Sot parakalimi historik

09 Shkurt 11:33

Flamuri i Kosovës është ngritur të enjten në PyeongChang, kurse sot (e premte) do të bëhet parakalimi historik i Kosovës.

Flamuri i Kosovës të enjten në një atmosferë solemne është ngritur në Fshatin Olimpik në PyeongChang, ku po qëndron ekipi olimpik i Kosovës për Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang2018”. Ekipit të Kosovës i ka prirë presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, i cili ka shkëmbyer dhurata me kryetarin e Fshatit Olimpik, Yeo Hyeung-Koo, si dhe është nënshkruar në Murin e Paqes.

Presidenti Hasani ngritjen e flamurit e ka quajtur moment historik për shtetin e Kosovës. “Pa dyshim se është ndjenjë e veçantë sepse këtu në PyeongChang po ndodh historia e sportit të Kosovës, pasi për herë të parë po marrim pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore. Si çdo qytetar tjetër po ndihem mirë edhe unë. Po marrim pjesë me Albin Tahirin, i cili ka fituar normën olimpike në pesë disiplina”, ka thënë Hasani.
Krahas flamurit të Kosovës, të enjten është bërë ngritja edhe e flamurit të Islandës, Ganës, Ekuadorit dhe Lihtenshtajnit. Ndërsa sot (e premte) do të bëhet hapja zyrtare e Lojërave Olimpike Dimërore, kurse ekipi olimpik i Kosovës do ta bëjë parakalimin historik.

“Flamuri i Kosovës për herë të parë do të parakalojë në LOD, falë skitarit Albin Tahiri, i cili ka fituar normën olimpike në pesë disiplina të skijimit alpik. Ceremonia hapëse do të fillojë në orën 12:00 me kohën tonë lokale, kurse me kohën koreane në orën 20:00. Ceremonia pritet të zgjasë dy orë, kurse Kosova pritet të parakalojë pas orës 13:00. Ekipi olimpik i Kosovës që do të parakalojë përbëhet nga bartësi i flamurit, Albin Tahiri, trajneri i tij, Agim Pupovci, shefi i misionit, Bujar Turjaka dhe zyrtari për media, Kushtrim Krasniqi”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Sportisti i vetëm që e prezanton Kosovën në këto lojëra, Albin Tahiri, për “Epokën e re” ka thënë se do të përpiqet t’i prezantojë sa më mirë ngjyrat e shtetit të Kosovës. “Objektivat e mia janë së pari t’i prezantoj ngjyrat e Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme dhe t’i bëj krenarë njerëzit e mi, pastaj t’i tregoj botës se edhe ne mund të jemi pjesë e garave të mëdha. Dua të dëshmoj se jemi gati edhe për sporte dimërore sikurse në sportet verore. Të flasim për rezultatet e sakta është e vështirë tani, sepse të skijosh në alpe, kushtet janë të ndryshme dhe konkurrenca është e madhe”, ka thënë Tahiri.

(Veton ZYMBERI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas pjesëmarrjes në Lutjet e…