S’ka kohë për të eksperimentuar me dialogun Kosovë – Serbi

27 maj 2018 | 12:20

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka vlerësuar se opozita nuk është unike dhe nuk ka disponim për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.

Ai ka thënë se disa parti nuk janë të gatshme për zgjedhje dhe se shumicës i konvenon një qeveri e “mekët”, as mish as peshk.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Maliqi ka theksuar se presidenti Thaçi nuk është figurë e pazëvendësueshme në dialogun me Serbinë por, sipas tij, nuk ka kohë të eksperimentohet dhe të shkaktohen vonesa në këtë proces.

Maliqi ka vlerësuar se ideja për zëvendësimin e Thaçit nuk motivohet që dialogu të përfundojë me sukses, por që ai të rrënohet. Sipas tij, nëse partitë mbesin të përçara rreth dialogut, do të ketë vonesa të panevojshme dhe Kosova do të dalë joserioze karshi pritjeve të faktorëve ndërkombëtarë

“Epoka e re”: Z. Maliqi, çfarë vlerësimi keni për qeverisjen e koalicionit PAN dhe për rolin e opozitës?
Maliqi: E kemi një Qeveri që as energjia dhe vendosmëria e Ramush Haradinajt, një lidership prej komandanti militant me të cilën ai krenohej, nuk po funksionon. Qeveria përbëhet prej shumë subjekteve dhe individëve me interesa të veçanta, kështu që ndonjëherë krijohet përshtypja sikur dora e majtë e Qeverisë nuk di çfarë është duke e bërë dora e djathtë e saj. Po ashtu, ajo është e madhe dhe me një batalion ministrash e zëvendësministrash që vështirë koordinohen mes vete. Punën e Qeverisë e vështirëson edhe diçka: ajo nga fillimi nuk ka pasur program të qartë, pos zgjidhjes së çështjeve urgjente që i shtroheshin nga mostrajtimi i tyre i duhur nga Qeveria e mëparshme, ose për realizmin e atyre detyrimeve që Kosovës i shtroheshin nga jashtë. Në disa ndërmarrje të saj “energjike” dhe me urdhër të prerë, si puna e bordeve dhe komisioneve, më shumë janë bërë dëme se avancime.

“Epoka e re”: Aktualisht koalicioni nuk e ka shumicën dhe kjo shpeshherë po e vë në pikëpyetje funksionimin e Kuvendit, por as opozita nuk po duket se ka disponim për të ngritur mocion ndaj Qeverisë. Ka kapacitete opozita për ta rrëzuar këtë Qeveri?
Maliqi: Po, ky është edhe një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm që kushtëzon pabëzanin e komandantit të Qeverisë, sepse vërtet nuk është e qartë a është Qeveria e mbështetur nga numrat e duhur të deputetëve, apo jo. Lista Serbe pati dalë nga Qeveria zhurmshëm, por në të vërtetë edhe më tej sillet sikur është pjesë e saj, se do të kthehet dhe ta votojë atë në rast se vihet para testit të votëbesimit. Sikur shumicës i konvenon ta kemi një Qeveri të tillë të ‘mekët’, as mish as peshk. Nga ana tjetër, siç e konstatuat dhe ju, opozita nuk është unike dhe nuk ka disponim për mocion të mosbesimit, sepse disa parti nuk janë të gatshme që në këtë moment të dalin në zgjedhje. Çarja e Lëvizjes Vetëvendosje ka shkaktuar tretjen e idesë se ‘i kemi numrat e deputetëve shqiptarë’ nga viti 2014, me të cilën Albin Kurti kishte iniciuar krijimin e koalicionit të parë të gjerë VLAN, i cili, derisa ishte aktiv, edhe më pas kur u prish, shkaktoi ngecjen dhe vendnumërimin trevjeçar të Kosovës. Grupi që doli nga Vetëvendosja zgjodhi një rrugë të shkurtuar të shndërrimit në parti duke u veshur me petkun e Partisë Socialdemokrate të Kosovës, e cila ishte pothuajse praktikisht inekzistente, por tani mori një infuzion të fuqishëm me 12 deputetë të Kuvendit, duke u bërë forcë e katërt në skenën politike. PSD-ja e rinovuar, megjithatë, tregohet e kujdesshme që të mos shkohet në zgjedhje menjëherë, por i duhet një periudhë e konsolidimit të saj në terren për t’i bindur votuesit potencialë të saj, se është një alternativë serioze për Lëvizjen Vetëvendosje dhe partitë e tjera.

“Epoka e re”: Ç’rezultat prisni nga tryezat e partive politike?
Maliqi: Tryezat e partive kanë për qëllim të krijojnë një unitet mbase edhe të përkohshëm të skenës sonë politike para sfidës së përfundimit të përshpejtuar të dialogut me Serbinë. Presidenti Thaçi prej kohësh, kur është kërkuar që dialogu të zhvillohet në nivel të presidentëve, paralajmëronte krijimin e ekipit të unitetit, por kjo nismë e tij nuk pati sukses. Tani kjo çështje është bërë urgjente, sepse koha po rrjedhë shpejt dhe duhet të sqarohet edhe me opozitën atë që Haradinaj dhe Thaçi janë marrë vesh, që presidenti ta udhëheqë përfundimin e dialogut. Kjo nuk i pëlqen LV-së, mbase edhe një pjese të LDK-së, ndërkaq që edhe tek Nisma Socialdemokrate po kështu ka zëra që kundërshtojnë rolin kyç të Thaçit në dialog. Nëse partitë mbesin të përçara rreth kësaj sërish do të kemi vonesa të panevojshme dhe të dalim si palë joserioze karshi pritjeve të faktorëve ndërkombëtarë, të cilët përfundimin e shpejtë të dialogut nuk e kërkojnë pa arsye të fortë. Ata janë insistues për këtë, nga frika se rajoni mund të bjerë nën ndikimin e Rusisë, e cila provokon trazira në Ballkan, me synimin që ta dobësojë BE-në.

