zyrtarëve gjyqësorë serbë në sistemin gjyqësor do ta bëjë këtë të mundur”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se vitin e kaluar gjyqtarët, prokurorët dhe shërbyesit civilë serbë dhe kosovarë kanë punuar për herë të parë sipas ligjeve të Kosovës. “Ky është rezultat i dialogut”, thotë ajo.

Ministrja Hoxha nuk sheh një ndikim negativ të Serbisë ndaj popullatës serbe në këtë rajon. Sipas saj, siguria ishte një interes i përbashkët dhe këtë mund të garantojë policia e Kosovës. Hoxha ka pohuar se shtrirja e sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës është një sukses i madh.

Vrasja e Ivanoviqit dëshmoi qartë se sa i nevojshëm është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si Europol dhe Interpol për ta përmirësuar shkëmbimin e informacioneve. “Kosova është duke bashkëpunuar në hetim me autoritetet e sigurisë të vendeve të tjera, por ju do të merrni rezultate më të shpejta në qoftë se bashkëpunimi bëhet nëpërmjet EULEX-it apo institucioneve të tjera”, ka deklaruar ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha, optimiste për kalimin e demarkacionit

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka shprehur optimizëm se së shpejti do të ketë një pajtim për vijën kufitare me Malin e Zi, një kusht tjetër për pranimin në BE. Ratifikimi i marrëveshjes së vitit 2015 deri më tani dështoi vetëm për shkak të partive të atëhershme opozitare Vetëvendosjes, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, dhe kjo kishte të bënte me një problem thjesht vendor. “Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Malin e Zi. Ishte një ndër vendet e para që njohu Kosovën”, ka deklaruar ministrja. Ajo ka shtuar se së shpejti Kuvendi do të vendosë për marrëveshjen kufitare. “Shpresoj që votimi të jetë pozitiv, kështu që kosovarët nuk do të janë qytetarët e vetëm të izoluar në Evropë”, ka thënë Hoxha.

Aktualisht kosovarët janë të vetmit evropianë që duhet të pajisen me vizë për të hyrë në BE. Që kjo të shfuqizohet, është në interesin e përbashkët të të gjitha palëve. “Për shkak të diasporës sonë të madhe në BE është e rëndësishme që kosovarët të përfitojnë nga parimi i lëvizjes së lirë. Ne gjithashtu kemi një popullsi të re dhe dëshirojmë që ata të udhëtojnë dhe të fitojnë përvoja ashtu si bashkëmoshatarët e tyre evropianë”, ka thënë ministrja Hoxha.

Si ministre, prioriteti i saj është ta shtyjë vendin drejt procesit të integrimit në BE. Deri në fund të vitit 2018 përmbushja e detyrimeve për kandidaturën është qëllimi i saj i qartë, me qëllim që Kosova deri në vitin 2020 ta marrë statusin e vendit kandidat. Ky ishte një projekt ambicioz, por edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor arritën ta bënin këtë një vit pas nënshkrimit të MSA-së. Sipas ministres Hoxha, në Kosovë ka pasur një rënie të numrit të papunësisë dhe emigracionit në vitet e fundit për shkak të ndërhyrjes së shtetit. “Forcimi i kontrolleve kufitare dhe doganore dhe ngritja e fushatave ndërgjegjësuese i ka dhënë fund emigrimit. Kosova tani ka një normë më të ulët të emigrimit në BE sesa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si Serbia dhe Bosnja”, vuri në dukje ajo.

Gjithashtu, Hoxha shpreson edhe në Ministrinë e re të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, e cila synon ta promovojë fillimin e punës për të rinjtë. “Vetëm një muaj më parë është bërë një nga investimet më të mëdha deri tani, ndërtimi i termocentralit të ri të Kosovës”, ka deklaruar Hoxha, duke shtuar se Kosova dëshiron të tregojë qartë angazhimin ndaj BE-së dhe ta paraqesë progresin në këtë rrugëtim.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioneri evropian për zgjerim dhe politikë të fqinjësisë, Johannes Hahn,…