Zëvendëspresidenti amerikan këtë fundjavë në Evropë
Zëvendëspresidenti amerikan këtë fundjavë në Evropë
17.02.2017 | 16:02
Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, fillon këtë fundjavë një turne në Mynih dhe Bruksel.
Kjo është vizita e tij e parë jashtë vendit që kur ka marr detyrën e nënpresidentit muajin e kaluar.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se udhëtimi është një mundësi që nënpresidenti, në emër të Presidentit Donald Trump, t’i sigurojë aleatët për partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës dhe parashtrojë përparësitë amerikane në marrëdhënien transatlantike.
Udhëheqësit evropianë kanë shprehur shqetësime për presidencën e zotit Trump, pas shprehjeve të tij admiruese ndaj Presidentit rus Vladimir Putin dhe pasi ai u shpreh për NATO-n si një organizatë e vjetruar.
Të shtunën nënpresidenti amerikan do të flasë në Konferencën për Sigurinë në Mynih. Një këshilltar tha se zoti Pence do të japë mesazhin se “të gjithë jemi më të sigurt dhe më të begatë kur SHBA dhe Evropa janë të fuqishme dhe në unitet”.
Në Mynih, zoti Pence pritet të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe disa udhëheqës të Evropës Lindore. Ai do të takohet gjithashtu me presidentin afgan Ashraf Ghani dhe me kryeministrin irakian Hiader al-Abadi.
Në Bruksel, Pence do të ketë takime me një numër udhëheqësish të Këshillit Europian, përfshirë Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg. /VOA/
List of videos