“Epoka e re”: Këto tryeza thuhet se janë iniciuar me qëllimin e vetëm, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. A po shihni klimë për zgjedhje të reja?
Maliqi: Tryezat nuk janë instrument që çojnë në zgjedhje, sepse për zgjedhje do të mjaftonte nëse partitë opozitare do të arrinin konsensus mes vete dhe t’i siguronin numrat e mjaftueshëm për mocionin që rrëzon Qeverinë dhe i bën zgjedhjet të pashmangshme. Nëse opozita nuk i ka numrat, janë të kota tryezat.

“Epoka e re”: Është paralajmëruar faza finale e dialogut me Serbinë. Si e shihni përfundimin e këtij procesi? Opozita po kërkon që presidenti i vendit të mos jetë udhëheqës i këtij dialogu. Kush mund ta zëvendësojë Thaçin?
Maliqi: Përfundimi i dialogut, nga ajo që është bërë publike nga deklarimet e aktorëve të mëdhenj, nuk do të duhej të ishte i dëmshëm për Kosovën. Nëse dokumenti final dhe i obligueshëm parasheh njohjen e ndërsjellë, tërësinë e territorit të Kosovës (nuk ka ndarje ose shkëmbime territoresh që kërkon Serbia!) dhe epilogu çon drejt anëtarësimit të Kosovës në OKB, nuk e shoh se cili do të mund të ishte kompromisi i dëmshëm për vendin tonë dhe nëse do të ketë kompromise, mendoj se ato do të janë gjithsesi dytësore, jo esenciale. Sa i përket karakterit dhe drejtimit të dialogut, mendoj se qëllimi i opozitës, sidomos i Lëvizjes Vetëvendosje, është pengimi ose ndryshimi i formatit të dialogut, sidomos pengimi i ambicies së presidentit Thaçi që ai ta përfundojë procesin të cilin e ka filluar dhe udhëhequr deri më tani. Mendoj se ky synim i LV-së, dhe atyre që e përkrahin, është i rrezikshëm sepse vazhdon me logjikën e politikave të prapakthimeve që e ka karakterizuar ideologun kryesor të LV-së, Albin Kurtin, kur e kundërshtonte Marrëveshjen e Rambujesë, Planin e Ahtisarit, formatin e shpalljes së pavarësisë, në mënyrë të vazhdueshme i thoshte jo dialogut me Serbinë etj., duke mos e pranuar asnjëherë se i gjithë ky proces nuk na ka çuar prapa në sundim të Serbisë, siç predikohej, por përpara, në fuqizimin e shtetësisë dhe mëvetësisë së Kosovës. Kuptohet, nuk mendoj se Thaçi është figurë e pazëvendësueshme, por proceset kanë avancuar shumë dhe formati i bisedave tashmë është në fazën e tillë, ku nuk kemi kohë të eksperimentojmë dhe të shkaktojmë vonesa të reja në procesin e dialogut. Gjithsesi, pasi që edhe vetë presidenti ka kërkuar që dialogu të vazhdohet me një ekip të unitetit, mendoj se ai do të duhej ta reflektonte pozitën e vet, që ai mos të jetë vendimmarrësi i vetëm në finalen e procesit, por të krijojë një instrument shtesë ndërmjetësues për vendimmarrje, ku për propozimet e kompromiseve eventuale të reja, ta ketë afër vetes në grup të liderëve partiakë dhe institucionalë, nëse jo nga të gjithë subjektet relevante politike, atëherë nga shumica e tyre. Shikoni, kur procesi i dialogut është në fazën në të cilën aktualisht nuk është aspak praktike dhe e mençur që të kërkohet transparenca maksimale e propozimeve kompromise, duke i çuar ato si të tilla në Kuvend ose në referendum. Kjo duhet të ndodhë më vonë si masë eventuale korrigjuese. Zakonisht, një procedim i tillë i transparencës hap shtigje për manipulime dhe dështimin e procesit. Ka dhe një mundësi. Presidenti nuk do ta dëmtonte veten nëse do të tërhiqej nga procesi duke thënë: unë e sigurova që procesi të vijë deri te finalja dhe qenkam pengesa që dialogu të përfundojë me sukses. Po tërhiqem për të mirën e vendit. Vetëm se problem në këtë rast do të ishte kush do ta merrte stafetën për fundin e dialogut. Ideja për zëvendësimin e Thaçit, sipas meje, nuk motivohet që dialogu i deritashëm të përfundojë me sukses, por që ai të rrënohet dhe mohohet.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, tashmë Qeveria ka nisur procedurat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Cili do të jetë epilogu i këtij procesi? Do të kemi asociacion me apo pa kompetenca ekzekutive?
Maliqi: Thashë dhe më parë, nuk duhet pritur kompromise të mëdha, duke pasur parasysh Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, si një detyrim që tashmë është vënë nën vijat e kuqe që pamundësojnë ngritjen e kompetencave ekzekutive dhe autonome të saj. Te kjo çështje ndoshta mund të jepen disa siguri shtesë, se formati i Asociacionit nuk do t’i dëmtojë interesat e veçanta të serbëve të Kosovës, por këto garanci do të duhej të ishin të dyanshme, që edhe Kosovës t’i garantohet se serbët nuk do të bëhen instrumente për ndërhyrjet e Serbisë në çështjet e Kosovës.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka…