Spanja humb organizimin e evropianit shkaku i Kosovës

23 prill 2018 | 13:59

Spanja humb të drejtën e organizimit të Kampionatit Evropian U-23 të Peshëngritjes, shkaku i Kosovës

Spanja ka humbur të drejtën e organizimit të Kampionatit Evropian U-23 të Peshëngritjes, për shkak të moslejimit të pjesëmarrjes së peshëngritësve të Kosovës.
Qeveria spanjolle nuk i është përgjigjur letrës së dërguar më 27 mars nga Federata Evropiane e Peshëngritjes (EWF), përmes së cilës do të garantonte pjesëmarrjen e Kosovës në këtë kampionat.  Për këtë arsye, Spanja është njoftuar nga Federata Evropiane që ka humbur të drejtën e organizimit të këtij kampionati.

Lajmi është konfirmuar edhe nga kryetari i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës (FPK), Astrit Hasani, i cili është njoftuar edhe nga EWF-ja. Spanja është njëra nga vendet e pakta evropiane që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës dhe pasaportat e saj.

Kampionati në fjalë ishte paraparë të mbahej prej 23-31 tetor 2018, kurse tani pritet të zhvendoset në Poloni. Javën e kaluar, gjatë Konventës së SportAccordit, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) dhe Asociacioni i Federatave të Sporteve Olimpike Verore, kishte kërcënuar me dënime shtetet që diskriminojnë sportistët e Kosovës me moslejimin e pjesëmarrjes së tyre shkaku i politikës dhe një gjë e tillë duket se dha efektin e saj të dielën.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për herë të parë në historinë e saj 153-vjeçare, Partinë…