Si të shndërrohen shkaqet e konfliktit në argumente për paqe të qëndrueshme regjionale

04 janar 2018 | 15:55

Belul Beqaj

Cenuesit potencialë të paqes në Kosovë (Serbia, BE-ja, Bashkësi Ndërkombëtare) dhe përgjigjja e mundshme nga politikbërësit

Regjioni ynë është me potenciale të kufizuara demokratike dhe me aftësi regjeneruese të shkaqeve të konfliktit, veçmas të nacionalizimit, prandaj jo rastësisht konsiderohet si “Fuqi baroti”. Megjithatë, transformimi i kushteve për paqe të qëndrueshme nuk varet aq shumë nga Kosova sa varet nga Serbia (“Serbia do ta luajë rolin vendimtar jo vetëm për të ardhmen e regjionit, por edhe Evropës dhe pjesës tjetër të Botës”, NATO – Gjen. Ornelo Baron, deklaratë në Bgd.) dhe Bashkësia Ndërkombëtare. Dialogu politik në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk po e reflekton vullnetin politik të qytetarëve, por as vullnetin politik të liderëve, ndonëse para zyrtarëve ndërkombëtarë po shtiren se e kanë me gjithë mend. Njëherësh, gjendja ekonomike dhe sociale në Kosovë dhe Serbi është para shpërthimit potencial.

Kohët e fundit edhe nga opinionistët me ndikim ndërkombëtar si shkak i konfliktit mund të përdoret edhe ideja për formimin e shteteve etnike. Përgjithësisht, gjendja e krijuar është pasojë e politikës së lidershipit politik (Kosovë, Serbi, BE) që për vizion e kanë pushtetin, pavarësisht sesa e rrezikon paqen. Në këtë kuptim, Serbia është cenuese e mundshme e paqes meqë dialogun me Kosovën po mundohet ta shndërrojë në instrument të përparimit të saj në procesin e integrimit në BE duke degraduar dhe ngushtuar sovranitetin e Kosovës që u pa në mënyrë implicite, kohët e fundit me arrestimin policit Thaçi, riaktualizimin e fletarrestimeve, urave, murit, trenit, deklaratave konfliktnxitëse siç është ajo se shqiptarët po përgatiten për akte terroriste nëpër ambasada dhe institucionet diplomatike dhe konsullore të Serbisë në botë, veçmas se do të formojnë BKS në mënyrë të njëanshme. Prandaj, do të ndërmarrë veprime më konkrete dhe të bindshme, siç është një lloj i mobilizimit të qytetarëve, gjoja për ta evidentuar potencialin ushtarak të shtetit serb. Serbia për arsye se ka president të shtetit i cili ka fituar përkrahjen maksimale nga qytetarët të cilët nuk janë dekontaminuar nga nacionalizmi e veçmas nga fobia e “mitit për Kosovën”.

Serbia ngaqë në pushtet ende janë trashëgimtarët e ideologjisë millosheviqiane hegjemoniste, të cilët kanë arritur simulimin e tyre të bindin disa zyrtarë ndërkombëtarë me ndikim, gjoja se janë transformuar në paqedashës. Serbia ngaqë është e gatshme që përmes Listës Serpska t’i sakrifikojë serbët e Kosovës në këmbim me territorin e veriut të Kosovës. Serbia ngase me ndihmën e Rusisë (Mig 29, Qendra e Trajnimit të Rusisë në Nish, planet për aeroport në Zrenjanin…) po i zgjeron mundësitë, në vend se t’i zvogëlojë për t’i rrezikuar të tjerët në Ballkan.

Së dyti, Bashkimi Evropian është cenues ngaqë është ngritur mbi bazat e multietnicitetit, ndërsa në Kosovë mbështet zgjidhje mbi bazat etnike. Kërkon normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por e favorizon Serbinë dhe e diskriminon Kosovën. BE-ja vazhdon ta mbështesë lidershipin në opinion, ndërsa në raportet e Komisionit Evropian kritikon punën e tyre. Pra, standardi i dyfishtë i BE-së nuk ndihmon normalizimin e raporteve, përkundrazi, po e rrezikon paqen.

Së treti, rendet zgjedhore në shtetet e rëndësishme ku po fitojnë ekstremet e djathtë, por edhe në regjion, sikurse faktorizimi i Rusisë dhe paqartësia e veprimeve të presidentit të ShBA-ve, lënë për të dëshiruar zgjidhje paqësore në vendet potenciale të krizave.

Së katërti, Kosova po paraqitet si cenuese e paqes për shkak të krizës së legjitimitetit të pushtetit të Kosovës. Koalicioni qeverisës është krijuar në saje të interesave të ndërsjella. Shumica politike është kuptuar si shprehje aritmetikore, ndonëse ne që studiojmë politikën e dimë se shumica politike është më shumë se shprehje aritmetikore. Kjo është vërtetuar në rastin e ratifikimit të demarkacionit dhe vendimeve të tjera të rëndësishme.

Kosova është cenuesja e paqes për faktin se shteti i Kosovës nuk është rrumbullakuar plotësisht (nuk ka sovranitet të plotë, nuk e ka ushtrinë) dhe nuk e ka pushtetin efektiv në territorin e Kosovës, nuk është anëtarësuar në OKB dhe nuk e ka njohjen e dy shteteve anëtare të KS të OKB-së, pesëshesh të BE-së, është arsye e mjaftueshme jo vetëm për ta kontestuar, por edhe për të pretenduar në dështimin e shtetit të Kosovës. Kosova ngaqë nuk janë të rrallë zyrtarët ndërkombëtarë që janë zhgënjyer me lidershipin e Kosovës dhe si pasojë të kësaj gjendje mendojnë se ndoshta është më mirë për stabilitetin e regjionit Serbia të jetë “xhandari” edhe i Kosovës. Kosova për faktin se kohët e fundit po stigmatizohet si kultivuese dhe eksportuese e radikalizmit islam.

Ky është një argument i fuqishëm për kundërshtarët e shqiptarëve të cilët po e konsiderojnë Kosovën si cenues potenciale e paqes. Prandaj, BIK-u, politika zyrtare, shoqëria civile, akademike, duhet fuqishëm, pa ekuivokë, ta kundërshtojnë këtë dukuri aty ku ekziston. Në anën tjetër, me fuqishëm, pa kurrfarë kompleksi dhe inforioriteti, t’i mbrojë vlerat e mirëfillta islame. Kosova sepse është shndërruar në kampione regjionale të korrupsionit. Ky mund të jetë shkaku i cenimit të paqes. Kur kryetari i Gjykatës Supreme vlerëson se kemi drejtësi selektive, atëherë duhet të mendohet për ndryshime të lidershipit politik, pasi që humbja e besimit në drejtësi mund të shkaktojë anarki, ku askush askujt s’i beson.

ENKAS PËR NUMRIN FESTIV TË GAZETËS “EPOKA E RE”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kina këtë vit, duke iu falënderuar luftës kundër ndotjes, do…